Madhështia e kremtimit të pavarësisë në uniformën e FSK-së
“Madhështia e popullit tonë është në madhështinë e secilit prej jush, të gjithë bashkë jemi gardianë të Republikës së Kosovës”, janë fjalët që ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani i ka adresuar sot para pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
FSK-ja me trupat e saj sot është rreshtuar para udhëheqësve shtetërorë në kazermën “Adem Jashari”, ku është mbajtur manifestimi qendror i kremtimit të pavarësisë së Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është formuar më 21 janar 2009, pas shpërbërjes së TMK-së (Trupave Mbrojtëse të Kosovës).
Më 2018-n Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro, një abstenim, nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Aty u miratuan: Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /Zëri/



