“Legjenda” dhe veprimtaria e saj gjatë luftës në Kosovë
Gjilan – Shoqata “Legjenda” në Viti është e formuar në mars të vitit 1995. Kjo shoqatë është e dyta organizatë që ka vepruar në Kosovë dhe e para në Regjion. Përveç misionit dhe vizionit të saj, Shoqata “Legjenda” ka vepruar ilegalisht në tërë territorin e komunës së Vitisë, por pati një shtrirje të gjerë dhe mobilizim të madh për situatën e pritur, e cila sa vije dhe thellohej në Kosovë. Aktivistët e Shoqatës në fjalë, pavarësisht vështirësive, gjatë veprimtarisë ilegale, ajo nuk u zmbraps dot nga rrethanat e krijuara të luftës, por si të tëra qëndruan brenda në Kosovë edhe zhvilluan aktivitetin e mundshëm të tyre në rrethana të jashtëzakonshme edhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet barbare serbe.
Aktivistët e kësaj Shoqate, gjatë veprimtarisë së tyre, e kanë pasur të vështirë kalimin nëpër post-blloqet policore serbe. Shpesh kanë qenë të kërcënuar me likuidim. U ballafaquan me kontrolla të ndryshme, maltretime dhe keqtrajtimeve psikike nga ata, ndaj të cilëve filloi zhvillimi i hetimeve dhe pati raste të shpëtimit nga kidnapimet e mundshme. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, Shoqata ,,Legjenda” bashkëpunoi ngushtë me shumë organizata ndërkombëtare, humanitare dhe për të drejtat e njeriut, siç janë: OXFAM, IRC, UNHCR, STAR DELFI, FONDI GLOBAL, CAD DIFID, FEED THE CHILDREN, UNICEF, KISHA NORVEGJEZE, e të tjera, përmes të cilave siguroi disa ton ndihma humanitare për ndihmë popullatës në përgjithësi.
Ndërkaq në kontaktet e herë pas hershme me OSBE-në si vëzhguese në Kosovë, stafi i “Legjendës” ka paraqitur gjendjen reale të krijuar edhe në komunën e Vitisë në atë kohë.
Ndërkaq, në bashkëpunim të ngushtë si ekip e përbashkët edhe me aktivistët, në kuadër të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, dega në Viti, vepruan si motra në strehimin e të zhvendosurve nga viset e tjera të Kosovës në shumë vendbanime të komunës së Vitisë në bartjen e tyre, në sigurimin e mjekëve dhe kontrollave mjekësore si dhe në ofrimin e ndihmave për popullatën që gjendej përbrenda komunës së Vitisë.
Duke mos anashkaluar themelet e këtij mobilizimi nga viti 1995, përfaqësueset e “Legjendës”, për Vitia Live, u fokusuan vetëm në periudhën e luftës 1997-1999, e cila padyshim ishte sfiduese për veprimtarinë e saj në atë kohë duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave të krijuara nga okupatori serb, nga sinjalet e para që Kosovës i vije aromë lufte, gjatë bombardimeve të NATO-s, e deri në përfundimin e saj dhe të trajtimit në fusha të ndryshme të pasojave të luftës që pasuan edhe në komunën e Vitisë.
Derisa shumë aktivitete zhvilloheshin ilegalisht nëpër shtëpi private në shumë vendbanime të komunës,,Legjenda” nga 1997, arriti që aktivitetin e saj ta koordinoj në kuadër të një zyreje të kontabilitetit në Viti. Në mesin e shumë aktiviteteve të tjera, aktivistët e Shoqatës në fjalë, përmes trajnimeve të ndryshme arritën të përgatiten në një farë mënyre për rrethanat e luftës. Fillimisht, që në vitin 1997, është trajnuar stafi për trajtimin psikologjik të fëmijëve nga traumat e luftës, si dhe trajnimin e stafit dhe aktivisteve për ndihmë popullatës së zhvendosur, përfshirë këtu strehimin, trajtimin psikologjik e social të tyre, sjelljen adekuate, bartjen, ofrimin e ndihmave në raste të lëndimeve shpirtërore apo fizike si nga plagosjet apo thyerjet e ndryshme gjatë dëbimit
nga forcat paramilitare e ushtarako serbe në Kosovë. Në verën e vitit 1997, “Legjenda”, në 12 vendbanime të komunës së Vitisë realizoi kursin e ndihmës së parë, ku aftësoi rreth 200 vajza të reja në këtë lëmi për daljen në ndihmë të popullatës , të cilat në atë kohë janë pajisur edhe me libreza.
