10 vjet me www.ternocipress.com
Portali Informativ Kombëtar www.ternocipress.com, ka mbushur 10 vjet veprimtari informative. Gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare, kjo dritare informative, nga të parat e këtij lloji, në rajonin e Luginës së Preshevës, ka përmbushur misionin e saj, duke informuar lexuesit e saj, jo vetëm në Tërnoc e Luginë, por edhe në gjithë hapësira shqiptare, duke mos harruar as diasporën. “Tërnocipress”, në kuadër të aktivitetit të tij, ka publikuar ngjarje dhe ndodhi na jeta jonë politike, ekonomike, arsimore, kulturore, sportive etj, duke u shndërruar në një zëdhënëse mediale në këtë rajon.
Drejtuesi i Portalit Informativ kombëtar www.ternocipress.com, Nexhmedin Saqipi, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të kësaj dritare informative, shprehet se lexuesit sa vijnë e shtohen dhe interesimi për të pasur qasje në të është për tu përshëndetur.
Gjithashtu, z. Saqipi, nuk lë pa përmendur se Portali, të cilin, ai, e drejton vepron me forcat e veta financiare, pa gëzuar kurrfarë ndihme nga institucionet komunale e shtetërore. z. Saqipi, falënderon të gjithë dashamirët e “ternocipress”-it, të cilët po e përkrahin këtë medium elektronik, të cilët me sugjerimet e tyre, shkrimet dhe opinionet, gjithnjë po e bëjnë atë më të dashur dhe më të afërt me publikun, njofton Ternocipress.


