Qeveria borxh mësimdhënësve, 5 milionë euro
Borxhi i Qeverisë së Kosovës ndaj mësimdhënësve kosovarë është hiç më pak se 5 milionë euro. Janë bërë pesë vjet prej se Qeveria e Kosovës iu ka mbetur borxh nga dy paga mësimdhënësve. Që nga viti 2011, Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi, kur u mor vendimi për rritje të pagave prej 50 për qind për mësimdhënësit, i paraparë të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2011 u ka mbetur borxh prej hiç më pak se 5 milionë euro mësimdhënësve kosovarë, të cilin borxh nuk ua pagoi.
Kryeministri Thaçi nuk e zbatoi plotësisht vendimin. Mësimdhënësit në atë kohë kishin marrë pagat me rritje prej marsit 2011, e jo edhe për muajt paraprakë, janar e shkurt të këtij viti, ashtu siç ishte premtuar fillimisht.
Qeveria asnjëherë deri më tani nuk ka tërhequr vendimin për të mos paguar mjetet, por asnjëherë deri më tash nuk ka saktësuar kur do të dalin ato. Mësimdhënësit, në anën tjetër, kanë vendosur të mos ia falin këtë borxh Qeverisë, duke i bërë thirrje përfaqësuesve të saj t’ua paguajë borxhin retroaktivisht për dy muajt e parë të vitit 2011.
As Qeveria, me në krye kryeministrin Isa Mustafa, në të cilën Thaçi deri para pak javësh ishte pjesë e këtij kabineti qeveritar nuk ua kompensoi këto mjete mësimdhënësve. Gjatë pesë viteve u premtua për rritje të pagave në arsim, por asnjëherë nuk u përmend ky kompensim. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përveç takimeve me krerët e MASHT-it dhe premtimeve sikurse Qeveria në adresë të mësimdhënësve se “mjetet do të paguhen”, nuk ka dalë me veprime sindikale asnjëherë./zeri/


