Kurti në takim me ambasadorin zviceran: Detyra jonë e parë do të jetë sigurimi i vaksinës anti-COVID
Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka zhvilluar takim me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ku ky i fundit ka shprehur interesim të dijë më shumë rreth prioriteteve të qeverisë së re.
Përmes një postimi në “Facebook”, nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se Kurti ka theksuar se detyra e parë e si ekzekutiv i vendit do të jetë sigurimi i vaksinës kundër COVID-19.
“Detyra e parë e jonë si ekzekutiv do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19, në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejt, e për këtë besojmë se shtetet mike do na ndihmojnë”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, çështja tjetër që Kurti ka përmendur në takim me Kollyn është edhe çështja e ekonomisë dhe drejtësisë.
“Ne jemi të interesuar të krijojmë mundësi të reja që diaspora jonë, biznesmenët tanë, dhe investitorë të huaj, t’i orientojnë investimet e tyre edhe në Kosovë. Në këtë pikë, ashtu si edhe në çështje që lidhen me drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend, ne besojmë se bashkëpunimi mes dy shteteve tona do të sjell rezultate të frytshme”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti./Zëri
Postimi i plotë:
Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly, të shoqëruar nga zv. ambasadorja, znj. Pauline Menthonnex Gacaferri, këshilltari për siguri, Vincent Hug, dhe drejtoresha e Swiss Cooperation Office, znj. Katharina Stocker, e priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, së bashku me deputetin e legjislaturës së re, Arben Vitia, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.
Ambasadori z. Kolly e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fitoren në zgjedhje. Duke i dëshiruar sukses në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja, ai shprehu interesim të dijë më shumë rreth prioriteteve të qeverisë së re. Kryeministri në ardhje, z. Kurti e falënderoi për vizitën dhe urimin, si dhe ndau disa prej prioriteteve që mes tjerash prekin dhe thellojnë bashkëpunimin e mirë mes dy shteteve tona. Detyra e parë e jonë si ekzekutiv do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19, në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejt, e për këtë besojmë se shtetet mike do na ndihmojnë, tha Kurti. Së dyti, është çështja e ekonomisë dhe drejtësisë. Ne jemi të interesuar të krijojmë mundësi të reja që diaspora jonë, biznesmenët tanë, dhe investitorë të huaj, t’i orientojnë investimet e tyre edhe në Kosovë. Në këtë pikë, ashtu si edhe në çështje që lidhen me drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend, ne besojmë se bashkëpunimi mes dy shteteve tona do të sjell rezultate të frytshme, tha Kurti. Në këtë linjë, ambasadori, z. Kolly, theksoi mbështetjen e shtetit Zviceran për të kontribuar në shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë. Në fund, të dyja palët u dakorduan që ta shtojnë e zgjerojnë bashkëpunimin mes dy qeverive tona në të ardhmen.


