Fundamenti

Masakra e Reçakut është terrorizëm shtetëror

/ 12 minuta lexim
Hidromorava

Nga Remzije (Jashar) Zekolli – Më 15 janar 1999 ngjarja që ndodhi në Reçak tronditi opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Rreth kësaj ngjarje reaguan burrështetas si Bill Klinton, Toni Bler, Vilian Voker, Medlin Ollbrajt etj. U vranë 42 civil dhe 12 ushtarë, burra e gra, e gjithë kjo u krye në mënyrën më barbare, dhuna e ushtruar ndaj tyre e tejkalonte kohën e mesjetës.

Edhe gjatë historisë na janë të njohura terroret shtetërore që pushteti i ka ushtruar qoftë ndaj kundërshtarëve të tyre politik dhe popullsisë civile, të tillë janë: terrori i bardhë në Rusinë Cariste, terrori i kuq, në kohën e sundimit të Stalinit, terrori fashist në Spanjë dhe Itali, terrori nazistë në Gjermani gjatë sundimit të Hitlerit, terrori sllavo –serb në kohën e Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Serbia terrorin shtetëror ndaj popullit shqiptarë e ka ushtruar jo vetëm gjatë luftës së armatosur 1998 – 1999 por edhe në herët prej vitit 1945, 1958, 1968. 1981, 1990, terrorizmi shtetëror serb arriti kulmin me masakrat që i shkaktoi anë e mbanë Kosovës si: Likoshan, Abri, Reçak, Studime, Izbicë, Rogovë, Dubravë etj.

Është terrorizëm shtetëror sepse pushteti serb ka ndërmarr akte të dhunës që kanë futur frikë dhe trishtim tek popullata duarthatë e Reçakut. Pushteti i regjimit të Millosheviqit vetë ndërmerrte ose instrumentalizonte grupe të veçanta terroriste e të armatosura, të cilat ushtronin terror kundër popullatës civile shqiptare të fshatit.

Gjatë masakrës në Reçak në rradhët e popullsisë civile janë torturuar 12 fshatar. Me këtë rast forcat serbe kanë shkelur Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të cilën e kanë miratuar qeveritë e Këshillit të Evropës më 4 nëntor 1950 në Romë.

Kjo konventë ka hyrë në fuqi më 3 shtator 1953. Neni 3 i kësaj Konvente decidivisht përcakton: Askush nuk mund ti nënshtrohet torturës, as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose degraduse1.

Ndërkaq Konventa kundër torturës dhe dënimeve apo trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore apo degraduse, e cila është aprovuar më 10.12.1984 nga Asambleja e përgjithshme e OKB me termin torturë nënkupton: Çdo veprim me anë të të cilit një personi i janë shkaktuar me dashje dhembje ose vuajtje të rënda fizike ose psiqike, me qëllim për të marrë prej tij ose prej tjetrit informatë ose pohim, për ta frikësuar, ose për të bërë presion mbi të, ose për ta frikësuar apo për të bërë presion mbi një person tjetër ose për çdo motiv tjetër të bazuar në një formë të çfarëdollojshme, kur një dhembje e tillë ose vuajtje e tillë janë shkaktuar nga një person ose nga çdo person tjetër me titull zyrtar ose me nxitjen e tij ose me miratimin e tij të shprehur ose të heshtur2. Nga përkufizimi kuptojmë se në Reçak personat zyrtarë serb polic, ushtarak kanë ushtruar torturë tek fshatarët, me dhunë kanë nxjerr deklarata për të marrë informacione për pozicionet e UÇK-së, u kanë shkaktuar dhimbje, vuajtje, për ta arsyetuar masakrën, gjoja kanë kërkuar informacione për luftëtarët e lirisë.

Në Reçak janë manifestuar këto akte të terrorit shtetëror:
• vrasje masive të shqiptarëve, në Reçak janë vrarë 53 persona prej tyre 42 civilë, 9 ushtarë ditën e masakrës dhe dy ushtarë njëri komandat brigade Ahmet Kaqiku dhe Vezir Jashari ushtarë të cilët bien në mbrojtje të kufomave, të dy gjinive dhe të moshave pleq, të rinjë dhe fëmijë, plagosje të më se 15 civilëve.
• torturimi si formë e terrorit shtetëror, ne Reçak ditën kur është shkaktuar masakra janë torturuar 12 civil të pafajshëm.
• Dëbimi masovik i fshatarëve nga trojet e tyre etnike. Sipas të dhënave që i mora nga buletini i redaktuar nga Ahmet Qeriqi, Ruzhdi Jashari dhe Bajram Dabishevci, i cili ishte botuar pas luftës vetëm për masakrën e Reçakut, fshati kishte 2400 banorë ndërsa pas masakrës një kohë kishin mbetur vetëm 5 pleq.
• veprat e dhunshme kundër pasurisë si, djegje të shtëpive, 54 shtëpi të djegura, me këtë rastë është shkelur neni 17 i Deklaratës për të Drejtat e Njeriut e të Qytetarit e miratuar nga ana e Kuvendit freng Kushtetues menjëherë pas shpërthimit të revulucionit freng 1789 Meqë pronësia është e drejtë e pacenueshme dhe e shejtë, askush nuk mund të privohet nga pronësia përveç nëse këtë e kërkon qartazi nevoja publike e përcaktuar me ligj dhe me kushtetutë të kompensimit të drejtë paraprak3.

