Mobi Casa

Mashtrimi me investime

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Enis Veliu – Blerja e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, po llogaritet si investimi më i madh i huaj që ka ndodhur sivjet nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars.

Ishte vetë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza, që ditë më parë gjatë një interviste për gazetën “Zëri“ konfirmoi se pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte në Kosovë përbëhet nga blerjet e patundshmërive që jorezidentët apo bashkatdhetarët tanë i bëjnë në Kosovë.

Ai po ashtu konfirmoi se gjatë katër muajve të parë të vitit 2016, investimet e huaja direkte në sektorin e patundshmërisë përfaqësojnë përqindjen më të madhe të gjithsej investimeve të huaja direkte të pranuara në Kosovë. Bazuar në të dhëna të Bankës Qendrore të Kosovës shihet për tre muaj në këtë sektor bashkatdhetarët tanë investuan 44,4 milionë euro. Pas kësaj sektori i shërbimeve financiare prin me 14,1 milionë euro investime të huaja, derisa në sektorin e tregtisë gjatë kësaj periudhe kohore u investuan vetëm 2,4 milionë euro.

Në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit gjatë kësaj periudhe kohore janë investuar 4,1 milionë euro, ndërkaq në kategorinë e identifikuar si shërbime tjera janë investuar 1,8 milionë euro. Po ashtu gjatë tre muajve të parë të këtij viti në sektorin e Bujqësisë në Kosovë janë investuar 900 mijë euro, në sektorin e minierave janë investuar 700 mijë euro, në hoteleri janë investuar 100 mijë euro, në ndërtimtari janë investuar zero euro, derisa në industri gjatë kësaj periudhe kohore më shumë ka pasur tërheqje të investimeve se sa investime në këtë sektor.

Futja e patundshmërive në kategorinë e investimeve të huaja, në parim po del të jetë një mashtrim për opinionin sa iu përket shifrave për investimeve të huaja, duke pasur parasysh faktin se nga investimi në blerje të patundshmërive shteti përfiton të hyra minimale vetëm nga taksat, e për punësime as që bëhet fjalë.

ARKATANA

Sa më parë që të jetë e mundur, institucionet e shtetit duhet të krijojnë politika më të favorshme për investitorë të huaja, pasi që dita-ditës edhe ata që kanë qenë këtu kanë filluar të largohen nga shteti ynë. Tashmë thuajse vendi ynë nuk është në agjenda të kompanive të fuqishme që dëshirojnë një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë në vendin tonë, pasi që shtete përreth po iu ofrojnë mundësi më të mira sesa Kosova.

Po ashtu, edhe problemet e vazhdueshme me infrastrukturë ligjore kanë dëshpëruar kompani të huaja që kanë tentuar të investojnë në shtetin më të ri në Evropë.

Kompani të mëdha kanë ikur nga Kosova për shkak të zvarritjes së vazhdueshme të projekteve siç ka qenë privatizimi i Telekomit të Kosovës, privatizimi i qendrës së skijimit në Brezovicë, por edhe ndërtimi i termocentralit të ri “Kosova e Re”.

Ndërkaq, në vend të tyre në shtetin tonë kanë ardhur kompani të huaja me kapital të dyshimtë. Kosova ka nevojë për kompani të huaja të cilat hapin vende të reja pune, e të cilat ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të shtetit, e jo kompani të huaja që vjedhin shtetin, e ikin madje pa paguar taksat për shtetin, e pagat për punëtorët.