Ministrat e dështuar të rrinë shlirë
PDK-ja konfirmon riformatim kozmetik në Qeveri. Pavarësisht mungesës së rezultateve, nuk ka ndëshkime politike
Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedimeve ndryshimi gjeneral i ministrave, por vetëm pozita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, që i mbante Thaçi para se të zgjidhej president
Mosgjetja e një kompromisi mes partnerëve në koalicion, PDK-së dhe LDK-së, për të gjetur formulën më të përshtatshme të riformatimit të kabinetit qeveritar, përmes një vlerësimi real të punës së deritanishme të ministrave, në kohën kur po pritet të bëhet plotësimi i dy pozitave të liruara nga zgjedhja e Thaçit president, duket se nuk do t’ua prish terezinë krerëve të ministrive, përfshirë edhe ministrat e partive më të vogla, që janë në koalicion me PDK-në. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedimeve ndryshimi gjeneral i ministrave, por janë çështje normale që po diskutohen mes partnerëve qeverisës dhe brenda subjektit politik që i takojnë pozitat e liruara me zgjedhjen e presidentit, ato që me kohë do të zëvendësohen. “Puna është te plotësimi vetëm për ato dy pozita. Në ato dy pozita do të emërohen njerëzit dhe mbaron puna”, ka pohuar sekretari Musmurati.
Për riformatimin pyeten ndërkombëtarët
Se aktualisht nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim me bazë të gjerë e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Pushtetit Lokal nga radhët e LDK-së, Bajram Gecaj. “Deri tash nuk kam parë indikacione se do të ketë një riformatim të gjerë të Qeverisë”, ka thënë Gecaj. Ai thotë se kryeministri Mustafa ka thënë edhe më herët se do ta vlerësojë punën e ministrave dhe do të shohë se si po funksionon, edhe kjo ideja e riformatimit më të gjerë nuk përjashtohet.
Ai ka konfirmuar se për performancën e ministrave vazhdimisht bisedohet edhe gjatë takimeve të kryeministrit me zyrtarë të përfaqësive ndërkombëtare në Kosovë, të cilët janë të interesuar të shohin një qeverisje të mirë dhe stabile në vend, por nuk ka ndonjë kërkesë të tyre për imponim të ndryshimeve me bazë të gjerë. “Nuk kemi ne ndonjë kërkesë të tillë për riformatim, ndonëse ne në vazhdimësi bisedojmë edhe me faktorin ndërkombëtar për performancën e ministrive të ndryshme, sepse edhe ata vazhdimisht kanë punë me ta, por kështu ndonjë kërkesë për riformatim me bazë të gjerë të qeverisë nuk e ka pasur”, ka pohuar Gecaj./kosova sot/


