AKR-ja shpall zgjedhjet e brendshme të partisë, Pacolli thotë se ka interesim për këtë parti
Aleanca Kosova e Re, sot ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në parti. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Drejtues, Kryesisë së Forumit Rinor dhe Kryesisë së Forumit të Gruas së AKR-së, zyrtarisht u shpallën zgjedhjet për strukturat e brendshme të partisë në të gjitha nivelet.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme, ka deklaruar se rikthimi i Aleancës Kosova e Re, do të ketë bazën në punën intensive dhe të sinqertë të këtij subjekti politik, duke shtuar se përveç anëtarësisë së AKR-së e cila është aktive, tashmë ekziston edhe një numër i madh i njerëzve të cilët kanë shprehur interesim që t’i bashkohen këtij subjekti politik.
Me këtë proces Aleanca Kosova e Re pretendon t’i zgjedh organet e reja drejtuese të partisë duke pretenduar gjithashtu edhe shtrirjen dhe zgjerimin e saj të mëtutjeshëm, me ardhjen e një numri të madh të anëtarëve të rinj të cilët tanimë e kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre që t`i bashkohen programit politik të AKR-së.
Image
Për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në AKR, sot është përcaktuar puna, funksionimi, komisionet përkatëse si dhe çështjet tjera me rëndësi, për procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe organizimin e Kuvendit Qendror të partisë si dhe Kuvendet e Degëve dhe të Nëndegëve.
Me propozim të Pacollit, Këshilli drejtues i AKR-së sot ka zgjedhur anëtarët e Komisionit për monitorimin e zgjedhjeve të brendshme në Kuvendin Qendror të AKR-së. Ky komision për monitorimin e zgjedhjeve ka funksionin e certifikimit të të gjithë procesit zgjedhor brenda partisë politike Aleanca Kosova e Re. /Indeksonline/


