MSA-ja, e arritura më e madhe e Qeverisë “Mustafa”
Kryeministri Isa Mustafa i ka bërë një rezyme Qeverisë së tij, duke e konsideruar si të suksesshme dhe progresive. Ai në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar, tha se gjatë vitit 2015 Qeveria ka punuar në realizimin e 5 prioriteteve, të cilat kanë qenë edhe shtyllat themelore të Programit të punës në periudhën 2015 – 2018.
Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik, Punësimi dhe Mirëqenia, Sundimi i Ligjit dhe Shteti i së Drejtës, Agjenda Evropiane dhe Politika e Jashtme; Arsimi, Shkenca, Kultura, Sporti dhe Zhvillimi Rinor, si dhe Shëndetësia Bashkëkohore, u konsideruan si prioritet i Qeverisë.
E arritura më madhe e vitit 2015, sipas Mustafës, është finalizimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.
“Kjo marrëveshje pritet ta përafrojë dhe integrojë ekonominë e vendit me hapësirën ekonomike evropiane dhe të shteteve anëtare të BE-së. Me nënshkrimin e MSA-së, prodhuesit vendorë pritet të kenë qasje në tregun e BE-së dhe për rrjedhojë të kemi nxitje të zhvillimit ekonomik, të punësimit, por edhe të përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrohen nga bizneset tona ose të cilat konsumohen në tregjet tona”, ka thënë Mustafa./zeri/


