Kryendeshja në Gjilan përfundon me barazim
Në javën e IX-të, të Superligës së Kosovës në kryendeshjen e javës, në stadiumin e qytetit në Gjilan, skuadra e Gjilanit dhe Ballkanit kanë përfunduar ndeshjen me rezultat të barabartë 1-1.
Derbi i kësaj jave nuk ka dhënë futboll cilësor, dy skuadrat në fund të takimit ishin të kënaqura me rezultatin e arritur. Për pikën e fituar tek skuadra e Gjilanit më meritori ishte portieri Enea Koliqi, i cili bëri disa intervenime, ndërsa Gjilani që nga minuta 54 ishte me një futbollist më pak në fushë pasiqë Besar Musolli u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjës së pa lejuar në futbollistin kundërshtar.
Në minutën e 14-të, Dabiqaj kishte rast të mirë shënimi por gjuan jashtë portës së portierit mysafirë, Frashërit.
Në minutën e 25-të, Thaqi e Solomon gjuajnë drejt portës së Koliqit por në dy rastet Koliqi shpëton portën e tij.
Në minutën e 48-të, Nazmi Gripshi gjuan furishëm por Koliqi edhe njëherë shpëton portën e tij.
Në minutën e 57-të, Fiton Hajdari nga e majta harkon e më së miri gjendet Gerhard Progni i cili nga afërsia mposht portierin Frashërin.
Në minutën e 63-të, Nazmi Gripshi me mjeshtri të lartë nga 20 metra nga goditja e lirë shënon gol të bukur në këndin e epërm të Koliqit duke barazuar rezultatin në 1-1.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, pas 90 minutave ka deklaruar. “ Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, kemi pasur probleme me lëndimin e futbollistëve, qëllimi ynë ka qenë kundërshtarët mos të na ikin me pikë dhe duhet ditur se nuk ka ekipe të dobëta”.
Bekim Isufi, trajneri i Ballkanit ka deklaruar. “Marrë në tërësi rrjedhën e ndeshjes jam i kënaqur me një pikë, ndërsa me lojën që kemi treguar kemi merituar tri pikë fusha ka qenë shumë e vështirë”.
Pas 9 javëve Gjilani gjendet në pozitën e 3 me 14 pikë të tubuara, ndërsa në javën e X-të, të ciklit të dytë të garave Gjilani takohet me Drenicën ne Gjilan./rajonipress/


