UBT

Komandant Meucci: Misioni i juaj është kriminal

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Berat Buzhala – Sistemi i juaj i drejtësisë e ka shtyrë në vetëvrasje një dëshmitar të mbrojtur. Drejtësia e juaj në këto 8 vjet është blerë me pare. Prokurorët tuaj sot punojnë në Beograd. I gjithë misioni që ju e përfaqësoni është një komedi e madhe. Meqë ju morët guximin të flisni për media, më lejoni dhe mua t’i them disa fjalë për media, por edhe për misionin që e udhëheqni.

Herën e fundit kur kam lexuar dicka përmbajtësore prej Shefit të EULEX’it, Gabriele Meucci’t, ka qenë në verën e vitit të kaluar, kur ai me fjalë të tjera kishte thënë se ky mision kishte kapitulluar. E kishte thënë atë që e dinim të gjithë. Pas 7-8 viteve ishte kujtuar të thotë se ky mision nuk mund ta ndryshonte gjendjen në Kosovë. Dhe pallavra të tjera.

Këto i kishte thënë në muajin gusht. Tash jemi në pjesën e dytë të muajit mars, ose 7 muaj më vonë prej kohës kur “EULEX ka kapitulluar”, sipas gojës së Komandantit Meucci. Pata menduar, meqë kishte kapitulluar, së paku nuk do të fliste më dicka të rëndësishme, meqë ishte dorëzuar. E kishte ngritur flamurin e bardhë. Ishte gjunjëzuar. Ja që paskëna qenë gabim.

Meucci, përmes kompanisë së tij, ose të misionit të tij, të udhëhequr nga Jeta dhe Faiku, ka zgjedhur të hedhë baltë mbi mediat, ose portalet, që sipas tij, po hidhnin baltë tamam si në kohën e UDB’së, ose Sigurimit të Shqipërisë. Ta merr mendja që ai ka jetuar në këto troje, sa për të ditur kaq shumë se si paska funksionuar UDB’a jugosllave apo Sigurimi shqiptar.

Po e marrim si të mirëqenë faktin që ai paska njohuri për të dy këto sisteme sepse kjo nuk është shumë relevante, ndonëse është shumë ofenduese, sepse ka qenë pikërisht Gazeta Express, me gazetar Visar Duriqin, me përgjegjës Leonard Kërqukin dhe mua, që kemi publikuar javën që shkoi një shkrim, me protagonist Nazim Bllacën, që supozohet të jetë dëshmitar në shumë procese kundër krimeve të luftës.

Pas botimit të këtij shkrimi tek zyra e Gazetës Express kanë ardhur dy vëllezërit e Nazim Bllacës, që kërkonin përgjegjësi, në mënyrë kërcënuëse, lidhur me punën që po e bënim e ku subjekt ishte vëllau i tyre. Pasi kanë ikur ata, gazetarin Duriqi i kanë telefonuar nga EULEX’i, duke e thirrë që të dalin të takohen në një kafe në Prishtinë. Në bisedën e incizuar, një zyrtar i EULEX’it i thotë Duriqit: “E kemi një mesazh për ty nga mësuesi”. Mësuesi në këtë rast është Nazim Bllaca.

Pra, Komandant Meucci: të kujt janë këto metoda që po përdorni ju: të UDB’së apo të Sigurimit? Në cilin vend evropian organet e drejtësisë do të thërrisnin gazetarin për t’i përcjell një mesazh nga një dëshmitar?

Disa fjalë rreth fenomenit Bllaca

Gazeta Express posedon disa email’e që Bllaca i ka këmbyer me zyrtarët serbë, lidhur me njohuritë që ka ky i fundit për krimet e kryera nga UCK, ose udhëheqësit e kësaj trupe. Qartazi këto komunikime janë bërë për nevoja të përdorimit të tyre për Gjykatën Speciale.

Poashtu qartazi, sic edhe shihet prej komunikimeve, të njëjtat të dhëna pritet të përdorën në Tribunalin Special, por që kjo nuk është punë e Gazetës Express. Ajo cfarë është shumë e rëndësishme në gjithë këtë histori është toleranca e EULEX’it për të lënë dëshmitarët e tyre të mbrojtur që të komunikojnë, të fabrikojnë, të rekrutojnë dëshmitarë të rinj, në shërbim të Serbisë. Kjo ishte puna që po e bënte Bllaca.

Gazeta Express në shkrimin e saj, i cili pastaj u mor për interesa të tyre nga mediat tjera, nuk paragjykon asgjë. As nuk e frikëson këtë dëshmitar e as nuk i jep zemër atij. Madje as nuk e dimë nëse është fare dëshmitar, as i mbrojtur e as i pambrojtur. Tek e fundit, cfarë kemi parë e dëgjuar prej tij në këtë dekadën e fundit, zor të konkludohet që ai frikësohet. Ai duket ta ketë bërë mendjen top për t’i thënë gjithëcfarë di, e cfarë nuk di, por që ia merr mendja. Prapë kjo nuk është puna e jona.

