Tahiri: VV po mbron të gjitha krimet që ne po pretendojmë se u kryen
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij nuk është iniciues për themelimin e Komisionit Hetimor, por se ka 40 nënshkrime dhe si e tillë është kategori kushtetuese që mundet ta kenë kryesimin e këtij komisioni.
Ai e tha këtë në një kundërpërgjigje ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se ligji për hetimin parlamentar nuk lejon të formohet Komisioni Hetimor pasi kryesuesi i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që s’janë iniciues të themelimit të Komisionit.
…
Propozimi i 40 deputetëve është kategori kushtetuese, të cilën seanca s’mundet ta bllokojë, një formalitet që duhet të ndodhë dhe as për votim s’ka nevojë. Krejt çka duhet në këtë seancë është propozimi i emrave për kryesues, anëtarë dhe pastaj ky komision të vazhdojë punën e tij, sepse 40 nënshkrime janë kategori kushtetuese. Nuk e kemi iniciuar, sot e kemi caktuar”.
Tahiri, i cili u çua në këmbë nga ulësja e tij në Kuvend, tha se argumentet që i dha Kusari-Lila janë të papranueshme.
“Në vitin 2018 inicimi i Komisionit Hetimor ka qenë nga dy grupe parlamentare, nga LDK dhe Vetëvendosje, rrjedhimisht s’iu ka takuar udhëheqja e këtij komisionit. Sot iniciues i këtij komisioni hetimor është vetëm Grupi Parlamentar i PDK-së dhe unë si kryetar ia kam kërkuar shumicës së deputetëve nënshkrimet dhe as Lista Serbe, edhe atyre ia kam kërkuar, nuk m’i kanë dhënë, përjashtim deputetit që vjen nga komuniteti goran dhe nga komuniteti rom. Krahasimi me rastin e vitit 2018 te kryesuesi ku zonja Kusari po e bllokon themelimin e këtij komisioni nga Kusari është i paqëndrueshëm”.
Tahiri ka thënë se më e rëndësishme për Vetëvendosjen dhe Kusari-Lilën është mbrojtja e të të gjithë atyre “parregullsive dhe krimeve” që ata po pretendojnë se kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe.
“Ne po kërkojmë hetimin e 100 milionëve eurove të Qeverisë në blerjen e energjisë elektrike, hetimin e punësimit në KEK, një punë të detajuar të ZRRE-së. E kemi caktuar këtë me 40 nënshkrime dhe sot me u kap te kryesuesi e me thënë që nuk iu takon dhe rrjedhimisht po e bllokojmë krejt punën e Komisionit Hetimor nuk pajtohemi dhe s’lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. Krejt ajo çka po kërkojmë është të shfrytëzojmë një të drejtë parlamentare. Po na pamundësohet një e drejtë kushtetuese”.
Tahiri tha se ligji e thotë shprehimisht që nuk mundet me pasë kryesuesin pushteti, sepse PDK “s’do ta kishte problem” ta kryesonte edhe Vetëvendosja.
Kusari në fjalën e saj tha se ligji për Hetimin Parlamentar nuk lejon të formohet Komisioni Hetimor pasi kryesuesi i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që s’janë iniciues të themelimit të Komisionit.

