Osmani: Ish-liderët i lanë anash problemet e qytetarëve, u fshehën prapa dialogut
Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes, ka thënë se liderët e mëparshëm politikë i kanë lënë anash problemet më akute të qytetarëve të Kosovës, derisa, sipas saj, të njëjtët janë fshehur prapa temës së dialogut.
E kjo, sipas Osmanit, është bërë për t’i mbuluar dështimet e tyre brenda në vend.
Këto komente u.d. e presidentes, Osmani, i bëri në një intervistë për “Faces of Democracy”. Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, Acting President of the Republic of Kosovo – Gesichter der Demokratie (faces-of-democracy.org).
“Për një kohë të gjatë, problemet ditore, më akute, të qytetarëve të Kosovës janë lënë anash, derisa ish-liderët e Kosovës po fshiheshin prapa temës së dialogut për t’i mbuluar dështimet e tyre brenda në vend. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë më. Qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi dhe vende pune dhe është detyrë jona ta realizojmë këtë. Dialogu me Serbinë natyrisht se do të jetë në fokusin tonë dhe ne do të sigurohemi që vendi ynë të vazhdojë të tregojë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm. Procesi duhet të përfundojë me njohjen reciproke, duke respektuar integritetin territorial të Kosovës dhe rendin e saj kushtetues”, tha ndër të tjera Osmani, transmeton Zeri.info.
“Faces of Democracy” ka zhvilluar një bisedë edhe me Vasfije Krasniqi-Goodmanin, e cila u ka thënë atyre se viktimat e luftës në Kosovë ende shpresojnë për drejtësi, por se janë të zhgënjyer me Hagën.
Osmani është pyetur nëse sistemi ndërkombëtar penal është thjesht një tigër pa dhëmbë.
“Pajtohem plotësisht me Vasfijen. Sistemi i drejtësisë, si brenda, ashtu edhe jashtë, ka dështuar në raport me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Bërja e drejtësisë për viktimat tona të luftës është parakusht i paqes së qëndrueshme dhe i pajtimit. Besoj se llogaridhënia bie fort në pragun e Serbisë. Derisa qeveria serbe të mos përballet me të kaluarën dhe me realitetin e saj, ne s’mund të kemi drejtësi përmes asnjë sistemi. Është koha që udhëheqësia në Serbi të lirohet nga mentaliteti i Milosheviqit dhe të ndalojë së mohuari krimet që i ka kryer në Kosovë dhe në vendet tjera të ish-Jugosllavisë”, deklaroi u.d. e presidentes, Vjosa Osmani.
Ndër të tjera, Osmani flet edhe për demokracinë dhe vlerat demokratike. Ajo thotë se “demokracia është liri dhe liria është demokraci”.
“Gjithmonë kam jetuar me këtë deklaratë, mbi këtë e kam ndërtuar karrierën time politike. Historia e Kosovës ka qenë dëshmitare e anës më të errët të njerëzimit kur demokracia dhe liritë u tërhoqën. Për këtë arsye ne, qytetarët e Kosovës, i çmojmë vlerat demokratike aq shumë dhe për çka unë do të vazhdoj të luftoj kur ato sfidohen”, theksoi ajo.
Rreth zgjedhjeve në SHBA, gjegjësisht rreth zgjedhjes së Joe Bidenit president dhe Kamala Harrisit zëvendëspresidente, Osmani thotë se populli i Kosovës është gëzuar jashtë mase.
“Republika jonë e re gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht shumë e privilegjuar që ka pasur mbështetjen dypartiake të SHBA-së. Por nuk është befasi se populli ynë është i gëzuar shumë me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me zëvendëspresidenten Harris. Presidenti Biden ka qenë zëri ynë kur nuk kishim zë gjatë viteve të ’90-ta dhe ka qenë mbështetës i madh i pavarësisë sonë dhe i përpjekjeve tona të fundit për ta forcuar shtetësinë tonë. Prandaj, jam e bindur se ai do ta gjejë kohë për t’u angazhuar me çështjet me të cilat përballet Kosova sot”, tha mes të tjerash Osmani.
Pandemia ka pasur ndikim shkatërrues në shëndetësi dhe ekonomi në mbarë botën, e për fat të keq edhe në Kosovë. Osmani thotë se pa një sistem të duhur dhe funksional shëndetësor “ne natyrisht se e kemi parë këtë periudhë sfiduese, por kjo vetëm sa më ka bindur më shumë se ne duhet të investojmë në sistemin tonë shëndetësor për të siguruar se e kemi rrjetin e duhur të sigurisë për qytetarët tanë”.
“Unë jam e etur për të punuar me institucionet ndërkombëtare dhe aleatët tanë për të siguruar që ne të kemi një program vaksinash sa më shpejt të jetë e mundur fizikisht”.
Ajo në fund shprehu edhe qëllimin e saj për ta parë Republikën e Kosovës si shtet funksional, të lirë nga korrupsioni dhe si një demokraci vibrante.
“Një vend ku sundimi i ligjit ka kuptim të vërtetë dhe ku të gjitha institucionet funksionojnë në favor të qytetarëve dhe në arritjen e nivelit më të lartë të integritetit institucional. Natyrisht një vend i njohur nga të gjitha qoshet e botës”, deklaroi ajo në fund të kësaj interviste. /Zëri


