ARKATANA

Ku mbeti gardiani i shqiptarëve?

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Para disa vjetëve presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Shkup pati deklaruar se do të jetë gardian i shqiptarëve në Ballkan.

Ndërsa sot, kur po mbahen zgjedhjet nacionale dhe lokale në Serbi, atij asnjë fjalë nuk i doli nga goja për t’i inkurajuar shqiptarët në Serbi të unifikohen për t’i realizuar të drejtat e tyre në shtetin, ku nëpërkëmbën çdo ditë e më shumë.

Të përçarë mes vete dhe të papërkrahur nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë gjendur liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës në zgjedhjet nacionale dhe lokale.

Në kushte dhe rrethana normale nëse liderët politikë shqiptarë në këtë shtet bashkohen dhe garojnë bashkë në zgjedhje, atëherë ata mund të marrin deri në tre deputetë në Kuvendin e Serbisë, por kështu të ndarë ata do ta kenë të vështirë t’i sigurojnë votat qoftë për zgjedhjen e një deputeti, i cili do t’i mbrojë interesat e komunitetit shqiptar në këtë shtet.

Republika e Serbisë që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, por edhe aktualisht, po kujdeset në vazhdimësi për qytetarët serbë që jetojnë në shtetin tonë. Ndërkaq, së paku deri më tash institucionet e Kosovës, por edhe ato të Republikës së Shqipërisë, nuk janë munduar as në minimum t’i mbrojnë interesat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në këtë shtet.

Deri në zgjedhjet e fundit nacionale në vend vetëm për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të saj Serbia në Kosovë thuajse në të gjitha drejtimet pati krijuar një sistem paralel, i cili i kishte shërbyer komunitetit të tyre.

FIDANISHTJA

Por së fundmi, me përkrahjen direkte të Qeverisë së Serbisë “Lista Srpska”, e formuar shumë pak para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, mori shumicën e votave tek qytetarët serbë të Kosovës. E tash këta të fundit me përkrahjen direkte të Qeverisë së Serbisë janë gardianë të vërtetë të qytetarëve serbë që jetojnë në gjithë territorin e Kosovës.

Edhe më tutje mbetet shumë e paqartë se si faktorët politikë të Republikës së Serbisë në vazhdimësi angazhohen për ofrimin e serbëve, ndërkaq faktorët politikë kosovarë e bëjnë të kundërtën, ku kanë ndikuar në një parti shqiptare në Bujanoc që të mos bëjë koalicion me parti shqiptare, por vetëm me parti serbe.

Është koha e fundit kur liderët politikë nga të dy shtetet shqiptare të merren më seriozisht me fatin e shqiptarëve në këtë shtet, përndryshe çdo vit e më shumë numri i qytetarëve shqiptarë që jetojnë në këtë shtet do të ulet dukshëm.

Shqiptarët në këtë shtet nuk kanë siguri sikurse kanë edhe qytetarët e komuniteteve tjera që jetojnë në këtë shtet. Për shqiptarët nuk ka vende tjera pune përpos atyre që janë në administratën komunale dhe në arsim.

Po ashtu, edhe më tutje në këtë shtet nuk ka arsim të lartë për shqiptarët. Ndërkaq, të gjitha këto i kanë serbët në Kosovë. Në Republikën tonë pjesëtarët e komunitetit serb mbajnë poste të larta politike që nga niveli i zëvendëskryeministrit, ministrit, deputetit, drejtorit, etj.

Por, asnjëherë pozita të tilla nuk kanë pasur shqiptarët e Luginës në Qeverinë e Serbisë.