PDK-ja nuk brengoset për largimet, i hap dyer për Mimozën dhe Ilirin
Partia Demokratike e Kosovës nuk ndihet e ‘hendikepuar’ pas largimit të deputetit Ramiz Kelmendi nga partia e tyre. Madje, partia më e madhe në vend thotë se është e hapur për gjithë personat që munden të kontribuojnë në PDK. Shefi i Grupit Parlamentar, Adem Grabovci ka thënë për “Indeksonline” se partia e tyre nuk është brengosur për largimin e Kelmendit.
Sipas tij, biznesmeni nga Peja do ta ketë vështirë të ‘akomodohet’ në ndonjë parti tjetër. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që duan të dhënë kontributin e vet i kanë dyert e hapura në Partinë Demokratike të Kosovës. Do të kenë mundësi të realizojnë vetveten dhe të japin kontribut të fuqishëm për vazhdimin e rrugës së zhvillimit të prosporimit dhe të hapjes të shpejt të afrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së”, ka thënë ai.
Grabovci, më tej, ka folur edhe për formimin e mundshëm të partisë së ish-deputetit të LVV-së, Ilir Deda dhe kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. “Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila kanë vullnetin e tyre por ne nuk u përzihemi në punët e tyre. Ne përshëndesim çdo iniciativë që marrin jo vetëm për ta por për çdo njërin që vlerëson se mund të jep kontribut për çuarjen e proceseve përpara”, ka thënë ai. Më tej, Grabovci ka treguar më shumë detaje rreth largimit të ish-deputetit të tyre, Ramiz Kelmendi nga PDK-ja.
“Ne në momentin kur është larguar z.Kelmendi kemi qenë në një tubim jashtëzakonisht të mirë dhe përkrahës në Pejë, nga Degët e PDK-së e organizuar. Ne nuk kemi pas asnjë informacion që zotëri Kelmendi do të largohet. Mirëpo, ai ka marrë një vendim të vetin që e ka vlerësuar të drejt, unë kam komunikuar me z.Kelmendin dhe jam shumë i sigurt që ai nuk do të gjejë askund mbështetje më të fuqishëm se sa ka pas në PDK dhe që ka pas gjitha mundësit për me realizu vetveten. Sidoqoftë është e drejt e z.Kelmendi të merr vendim dhe të vendos për veten e tij”, është shprehur ai. /Indeksonline/


