ARKATANA

Vjeshtë e nxehtë me Kadri Veselin

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Lavdim Hamidi – Pas 7 majit 2016, kur Kadri Veseli do të zyrtarizohet në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët nga subjekti i tij politik (LDK) do të nisin numërimin e ditëve të mbetura në krye të institucioneve.

Përfundimisht koalicioni PDK-LDK duket se ka filluar ta marrë teposhtën kur kryeministri Mustafa me deputetët e tij e votuan Hashim Thaçin në krye të shtetit të Kosovës, përderisa “ditët e zeza” për Qeverinë “Mustafa” do të nisin pasi ish-shefi i SHIK-ut edhe zyrtarisht ta marrë “timonin” e partisë më të madhe në vend.

Kjo për faktin se asnjë interes nuk do të ketë lideri i ri i PDK-së që ta çojë në fund mandatin e kësaj Qeverie dhe ta mbajë Mustafën deri në atë kohë kryeministër.

Besoj se edhe ky i fundit tashmë e ka kuptuar këtë fakt se zgjedhje nuk do të ketë në pranverën e vitit 2018, por në vjeshtën e vitit 2016.

Pra, në muajt kur do të bien gjethet nga pemët, në atë kohë me shumë gjasë do të bjerë edhe partneriteti mes dy partive më të mëdha në vend, me ç’rast Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

***
Kërkesat e partive opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të realizohen nga vetë lideri i ri i PDK-së. Këtë herë kërkesat do të plotësohen pa protesta masive të opozitës dhe pa gaz lotsjellës në Kuvend.

Ka shumë arsye që Kadri Veseli nuk do të angazhohet që ta çojë deri në fund mandatin e kësaj Qeverie, kur ky koalicion prej fillimit, prej dhjetorit 2014, e deri më tani nuk ka parë asnjë “ditë të bardhë”. Një fat të tillë e ka pasur edhe Veseli si kryeparlamentar, ku në gishta të dorës mund të numërohen seancat pa gaz lotsjellës dhe pa përleshje të deputetëve me sigurimin e Kuvendit.

Është e qartë se Veseli ka më shumë ambicie politike se për të mbetur një kryetar i Parlamentit. Kjo u pa edhe me ngritjen e tij në hierarkinë partiake, kur nga anëtari i thjeshtë i PDK-së, brenda një periudhe të shkurtër kohore arriti ta marrë drejtimin e partisë më të madhe në vend.

Hidromorava

Në këtë mënyrë ai synon të bëhet edhe kryeministër dhe në krye të ekzekutivit nuk do të arrijë, derisa një pozitë të tillë e mban Isa Mustafa.
Pra, Mustafa duhet rrëzuar që Veseli t’ia zërë vendin atij. Dhe kjo do të ndodhë brenda një afati sa më të shkurtër kohor nga frika se largimi i Hashim Thaçit nga PDK-ja do ta dëmtojë partinë me vota në aspekt më afatgjatë.

Këtë gjë e ka parasysh edhe Veseli, pasi që nga angazhimi i tij në zgjedhjet lokale të vitit 2013, PDK-ja pësoi goditje të rëndë në shumë Komuna të vendit, madje edhe në Mitrovicë prej nga vjen vetë ai.

***

Arsye tjetër se pse ky koalicion qeverisës nuk do të ketë jetë të gjatë është edhe Gjykata Speciale dhe ngritja e aktakuzave të para, siç thuhet, në vjeshtë nga kjo e fundit, me shumë gjasë do ta destabilizojë skenën politike në vend.

Dhe sigurinë për stabilitet nuk do të mundë ta ofrojë LDK-ja e Isa Mustafës, ashtu siç nuk e dëshmoi edhe për vendime më të lehta, siç ishte rasti me mosshkarkimin me kohë të ministrit Jabllanoviq, etj., kur u organizuan protesta masive në vend.

Ndonëse ende nuk dihet saktë se kush do të jenë të akuzuarit e parë të Speciales, përpos disa spekulimeve, Veseli do të synojë që të bashkëqeverisë me AAK-në e Ramush Haradinajt, duke menduar se ky i fundit është më faktor stabiliteti në vend.

Përpos në nivelin qendror, këto dy subjekte politike thuhet se tashmë kanë nisur kalkulimet edhe për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme lokale, sidomos në Dukagjin, përkatësisht në Gjakovë, Pejë, ku AAK-ja synon të rikthehet në pushtet lokal me votat e PDK-së.

Prandaj, prishja e koalicionit me LDK-në dhe afrimi me AAK-në, mundësisht para ngritjes së aktakuzave nga Specialja, do të jetë imediate për Kadri Veselin, si kryetar i ri i PDK-së.