Matoshi: Zgjedhjet në AKR fillojnë këtë javë
Kamenicë – Kryetari i Degës së AKR-së në Kamenicë, Fatmir Matoshi, ka thënë për Rajonipress se partia që ai e drejton ka finalizuar agjendën e zgjedhjeve për strukturat e reja drejtuese. “Këshilli Drejtues i degës ka ngritur një komision prej 9 anëtarësh të cilët po merren me organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve brenda AKR-së. Komisioni tashmë ka të gatshme agjendën për këto zgjedhje, kuvendet e para priten të mbahen këtë javë, ndërsa kuvendi zgjedhor i degës është planifikuar në javën e parë të muajit qershor” ka thënë Matoshi.
Transparenca partiake, hapja e mundësive për inkuadrimin e të rinjëve dhe performanca në qeverinë komunale sipas Matoshit, kanë ndikuar që në këto zgjedhje të rritet edhe konkurrenca për secilën pozitë udhëheqëse brenda partisë.”Për dallim nga kuvendi i shkurtit të vitit 2013, kur partinë e riorganizuam pas një pauze të funksionimit, në këto zgjedhje vërehet një konkurrencë shumë më e madhe dhe si rezultat i kësaj presim edhe struktura e re të dal shumë më kualitative dhe më përfaqësuese. AKR do të ketë 23 nëndegë, këshillin drejtues me 39 anëtarë, nga të cilët 23 përfaqësohen nga nëndegët, 15 nga kryesia e re e partisë dhe kryetarin e degës. Gjithashtu në proces të hapur zgjedhor janë edhe forumi rinor dhe ai i gruas. Këto përgjegjësi në parti do të dëshiroja t`i marrin të rinjët, të cilët janë më të përkushtuar për punën dhe angazhimin në lokalitetet nga vijnë” ka thënë Matoshi.
AKR edhe në një mandat mund të udhëhiqet nga kryetari aktual Fatmir Matoshi, ai lidhur me këtë thotë. “Unë jam kyçur në politikën aktive në janar të vitit 2013, besoj se e kam drejtuar mirë degën e AKR-së në Kamenicë për tri vitet e kaluara, përkundër që nuk kemi arritur që të fitojmë zgjedhjet lokale, si pasojë e kohës së shkurtër që patëm për të konsoliduar degën, kam shumë kërkesa që të kandidojë edhe për një mandat në krye të degës dhe po e shqyrtojë këtë mundësi, por pres që kandidaturat t`i paraqesin edhe të tjerët në mënyrë që delegatët e kuvendit të AKR-së të kenë mundësinë të zgjedhin ofertën më të mirë.” ka thënë Matoshi./rajonipress/


