Roth: T’i hiqen vizat Kosovës dhe të hapen negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate gjermane dhe anëtar i Bundestagut, Michael Roth, ka paralajmëruar se sulmi rus në Ukrainë do të ketë pasoja më të gjera sesa vetëm në Ukrainë. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga BE-ja që të përshpejtojë hapat në raport me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, si dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, Vladimir Putini nuk po sulmon vetëm këtë vend. Ai po e vë në dyshim ekzistencën e shteteve të Evropës Lindore. Ai gjithashtu po e sulmon perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Roth në Twitter.
“BE-ja më në fund duhet të mbajë premtimet dhe të kapërcejë mosmarrëveshjet. Për shembull, duhet të hapen negociatat e drejtpërdrejta të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian duhet të ndalojë separatistët në Bosnjë dhe Hercegovinë. Duhet miratuar liberalizimi i vizave për Kosovën. Bullgaria duhet të heqë dorë përfundimisht nga rezistenca ndaj bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut”, shkroi më tej deputeti gjerman, Michael Roth. /Zëri


