Uji Dea

Reainkarnim amator i legjendave mediatike-policore

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Emin Azemi – Media e intelektual të caktuar maqedonas janë në hall të madh me sherrin që iu ka plasur në mes veti dhe nuk po dinë si t’ia lidhin grykën këtij thesi të mbushur me armiqësi e mosdurim të shtresuar brendamaqedonas. Por, si duket ata së fundmi kanë zbuluar një ventil prej nga po mundohen të nxjerrin ajrin e keq të kësaj armiqësie. Si zakonisht, edhe kësaj radhe po mundohen të përdorin një terren të njohur për ta – shqiptarët dhe Kosovën, duke i vendosur ata në kontekste subverzive kundër , gjoja, sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë. Vetëm në këtë mënyrë, këta ”gebelsa” axhami të Shkupit po provojnë ta spostojnë vëmendjen e opinionit publik, duke e zëvendësuar problemin real që kanë me një skenar të paqenë, sepse ky në të kaluarën ka qenë ”biznesi” më profitabil që ka funksionuar në tregun politik e mediatik maqedonas.

Revista “Republika”, e afërt me partinë maqedone në pushtet, në numrin e saj të fundit, ka sajuar një teori të dejdukshme konspiracioni për gjoja tendencat antimaqedone që po vinë kohët e fundit nga brenda e nga jashtë. Kjo revistë shkruan se një ‘’nga shkaqet kryesore për amnistinë e Ivanovit, ka qenë që të arrihet pajtim kombëtar me qëllim që Maqedonia të përballet më lehtë me kërcënimet për situatën e sigurisë’’, që sipas kësaj reviste kohët e fundit vijnë nga refugjatët në kufirin jugor dhe nga “një grup terrorist kosovar” në kufirin verior.

“Deri sa nga territori grek u realizuan së paku katër tentime mirë të koordinuara për hyrje të 1.000 refugjatëve në katër lokacione të ndryshme, kërcënimi kryesor sërish vjen nga Kosova, ku me muaj po përgatiten operacione terroriste në Maqedoni’’, shkruan ‘’Republika’’ dhe vazhdon se shërbimet sekrete e paskan pranuar këtë informacion me ç’rast janë ndërmarrë masa të shtuara në terren, dhe për këtë arsye mbi qiellin e kryeqytetit vazhdimisht fluturonin helikopterët.
‘’Shërbimet maqedonase të sigurisë tashmë i kanë informuar kolegët e tyre nga vendet aleate të BE-së dhe NATO-s se vendi po përballet me kërcënim direkt nga njerëz të afërt me liderët e ‘’Grupit të Kumanovës’’. Ky grup i udhëhequr nga vëllai i Sami Ukshinit (komandat Sokolit), kurse i afërt me Daut Haradinajn, ka planifikuar sulme mbi gjykatat, kidnapim të policëve që më vonë do të shkëmbeheshin me të arrestuarit në Kumanovë dhe për terrorizëm urban”.

Është kjo retorika e njejtë që përdoret sa herë që shteti i Maqedonisë zihet ngusht, si një nxënës ngelafç, nga pyetjet e vështira që banorët e saj ia drejtojnë kreut shtetëror për keqësimin e situates politike, për rrënimin e ekonomisë, për kapjen e institucioneve shtetërore nga oligarkia në pushtet etj.

Kosova dhe shqiptarët si duket janë baloni më atraktiv që mund të lëviz ende në qiellin e mjegulluar politik të Maqedonisë. Por, e keqja e atyre që mendojnë se me balonë mund të hutojnë publikun, nuk vjen vetëm nga pistat mashtruese që nuk të shpiejnë askund, por edhe nga tejdukshmëria e një narrativi primitiv që nuk arrin kurrsesi të bëjë bashkë dy fakte bindëse. Sa here që kjo retorikë përdor Kosovën si ‘’barkë shpëtimi’’, na kujtohet 9 dhe 10 maji i vitit të kaluar kur u lancuan të njejtat legjenda mediatike-policore për zhvendosjen e vëmendjes publike nga konflikti brendamaqedonas në një terren më të gjerë ndëretnik.

Uji Dea

Sikur Prishtina të kishte një lidership më të fuqishëm shtetëror e institucional që moti do të kishte kërkuar llogari nga Maqedonia në institucionet ndërkombëtare për involvimin e saj direkt në resurset e brendshme njerëzore të Kosovës, për qëllime shumë perfide dhe të kalkulueshme për rrethanat brendamaqedonase.

Se sa naivë bëhen skribomanët e një reviste me profil të ulët besueshmërie, flet natyra e problemit që ajo mundohet të trajtojë, duke harruar se kurrfarë lëvizje përreth kufirit me Maqedoninë nga ana e Kosovës nuk mund të bëhet pa u regjistruar nga forcat e KFOR-it.

Që efektet publike të jenë më të sofistikuara ,flet fakti se njerëzit që drejtojnë këtë revistë janë shumë të afërt me partinë maqedone në pushtet. Gjithkush që nuk arrin të gjejë ndonjë indicia të hapur aluzive në fjalimet e lidershipit të kësaj partie, mund ta kompensojnë këtë nëse ia bën një ‘’skenim’’ më të thellë përmbajtjes së revistës në fjalë. Në fakt, kështu funksionon ajo që quhet marrëdhine me publikun e kësaj partie, e cila asnjëherë nuk i fut vet duart në zjarr, pasi që janë mashat mediatike ato që si zgjatime ideologjike përçojnë ‘’të pathënat’’ e byrosë politike.

Edhe sa do të funksionoj ky reinkarnim i legjendave ala-Krali Marko në realitetin politik, mbetet të shihet, por ajo që po duket në sipërfaqe është plasaritja bukur e madhe e arealit etno-psikologjik maqedonas, i cili po shprëfaqet sidomos në protestat e fundit në kuadër të të ashtuqajturit ‘’Revolicioni shumëngjysësh’’ . Baroku i fasadave dhe tureçkat e luajve nëpër sheshet dhe bulevardet e Shkupit janë bërë cak i ‘’piktorve’’ vullnetarë që po rekrutohen nga organizata civile ‘’Protestoj’’. Ky demonstrim i hapur i pakënaqësisë qytetare në thelb nuk e ka vetëm refuzimin ndaj bizariteteve që vijnë si derivate të aktualitetit politik, por më shumë se kaq. Asaj çka i druhen ideologët e ‘’maqedonizmit antik’’ është çarja e madhe brendshme në linja ideologjike e etno-psikoligjike dhe në ditët në vijim mund të presim që këta ideologë të bëjnë çmos që çarjen e tyre ta mbyllin me ‘’truptha’’ që do të huazonin në terrenin e marrëdhënieve ndëretnike.

Prandaj shpiket një balon si ky, që Kosovën e sheh me tejqyrat e viteve të shkuara, kur Beogradi dhe Shkupi kishin një shtab të përbashkët për eksperimentimin e ideve të tyre fashizoide kundër shqiptarëve. Tani që Beogradi formalisht ndodhet në një shtet tjetër, nacional-romantikët e vonuar të Shkupit po mundohen vet t’i kryejnë disa punë, por me defekte në proces , sepse konteksti dhe rrethanat e reja nuk janë në favor të përrallaxhinjëve komitgjinjë.