Shtëpitë e banorëve iu janë djegur dhe ende nuk kanë marrë kurrfarë dëmshpërblimi. As qeveria e tashme e Serbisë nuk e ka dënuar masakrën e Reçakut, e cila edhe sot kur e kujtojmë na rrënqeth trupin dhe asnjë masakër tjetër të shkaktuar në Kosove dhe as që ka kërkuar falje për të vrarët gjatë luftës e lëre më të kompensoj dëmet e shkaktuara nga lufta në tërë territorin e Kosovës.

Me anë të terrorit, pushteti i atëhershëm serb ka pasur për qëllim që me anë të depërtimit masiv të arrij pastrim etnik të trojeve shekullore të fshatit Reçak. Sipas dëshmitarëve, pas masakrës fshati u zbraz nga popullsia. Mbetën vetëm pesë pleq të cilët kujdeseshin për bagëtinë e fshatit. Në këto momente po më kujtohet një maksimë makiavele “qëllimi arsyeton mjetin”.

Në Reçak sipas dëshmive të dëshmitarëve vërejmë se ka elemente të gjenocidit, të cilin pushteti serb e ka ushtruar në dy forma:
• vrasje të qëllimshme të shkatërrimit të pjesëtarëve të grupit, në rastin e Reçakut pjesërisht, sepse popullata civile e kishte lëshuar me kohë fshatin. Vrasja e civilëve është bërë me qëllim që popullata civile të frikësohet dhe ta braktisë fshatin.
• nënshtrim me vetëdije, banorët e këtij fshati i ka nënshtruar, pra ata, të cilët kanë arritur t’i zënë në fshat. Konventa për Parandalimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me rezolutën 260A(III) me 9 dhjetor 1948 e cila ka hyrë në fuqi më 12 janar 1951 me gjenocid nënkupton cilëndo nga veprimet e mëposhtme, të kryera me qëllim për të shkatërruar, qoftë tërësisht qoftë pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor a fetar si të tillë;
a)vrasje të anëtarëve të grupit;
b)cenim i rëndë i integritetit fizik a mendor të anëtarëve të grupit;
c)nënshtrim me vetëdije i grupit në kushte të tilla jetese që qojnë në shkatërrimin e tij fizik të plotë a të pjesshëm4.

KKVITI

Pushteti shtetëror me masakrimet që i ka bërë civilëve në Reçak ka cenuar rëndë integritetin trupor me vrasje, masakrime dhe integritetin mendor te tyre, pasi që kanë parë trupat e të masakruarve shume banorë të fshatit kanë pësuar trauma të rënda.
Këto krime që pushteti serb i ka kryer në Kosovë janë të ndëshkueshme sipas konventave ndërkombëtare të cilat i ka aprovuar OKB- ja, Këshilli Evropian.
Tribunali i Hagës duhet të bëjë ndjekjen dhe gjykimin e kriminelëve për krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan Viliam Voker gjatë vizitës që i bëri vendit të ngjarjes e alarmoi opinionin botëror, e quajti krim kundër njerëzimit, i cili ndodhi në fund të shekullit të XX. Ai në konferencën për shtyp për gazetarë pat thënë: “Tërë atë që kam parë, mund ta përshkruaj si një masakër, apo krim kundër njerëzimit. Me këtë rast as që po ngurroj për t’i akuzuar forcat e sigurimit të qeverisë serbe, të cilat duhet t’i tregojnë emrat e të involvuarve në këtë operacion, se kush e ka dhënë urdhrin dhe në fund sipas mundësive, kërkojmë që brenda 24 orëve të ardhshme Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte të vijë për ta hulumtuar këtë vepër shtazarake”5.

Neni IV i Konventës për parandalimin dhe ndjekjen e krimit e të gjenocidit shkruan:” Personat që kanë kryer gjenocid apo çfarëdo nga veprat tjera të renditura në nenin III do të ndëshkohen, qofshin ata qeveritarë, funksionarë apo persona të veçantë.

