Rrugët e vdekjes!
Këtë vit 50 veta kanë humbur jetën nga aksidentet në komunikacion, derisa rreth 5400 qytetarë janë lënduar. Shkaqet e këtyre aksidenteve janë nga më të ndryshmet, që nga tejkalimi i shpejtësisë, rrugët në ndërtim, mungesa e sinjalistikës etj.
Derisa po kalonin në magjistralen Prishtinë – Pejë, disa të rinj kishin ndaluar në afërsi të “Kroit të Mbretit”.
Aty, ditë më parë kishte ndërruar jetë një shok i tyre, në një aksident trafiku.
“Ky vend që ka marrë shumë jetë njerëzish…”, shprehej njëri nga ta, i mërzitur për shokun që ka humbur në moshë shumë të re, e që kishte lënë pas familjen e ngushtë dhe të fejuarën, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Të mërzitur, nisen ngadalë. Nuk preferojnë të zgjasin më tepër bisedë as me gazetarët.
“Ishte një tragjedi. U mbyt një djalë i ri këtu”, thonë ata, pa dashur të komentojnë më shumë.
Të dhënat për vdekjet në trafik, kanë shënuar ngritje këto ditë.
LEXO EDHE: Për 1 javë – 438 aksidente në Kosovë
Zyrtarë policorë por edhe ata të Klinikës Emergjente në QKUK, flasin për rritje të numrit të viktimave në trafik, në raport me vitin e kaluar.
Derisa në periudhën kohore, janar – qershor 2015 kishim 48 vdekje në trafik, në këtë periudhë kohore për vitin 2016 ka dy viktima më shumë, apo 50 të vdekur./zeri/


