Ragmi Mustafa: S’ka përfunduar ende asgjë në Preshevë, ne jemi parti fituese
Edhe pse ish kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka marr më së shumti vota në Preshevë, ka mundësi që ai të mbetet në opozitë. Kjo pasi që koalicioni pritet të formohet mes partisë së dytë dhe të tretë fituese në këto zgjedhje respektivisht Alternativa për Ndryshim bashkë me Partinë për Veprim Demokratik.
Në një prononcim për Indeksonline, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa ka thënë se nga rezultatet që janë marrë po vazhdohen të gjitha përpjekjet për ndërtimin e koalicioneve të mundshëm për menaxhimin e pushtetit vendor në Preshevë.
Duke mos dashur të komentoj koalicionin në mes partisë Alternativa për Ndryshim dhe asaj për Veprim Demokratik, Mustafa ka thënë se kjo është vetëm një marrëveshje nismëtare.
“Unë kujtoj se është vetëm një marrëveshje nismë, megjithatë ka akoma hapësira për bisedime sepse Partia Demokratike Shqiptare është fituese e zgjedhjeve në këtë drejtim. Partitë nuk do të qëndrojnë duarkryq, do të punojnë deri në arritjen e një marrëveshje eventuale e cila do të jetë në interes të qytetarëve të Preshevës”, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, njëherë nuk ka ndryshim të pushtetit pasi që zgjedhjet ende nuk janë kryer dhe nuk është mbajt seanca e Kuvendit Komunal.
“Brenda dhjetë ditësh do të formohet ekzekutivi, do të formohet Kuvendi Komunal dhe atëherë të gjitha do të dihen, megjithatë ka hapësira që të bisedojnë të gjitha subjektet politike që kanë marr mandate këshilltarësh në kuvendin komunal” , ka thënë ai. /Indeksonline/


