Hidromorava

Të mendojmë për veten

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kosova ka qenë gjithmonë burim i pashtershëm i talenteve. Plot vende ia kanë parë hairin vendit tonë pasi futbollistët kosovarë në pamundësi për të luajtur për vendin e prindërve të tyre janë detyruar të luajnë për ekipet kombëtare të vendeve tjera.

Vetëm në Evropianin e Francës u paraqitën 15 futbollistë nga Kosova, të ndarë në tri ekipe, tek Kombëtarja Shqiptare 11 dhe tek Zvicra 4.

Mirëpo, tash ka ardhur koha që Kosova ta bëjë ekipin e saj të fuqishëm. Përzgjedhësi, Albert Bunjaki, thotë se ka marrë fund koha kur Kosova i furnizon vendet tjera me futbollistë. Tash e tutje ai beson se Kosova duhet të mendojë për veten.

“Definitivisht duhet të mendojmë për veten. Deri tash dihet se lojtarët nuk kanë mundur ta zgjedhin Kosovën pasi s’ka pasur të drejtë loje në ndeshje zyrtare. Sidoqoftë, tash e tutje lojtarët do ta kenë mundësinë e zgjedhjes, në bazë të projektit që u ofrohet. Tash është normale se zgjedhja primare duhet të jetë Kosova”, thotë Bunjaki për “Zërin”.

Pavarësisht faktit se Kosova nuk mori pjesë në “Euro 2016”, ai ndihet krenar me ambasadorët e vendit tonë, të cilët u prezantuan denjësisht në Francë.

“Pavarësisht mospjesëmarrjes së Kosovës, prezenca e aq shumë futbollistëve nga Kosova në Evropian na bëri krenarë. Në të ardhmen do të na bëjnë krenarë po ashtu, edhe nëse nuk vijnë të luajnë për Kosovën. Por, jua them me plot bindje se privilegj tjetër është kur luan në Prishtinë e në Mitrovicë”, vazhdoi përzgjedhësi kosovar.

Fundamenti

Synon kualifikimin në “Evropianin 2020”

Kosova do ta ketë mundësinë të marrë pjesë në kualifikimet për Botëror, që fillojnë në shtator të këtij viti. Megjithatë, synim më real i Bunjakit është “Evropiani 2020”. Ai beson se Kosova do ta ketë një ekip të fortë, i cili mund ta bëjë një vend në mesin e 24 vendeve pjesëmarrëse në fazën finale të Evropianit.

“Synim yni është ta krijojmë një ekip solid dhe të vazhdojmë të zhvillohemi. Në kualifikimet për Botëror do të mundohemi ta bëjmë një ekip kompakt dhe të bëjmë përvojë. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të befasojmë. Ndërkohë, pretendimi kryesor është Evropiani, ku gjasat janë më të mëdha pasi shkojnë deri në tri ekipe të një grupi”, ka shtuar Bunjaki.

Ai ndërkohë pret që sa më shpejt ta kuptojë se në cilët lojtarë do të mundë të llogarisë për kualifikimet e Botërorit, pasi momentalisht as që ia ka idenë, pa marrë përgjigje definitive nga FIFA për lejimin e ndryshimit të përfaqësueses së yjeve kosovarë.

“Shpresoj ta kemi një vendim sa më të shpejtë nga FIFA. Por, kjo nuk do të thotë se nuk jemi në kontakt me lojtarët. Mirëpo, nuk guxojmë t’i ftojmë momentalisht sepse mund të penalizohemi. Kur ta marrim dritën e gjelbër nga FIFA, do të fillojmë t’i ftojmë”, ka përfunduar Bunjaki./zeri/