Maliqi: Fondi Humanitar i Gjilanit nuk është sekret, është i pasqyruar në raportin financiar 2015
Gjilan – Lidhur me deklaratën e Riad Rashitit këshilltar komunal nga PDK se dyshohet për keqpërdorim të Fondit të Solidaritetit në Komunën e Gjilanit, drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka bërë një sqarim për opinionin publik.
Në sqarim thuhet: “Nga Gala Mbrëmja e organizuar me iniciativën kryetarit Haziri, është formuar Këshilli Organizativ më 24.10.2014 për hapjen e llogarisë dhe transferit të mjeteve që grumbullohen në Ministrinë e Financave me qëllim të alokimit të tyre në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për shpenzimin e tyre për destinacionin e caktuar.
Mjetet e grumbulluara për këtë qëllim në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) kapin shumën e 111.989,76 euro, të cilat mjete Komisioni në fjalë i ka transferuar në Ministrinë e Financave, e cila pastaj i ka alokuar në DSHMS, edhe atë: 40 mijë euro për subvencione (kryesisht pagesat e qirave të familjeve me gjendje të rëndë sociale) dhe 71.989,76 euro për investime kapitale (për renovim të shtëpive për familjet në nevojë).
Ndërkohë, kryetari i Komunës Lutfi Haziri i ka ndarë edhe 100 mijë euro nga buxheti i Komunës për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë.
Nga mjetet e grumbulluara në vitin 2015, janë shpenzuar 15 mijë e 130 euro nga kategoria e subvencioneve për pagesën e qirave. Mjetet e pashpenzuara janë bartur në vitin 2016 dhe pritet të shpenzohen brenda këtij viti.
Të gjitha këto mjete janë të pasqyruara në raportin përfundimtar financiar për vitin 2015, i cili ka kaluar përmes Kuvendit Komunal të Gjilanit”, thuhet në sqarimin e drejtorit për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi./rajonipress/


