Prokuroria kërkon nga Gjykata caktimin e paraburgimit për tre gjinekologët e arrestuar
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit për tre gjinekologët e arrestuar, Maxhide Shaqiri, Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kosumi. Jetish Maloku ka konfirmuar për rajonipress se ende janë duke u intervistuar persona të tjerë dhe varësisht nga provat nuk përjashtohet mundësia e arrestimit edhe të personave të tjerë të involvuar në këtë rast.
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata masën e paraburgimit për tre gjinekologet e arrestuar të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj Arbenita Spahiut.
Kryeprokurori Jetish Maloku tha për rajonipress se kjo prokurori ka marrë me tërë seriozitetin rastin e Arbenita Spahiut dhe pasi ka përfunduar ekspertiza mjeko ligjore edhe janë kryer arrestimet e para.
Por Maloku tha se ende janë duke u intervistuar persona të tjerë të dyshuar dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimit edhe të ndonjë personi tjetër shëndetësor.
Maloku tha se nuk do të lejohet asnjë tolerim dhe të gjithë ata që dyshohet se janë pjesëmarrës në këtë rast do të prangosen./rajonipress/


