Tri vite pa gazetarin e themeluesin e Radio Star, Xhavit Salihun
Nga Sylejman Ismajli – Të shkruash për një ngjarje të rëndomtë nuk është vështirë, të përcjellësh një aktivitet nuk është vështirë, por të shkruash për një shok, për një gazetar e themelues të kulturës është tepër vështirë.
Gjatë tërë jetës jam njohur me gazetarin e themeluesin e Radio Star, Xhavit Salihun, i cili ishte dhe do të mbetet një vizionar i gazetarisë, i kulturës e mbi të gjitha me virtytet e tija të larta njerëzore e profesionale, ai ka lënë gjurmë të pashlyera kudo që u paraqit me profesionin e tij të gazetarisë.
Xhaviti ishte një qytetar i devotshëm i këtij vendi, ai që në fëmijëri e deshti muzikën, kulturën e artin, Xhaviti ishte edhe koleksionues i disqeve të gramafonit me këngëtarët më me zë të kohës.
Xhaviti me të madhe e deshti zejen e gazetarisë, nga dashuria e tij ndaj mediumeve ai me shumë profesionalizëm themeloi Radio Star plot para 18 vite, duke i shtuar popullit të tij një dritare informative.
Ishin këto valët 96,4 ku jehonin në territorin e Anamoravës me emisione të larmishme. Kjo radio u bë familje e dytë në shoqërinë tonë për cilësinë dhe seriozitetin që kishte ky medium.
Për ish-gazetarin Xhavit Salihun hapja e një mediumi të tillë kishte emancipimin e edukimin e shoqërisë e informimin e drejt tek dëgjuesit e saj të rregullt.
Ish-gazetari Xhavit Salihu po jetësonte një ëndërr të femërisë së tij duke qenë besnik i madh i shoqërisë kosovare me punën që po bënte në radion e tij, edhe pse në kushte të vështira të asaj kohe Xhaviti nuk ndahej me ditë të tëra nga studio e tij me të vetmin qëllim që dëgjuesit e Radio Star të jenë të kënaqur me atë se qka ofronte me programet e tija.
Xhavit Salihu në jetën e tij kishte një ëndërr që Radio Star të jetë një gurëthemel i diturisë e edukimit të brezave të ndryshëm, dhe këtë e arriti me shumë sukses pasi pas ti la dy djem e tij shumë të talentuar Arbresh e Flakron Salihu, të cilët jo që po trasojnë rrugën e prindit të tyre por kanë modernizuar Radio Star me mjetet më bashkëkohore, dhe në kohën e digjitalizimit botëror sot ata pa asnjë pengesë në tërë rruzullin botëror dëgjohet me kënaqësi valët 96.4 të Radio Star.
Radio Star sot ka të përmbushura të gjitha kriteret e kërkuara nga KPM me staf e teknologji më të lartë të kohës.
Xhavit Salihu tani e tri vite na mungon çdo ditë jo vetëm shoqërisë e familjes së tij por edhe dëgjuesve të cilët i shoqëroi plot 15 vite, e ne do të jemi krenar që një jetë të tillë e kaluam me një njeri të kulturuar e vizion të qartë siç ishte gazetari, Xhavit Salihu.


