KKVITI

Ekspozita me fotografi:”E bukura Kosovë” vizitohet nga vizitorë të të gjitha trojeve shqiptare

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – “Për mua të kalosh një ditë të tërë në cilëndo nga bjeshkët e ekspozuara, është edhe shëndet, edhe mësim, edhe frymëzim…”, ka thënë profesor Agim Kajtazi, pasionant i fotografisë artistike dhe asaj peizazh.

Interesimi për ekspozitën me fotografi “E bukura Kosovë”, e hapur më 17 shkurt, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vazhdim. Krahas gjilanasve, ka pasur vizitorë edhe nga qytete të Kosovë, si dhe një grup bjeshkatarësh nga Shkupi, për të cilët, edhe në ditë pushimi është hapur Galeria.

Agim Kajtazi, një nga bashkautorët e kësaj ekspozite, për rajonipress ka deklaruar se qëllimet e tij dhe Milaim Grabovcit ishin që para publikut gjilanas, të shpalosnin atraksionet që ka Kosova, e të cilat, me një përkushtim më të madh të institucioneve dhe të gjithë neve si shoqëri, mund të kthehen në vende që e ndihmojnë zhvillimin e turizmit.

UBT

“Paralelisht me këtë, ne dhe si bjeshkatarë që jemi, me këto fotografi, synojmë dhe përhapjen e frymës së bjeshkatarisë pasi kjo, për ne, është pa aq e rëndësishme sa turizmi. Për mua, të kalosh një ditë të tërë në cilëndo nga bjeshkët e ekspozuara, është edhe shëndet, edhe mësim, edhe frymëzim. Pse mësim? Mësim sepse sado që ecë ngadalë drejt majës që shpeshherë s’e sheh sa larg është, t`i arrin kur nuk ndalesh. E këtë nëse e zbërthejmë në qëllime të jetës sonë, del që edhe ato, po nuk punove pa u ndalur, nuk arrihen dot. Pse frymëzim? Frymëzim sepse t`i mahnitesh me përsosmërinë që ka ajo prandaj në përditshmëri nuk të bëjnë përshtypje gjërat, si thonë, shkel e shko. Unë, për vete, secilën herë mësoj prej saj”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, pjesë e ekspozitës “E bukura Kosovë”, janë dyzet fotografi, njëzet të tij dhe njëzet të Milaim Grabovcit, e të cilat janë shkrepur në Malet e Sharrit, Bjeshkën e Rugovë, Shalë të Bajgorës, Malet e Gollakut e Karadakut.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 28 shkurt./rajonipress/