Vëllezërit Berisha rrugës për Kosovë, tronditet Norvegjia
Vëllezërit Berisha e kanë vënë në siklet Norvegjinë. Valoni e Vetoni nuk garantojnë se do të vazhdojnë të luajnë për shtetin skandinav, duke e lënë shumë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar Kosovës. Edhe vetë norvegjezët po i shikojnë Valon e Veton Berishën duke shkuar rrugës së Bersant Celinës, ish-reprezentuesit të ri norvegjez, i cili tani është yll i ekipit kosovar.
Kosova është në pritje të yjeve të saj. Pranimi në UEFA e FIFA i ka shtuar gjasat që futbollistët më të njohur kosovarë që luajnë për Përfaqësueset tjera, t’i bashkohen reprezentacionit të Kosovës, shkruan sot Gazeta Zëri.
Në listën e dëshirave të përzgjedhësit Albert Bunjaki janë edhe dy vëllezërit Valon e Veton Berisha, të cilët luajnë për Norvegjinë.
Vëllai i vogël, Vetoni, të dielën madje shënoi gol në miqësoren me Belgjikën. Dhe, norvegjezët kanë filluar të frikësohen se mund t’i humbin dy vëllezërit, të cilët janë lojtarë të rëndësishëm të përfaqësueses skandinave.
Nga ana e tyre, dy futbollistët nuk kanë vendosur ende rreth së ardhmes së tyre. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë të qëndrojnë te Norvegjia, por as nuk ia mbyllin dyert Kosovës.
“Ne nuk kemi vendosur, kështu që nuk e dimë ende se kur do ta bëjmë këtë. Do të vendosim së bashku, do ta marrim vendimin e duhur”, ka thënë Valoni, i cili luan në Red Bull Salzburg.
Kur Vetoni shënoi, ai shkoi te Valoni për të festuar. Andaj, ky i fundit thotë se gjithmonë, vëllai i tij i vogël, që luan në Greuther Furth, i ndjek hapat e tij.
“Ne jemi vëllezër, miqtë më të mirë dhe e duam njëri-tjetrit. Natyrisht, ai erdhi të festojë me mua dhe do ta ndjek rrugën time, për çfarëdo vendimi që unë marr”, vazhdoi Berisha.
Berisha: S’mund të premtoj se do të vazhdoj me Norvegjinë
Veton Berisha nuk premton se do të vazhdojë të luajë për Norvegjinë, përkundër golit që e shënoi. Ai është pyetur nga mediat norvegjeze pas ndeshjes me Belgjikën, duke lënë gjithçka pezull sa i përket së ardhmes së tij.
“Për momentin jam te Norvegjia, ndoshta edhe në të ardhmen. Por, unë nuk mund të premtoj asgjë. Nuk kam menduar shumë për këtë punë, edhe pse gjithmonë kam dashur të luaja për Norvegjinë. Të shohim”, deklaroi 22-vjeçari për “TV2 Sport”, tyransmeton Zëri.
Valoni, krenar me Vetonin
Valoni ndihet krenar për vëllain e tij, i cili ka përparuar shumë kohëve të fundit. “Ishte një gjuajtje e mirë dhe një gol perfekt, Vetoni më ka bërë krenar. E dua vëllain tim, jemi miq shumë të mirë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, brenda dhe jashtë fushës. Vetoni ka punuar shumë dhe e meriton këtë sukses”, thotë Berisha senior.
“Ne kemi punuar së bashku shumë për ta bërë një vend në ekipin kombëtar. Por, vendimin se cilin vend do ta përfaqësojmë në të ardhmen, do ta marrim së bashku”, vazhdon Valoni.
Edhe Vetoni ndihet mirë që shënoi ndaj belgëve. “Ishte një ndjenjë shumë e mirë, ndoshta më e mira që e kam pasur ndonjëherë. Ishte e bukur të shënoja gol me përfaqësuesen”, përfundoi Berisha junior.
Edhe përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, në njëfarë mënyrë e ka pranuar se llogarit në të ardhmen në vëllezërit Berisha. “Po, ka lojtarë mjaft të mirë në disa vende si Zvicër, Shqipëri, Norvegji, Suedi e Gjermani. Nuk e di nëse do të vijnë te ne, por do t’i mirëprisnim. Është një zgjedhje e tyre”, ka thënë trajneri kosovar për mediat norvegjeze.
E mediat norvegjeze, por edhe futbollistët e kësaj përfaqësueseje, frikësohen shumë se mund t’i humbnin dy “luftëtarët” e tyre, të cilët mund t’i bashkohen vendit të prindërve të tyre – Kosovës./Zëri/