Në paragrafin 98 TPI ndër të tjera thuhet; “Duke filluar nga janari i vitit 1999 forcat e RFJ dhe të Serbisë, duke vepruar nën drejtimin me nxitje apo përkrahjen e Sllobodan Millosheviqit, Milan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Vlajko Stoikoviqit, kanë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës dhe kanë shkaktuar vdekjen e shumë pleqve, grave dhe fëmijëve. Në vrasje masive përfshihem këto raste: Më 15 janar 1999 apo rreth kësaj dite, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak i Shtimjes, u sulmua nga forcat e RFJ dhe të Serbisë. Pas granatimit nga njësiti i UJ, policia serbe hyri në fshat më vonë, në orët e pasditës dhe filloi bastisjen e shtëpive. Fshatarët të cilët kërkonin të iknin prej policisë serbe, u vranë kudo në fshat. Një grup prej afro 25 meshkujve, u përpoqën të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe. Ata u rrahën e pastaj u quan në një kodër të afërt të Reçakut. Forcat e RFJ dhe të Serbisë vranë rreth 45 shqiptarë civil në Reçak”.

Diktatori Millosheviq do të japë përgjegjësi jo vetëm për masakrën e Reçakut por edhe për masakrat të bëra në Kroaci dhe në Bosnjë6. Edhe nga kjo pjesë e aktakuzës së TPI mund ta mbështes konstatimin tim se me masakrën e Reçakut Serbia ka shkaktuar terror shtetëror.

Në masakrën e Reçakut është shkelur çdo konventë ndërkombëtare, janë keqtrajtuar robërit e luftës, personeli ushtarak i UÇK – së, na është e njohur drama e kufomave të Reçakut, ku UÇK- ja bëri luftë që kufomat të mos bien në duart e kriminelëve, me anë të të cilave Serbia dëshironte ti fshehë gjurmët e krimit. Fshatarëve të Reçakut nuk iu lejohej varrimi me dinjitet i kufomave më 11 shkurt u kumtua lajmi se më 12 shkurt do të bëhej varrimi i kufomave, siç jemi të informuar nga mjetet e informimit në varrimin e viktimave të Reçakut ushtruar nga terrori shtetëror kanë marrë pjesë mëse 30.000 qytetarë të Kosovës.

Kjo ngjarje të cilën pa ngurrim po e quaj terrorizëm shtetëror që tronditi botën, pati jehonë të madhe. Menjëherë pas saj që ndodhi në Reçak, qendrat e vendosjen filluan ta intensifikojnë aktivitetin e tyre diplomatik. Nuk është e tepërt të theksoj se tragjedia e Reçakut solli deri te Konferenca e Rambujes, ku faktori ndërkombëtarë vendosi intervenim ushtarak të trupave të NATO- s. Këshilli i Sigurimit i OKB nxori rezolutën 1244 ku Kosova vihej në administrim civil ndërkombëtar.

Më 12 Qershor hynë trupat e NATO -së, në Kosovë, e cila ishte shkatërruar nga lufta, Kosova tani po frymonte lirshëm pa polici dhe ushtri të okupatorit serb, populli me pijetet i kujton viktimat e pafajshme të të gjitha viseve të Kosovës. Siç po shihet Serbia gjatë luftës në Kosovë ka shkelur të gjitha Konventat dhe Deklaratat ndërkombëtare të cilat i ka ratifikuar edhe vetë, Ka bërë krime kundër njerëzimit, gjenocid, terror shtetëror prandaj edhe në tribunalin e Hagës ka zënë vendë të merituar edhe masakra e Reçakut.

Këshilli i Sigurimit i OKB dhe Aleanca Veri- Atlantike intervenuan për ti ndalur dhe penguar krimet kundër gjenocidit të popullsisë civile, gjithnjë e kishin të qartë dhunën, krimet dhe terrorin shtetëror që ushtroi Serbia kundër popullit shqiptar.
Çdo veprimi të armatosur iu dha fund më 12 Qershor 1999, ndërsa më 17 Shkurt 2008 u aprovua vullneti i popullit të Kosovës për Pavarësi.

Sakrifica e madhe e popullit shqiptarë u kurorëzua me njohjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës nga mëse 110 shtete. Por mbetet sfidë shtrirja e plotë sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të territorit të Kosovës e cila po barrikadohet nga bandat kriminale serbe.

Edhe faktori politik vendor dhe ndërkombëtarë duhet të punojnë më shumë për shpërbërjen e strukturave paralele dhe kriminale të cilat ende po veprojnë në Kosovë.
Këta faktorë duhet të jenë më të vendosur në luftimin e këtyre strukturave që po i shkaktojnë dëm shtetit tonë./rajonipress/