ARKATANA

Si e duam shtetin kur e vjedhim?

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Gani Sadiku – Kur njeriu lëvizë nëpër Evropë, e sheh se ne në Kosovë, jetojmë në një vend jo vetëm të pazhvilluar, por edhe të pa perspektivë për të ardhmen e qytetarëve të saj. Më së shumti Kosova dëmtohet nga hajnia konsekuente institucionale, por edhe nga hajnia e bizneseve.

Nëse pinë një kafe ku do nëpër qytete të Kosovës, kamerieri të sjell një faturë falsë, në të cilën nuk shkruan emri i restorantit apo hotelit, dhe po dole nga dera e tij, më askush s’mundet ta dijë se kush e ka lëshuar këtë faturë. Kjo gjë dhe kjo hajni bajate, nuk ndodhë në asnjë vend të Ballkanit se lëre ma të Evropës.

Ky është vetëm një segment i jetës dhe organizimit të saj në një shtet të pa organizuar, të cilin vet e vjedhim, ose e përkrahim hajninë, ndërsa nga ana tjetër kërkojmë mirëqenie dhe mbrojtje nga shteti çdo herë që jemi të rrezikuar.

As segmentet tjera të jetës, nuk janë më të avancuara. Nëse e shikojmë arsimin, në secilën komunë, humben me dhjetëra orë mësimi duke mos dhënë llogari askush. Po ashtu në sektorin e shëndetësisë, gjendja mbetet shumë e keqe dhe keqpërdorimet arrijnë në një shkallë alarmante, deri në rrezikim të jetës së qytetarëve. Aty shpallet tender ndërkombëtarë për asgjësimin e barnave të skaduar, ndërsa pacientët, ose i blejnë ose vdesin në mungesë të tyre.

Mobi Casa

Pak më mirë qëndron sektori i stomatologjisë, sepse ka arritur që sektori privat i kësaj dege, të zhvillohet duke e ngritur përgjegjësinë për shkak të konkurrencës në çdo qytet.

Krejt kjo vjen si pasojë e politikës së pa organizuar, sepse s’mundë të ketë elitë politike të përgjegjshme kur ne kemi 1 milion e 800 mijë banorë, ndërsa kemi po aq votues në listat zgjedhore.

Askush nuk jep llogari për punën e tij në sektorin publik, sepse s’ka reformë të administratës publike, dhe qytetari nuk kërkon llogari nga “të zgjedhurit” e tij. Ky shtet dhe kjo shoqëri do të duhet kohë që të emancipohen për të qenë pjesë e shoqërive të zhvilluara evropiane./rajonipress/