Në vitin 1998/9, aktivistet e shoqatës bënë regjistrimin e popullatës në komunën e Vitisë dhe regjistrimin e numrit të grave shtatzëna, numrin e fëmijëve duke i kategorizuar nga 1-3 vjeç, si dhe regjistrimin e numrit të personave të moshuar dhe atyre të hendikepuar.
Në vitin 98/99,,Legjenda” hapi dy (2) qendra të aktiviteteve, të koordinuara mirë nga zyra në Viti, ku falë bashkëpunimit me donatorët e lartpërmendur, ka arritur të bëj grumbullimin e disa ton ndihmave në këto 2 qendra, Viti e Tërpezë, dhe së bashku me Shoqatën “Nëna Terezë”, nga aty është bërë përgatitja dhe shpërndarja e pakove me gjëra të ndryshme ushqimore, me veshmbathje, me mjeteve higjieniko-sanitare etj, familjeve të ardhura në shumë fshatra të komunës së Vitisë nga zonat e tjera të prekura gjatë luftës në Kosovë. Ndihmë sipas nevojës iu është shpërndarë edhe te zhvendosurve të tjerë në Pozheranë, Sllatinë, Sodovinë e Tërpezë, popullatës pas dëbimit me dhunë nga shtëpitë nga komunat e tjera të regjionit si dhe familjeve të varfra dhe të lodhura materialisht në atë kohë, por që pa përjashtuar ndihmën indirekte edhe të pjesëtarëve të UQK-së ,të cilët kishin më afër pikat grumbulluese të ndihmave.
Përveç shpërndarjes së ndihmave, në qendrën e aktiviteteve ilegale në Tërpezë në të cilën ishte vendosur një pjesë e stafit të shoqatës, ndërtesa 3 katëshe ishte bërë edhe qendër e qëndrimit ditor të grave dhe fëmijëve të zhvendosur nga zonat e luftës e që ishin strehuar në shumë vendbanime të komunës së Vitisë, të cilat barteshin në qendër për tejkalimin e situatave posttraumatike, përmes shërbimeve shëndetësore e psikologjike.
Ndërkaq aktivitetet e tjera ,,Legjenda” i ka realizuar ilegalisht qoftë në objektet shtëpi-shkollë po edhe në shtëpitë e ndryshme private. Gjatë bombardimeve të NATO-s, edhe pse aktiviteti i aktivisteve ishte më pak i kufizuar, megjithatë ato përmes rrugëve të ndryshme ilegale ndaras i ofruan ndihmë popullatës si dhe vizituan disa vendbanime për grumbullimin e informacioneve dhe në kushte të jashtëzakonshme realizuan punëtori psikologjike për fëmijët e zhvendosur në shtëpitë e tyre në vendbanimet ku ato gjendeshin.
Me përfundimin e luftës në Kosovë, që në ditët e para, stafi i Shoqatës në fjalë, iu përvesh punës dhe në kushte të vështira në mungesë të zyrës në Viti, e cila ishte e plaçkitur tërësisht dhe demoluar nga paramilitares serb, bëri identifikimin e pasojave të luftës, si numrin e personave të zhdukur, vrarë, e të plagosur, shtëpitë e djegura dhe dëmtuara. Popullatës, konkretisht asaj të lodhur nga lufta i ofroi ndihmë humanitare në gjëra ushqimore e veshmbathje, trajtoi rastet e traumatizuara nga lufta përmes punëtorive psikologjike të realizuara në 13 fshatrat që ishin më të rrezikuara gjatë luftës, bashkëpunoi me mjekët përkatës për trajtimin e rasteve të rënda nga traumat si dhe aktivizoi 2 qendra të mëdha për aktivitete të ndryshme në Viti e Tërpezë.
Pavarësisht kontributit, vështirësive dhe rrezikshmërisë së aktivisteve në atë kohë, stafi i Shoqatës, sot e përshkruan si një veprimtari të organizuar mirë në rrethana të jashtëzakonshme, në forma të ndryshme në interes për vendin dhe popullin e saj. Andaj bazuar në privilegjet dhe rrethanat aktuale të kohës, stafi i Shoqatës ,,Legjenda” në Viti, tërheq vërejtjen se keqpërdorimi dhe përvetësimi i aktiviteteve dhe kontributit të saj nga individ të caktuar për interesa personale e farefisnore nuk i bën nder askujt. “Legjenda” është formuar me qëllim të përmbushjes së misionit të saj, me vizion të qartë dhe si e tillë do të mbetet për interesat e qytetarëve të komunës së saj. Stafi i “Legjendës” nuk ka për qëllim përfitimet, por shprehet kundër përfituesve në kurriz të veprimtarisë së saj./abide osmani/rajonipress/


