Mobi Casa

Dy qeveritë e fundit në Kosovë nën hijen e përplasjeve për postin e presidentit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ende pa u bërë 100 ditë në krye të qeverisë, koalicioni mes LDK-së e AAK-së po tregon luhatje të fuqishme dhe mospajtime të thella për çështje të ndryshme nacionale.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po e “kërcënon” LDK-në, se nëse nuk i jipet posti i presidentit, ajo do të dalë nga koalicioni, shkruan lajmi.net.

Një gjë të tillë e la të kuptohet vet kreu i AAK-së gjatë ditës së sotme, Ramush Haradinaj.

“Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve. Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenurit në tavolinë aty ku merren vendimet”, deklaroi sot ai.

Një kërkesë e tillë nga AAK vije në një periudhë të paqartë politike, pas aktakuzave të Speciales të publikuara kundër presidentit aktual, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Sidoqoftë, nga LDK nuk po e përfillin paralajmërimin e AAK-së, ndërkaq kjo çështje pritet të diskutohet në takimin e së hënës mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Lexo edhe:

Haradinaj konfirmon se takimi me partnerët e koalicionit është shtyer për të hënën

UBT

E posti i presidentit ishte bërë mollë sherri edhe mes VV-së dhe LDK-së. Kjo e fundit, para arritjes së koalicionit me partinë e Kurtit, kërkonte me ngulm që kjo pozitë t’i rezervohej, ndërsa për të njëjtën ishin përfolur disa emra në Lidhjen Demokratike të Kosovës, përfshirë edhe vet kryetarin, Isa Mustafa.

Çështja e presidentit në fakt kishte qenë arsyeja kryesore pse arritja e koalicionit mes VV-së e LDK-së ishte shtyer në maksimum, me negociatat që kishin zgjatur me muaj mes këtyre dy partive.

Sidoqoftë, koalicioni ishte arritur, dhe pozita e presidentit ishte lënë të zgjidhej në momentin kur edhe vjen koha, në përfundim të mandatit të presidentit Thaçi.

Atë kohë, nga njohësit e rrethanave politike ishte vlerësuar se brishtësia e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, do të bënte që pozita e presidentit dhe përplasjet rreth tij, të shkaktojnë rënien e qeverisë, që megjithatë u rrëzua vetëm 50 ditë pas formimit.

Aktualisht, në karrigen e presidencës është ish-kryeministri Hashim Thaçi. Mandati i këtij të fundit përfundon në prill të vitit të ardhshëm, mirëpo që në rast të konfirmimit të aktakuzës nga Specialja, Thaçi mund ta lëshojë zyrën e presidencës më herët se sa që është pritur.

Si mundësi e arritjes së shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, është përmendur edhe hyrja e PDK-së në qeveri, mundësi kjo që nga partia e Veselit është përjashtuar.

​Memli Krasniqi: S’ka negociata për përfshirjen e PDK-së në qeveri

Ndërkaq, nga AAK, mirëpo edhe nga Nisma e kanë mirëpritur mundësinë që PDK të jetë pjesë e qeverisë, pasi që sipas tyre vendi po përballet me një periudhë të vështirë, në të cilën i duhet konsensus nacional /Lajmi.net/