Në Viti u hap panairi i Sportit
Viti – Me qëllim që fëmijët të njihen me perspektiven e sportit, sot në sheshin e qytetit e Vitisë është bërë hapja e panairit të Sportit të Organizuar nga Komuna e Vitisë, konkretisht DKRS dhe Komitetit Olimpik të Kosovës dhe e mbështetur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Me këtë rast Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani ka bërë hapjen e këtij panairi e cila tha se ky panair po organizohet në kuadër të aktiviteteve të shumta kulturore sportive. “Ky panair është iniciativë e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe është mbështetur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ku mbështetëse është edhe komuna jonë dhe kjo nismë është përkrahur edhe nga Kryetari Sokol Haliti dhe atë që në kudër të aktiviteteve të shumta kulturore sportive dhe diversitetit organizohet ky panair i cili do të vazhdoj gjatë ditës. Me këtë rast klubet sportive dhe sportistët do të jenë ekspozuese të disiplinave përkatëse sportive” u shpreh Drejtoresha Sylejmani.
Ndërkaq i pari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti foli edhe për rëndësinë që ka ky panair. “Një organizim i tille, ka rendësi për ne më që është një mundësi e re për klubet aktive në komunën tonë, t’i ekspozojnë disiplinat sportive përkatëse dhe sidomos kur tani federatat tona sportive janë të ndërkombëtarizuara, dhe kjo nënkupton perspektivë më të madhe për sportistet tanë të cilët i kemi reprezentuesit më të mirë të shtetit. Edhe Komuna e Vitisë, ka klube të cilat suksesshëm jo vetëm se e kanë përfaqësuar Komunën e Vitisë, por e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në gara ndërkombëtare siç e kemi rastin konkret me dy shenjëtaret tona Urata dhe Lumturie Rama, të cilat vitin e kaluar morën pjesë në garat olimpike evropiane në Baku, dhe të cilat e kanë arritur normën për të përfaqësuar në Lojërat Olimpike Rio 2016, të cilat janë mbështetur me bursa nga Komuna e jonë dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës për çka ne i falënderojmë” ka thënë Haliti.
Ai po ashtu tha se për sukseset e klubeve tona Komuna e Vitisë është përkujdesur përveç me mbështetje morale sigurisht edhe me mbështetje financiare, dhe referenca më e mirë për këtë sipas tij është edhe rangimi në ligën e parë të dy klubeve të futboll “Vitia” dhe “Vllaznia”.
Haliti përmendi edhe themelimet e klubeve të reja si Klubi i Basketbollit Vitia, Klubin e Gjimnastikës etj.
Përndryshe ky panair do të qëndroj i hapur gjatë ditës së sotme në sheshin e qytetit në Viti konkretisht përballë “Shtëpisë së Kulturës” Gursel dhe Bajram Sylejmani në Viti” ku klubet sportive nga Vitia do të ekspozojnë disiplinat sportive./rajonipress/