Ne e kemi konsideruar lajm, që është në interes të publikut, se si një dëshmitar, po rekruton dëshmitar të tjerë, për interesa të një vendi të tretë, në këtë rast Serbisë. Në cdo rast, një akt i tillë, do të duhej të ishte i jashtëligjshëm. Nuk e besoj që Kosova dhe Serbia janë në atë shkallë të bashkëpunimit sa t’i japim njëri tjetrit dëshmitarë në dispozicion. Një gjë e tillë sigurisht se do të duhej të ishte ideale, por për momentin nuk jemi në fazë të tillë.

Dëshmitari X

Para pesë vitesh një dëshmitar i mbrojtur i EULEX’it, i njohur për publikun si dëshmitari X, kishte kryer vetëvrasje në rrethana krejtësisht enigmatike në një qytet në Gjermani, gjegjësisht në Duisburg. Emri i tij kurrë nuk ishte bërë publik prej mediave. Atë e kanë ditur vetëm EULEX’it, e ndoshta ka mundur të supozojë edhe pala e akuzuar.

FIDANISHTJA

Nuk dëshiroj të bëj kurrfarë krahasimi. Përkundrazi përpjekja e dëshmitarit të vetëvrarë, për të hedhur dritë mbi drejtësinë, duhet cmuar shumë lart, nëse i ndjeri nuk kanë qenë i shantazhuar nga EULEX’i, për qëllimë përfitimi.

Cfarë po mendoj, kur po them për qëllime përfitimi?

Nuk janë të rralla rastët që prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX’it janë involovuar në afera korruptive. Madje janë të rralla rastët kur ata nuk janë involvuar.

Dhe si ka ndodhur kjo?

Në mënyrë shumë më të sofistikuar se praktikat lokale. Kështu për shembull kohëve të fundit është shumë në formë, ose në trend, gabimi i qëllimshëm i datave, në mënyrë që pastaj të hidhen poshtë aktakuzat, ose ankesat. Dhe metoda të tjera të ngjashme. Thuhet se pasi të bëjnë pazar me të akuzuarit, prokuorët e EULEX’it qëllimisht ua tregojnë emrat e tyre të akuzuarëve. Pak a shumë sikur kur ia tregon luanit një kaproll të njomë.
Për më tepër, rreth praktikave korruptuese në EULEX, kemi parë shumë e lexuar shumë nga cfarë ka treguar prokurorja e penduar e këtij misioni Maria Bamieh.

Kështu, me fjalë të tjera, Komandant Meucci pos që e udhëheq një mision të kapitulluar, të rrënuar, ai e udhëheq edhe një mision potencialisht të involvuar edhe në krime më të rënda, si cytja në vetëvrasje. E ndoshta edhe vrasje.

Ndoshta Meucci do ta dijë, ose do të ketë dëgjuar, për një kolumne legjendare të Pier Paolo Pasolinit, të botuar në vitin 1974 në gazetën Il Corriere Della Sera, me titullin: Cfarë është ky puç? Unë e di.

Dhe Pasolini vazhdon tutje, paragraf pas paragrafi, duke thënë se i di të gjitha krimet e kryera, pothuajse në mbarë botën. Por thotë që për këtë nuk ka fakte. Madje nuk ka as ide. Ai thotë se këto i di, sepse është intelektual dhe shkrimtar. I di sepse i përcjell ngjarjet, duke i imagjinuar të gjitha të pathënat ose të panjohurat.

Pra, Komandant Meucci, faktet për krimet e kryera të EULEX’it, ato faktet që nevojiten për t’u konsideruar provë në gjykatë, i dini vetëm ju.
Ju që nuk i keni dhënë llogari askujt. Mediave jo se jo.
Ne, në anën tjetër, sipas gjuhës së Pasolinit, i dimë vetëm emrat. Por fakte nuk kemi.

Tash edhe disa fjalë të tjera, për kolegët e mi

Mllefi që keni ndaj, sic i quani ju, ‘kumanirave’ ua ka errësu edhe logjikën profesionale. Sipas jush, ‘kumanirat’ duhet të dënohen, qoftë edhe me faktet e prezentuara, përpunuara, seleksionuara, nga prokurorët në Beograd. Ju po shpresoni, që në një ditë të bukur, kur të ndodh Tribunali Special, Kosova të shpallë lirinë prej ‘kumanirave’ dhe ju do të shpalleni clirimtarët e saj. E keni jashtëzakonisht gabim. Më vjen inat ta them, por në këtë pikë pajtohna plotësisht me Lëvizjen Vetëvendosja: drejtësinë për vendin tonë duhet ta themi ne. Askush nuk do ta thotë atë në mënyrë përfundimtare.

Edhe unë, sikurse edhe ju, jam i mendimit që Gjykata Speciale, ose Tribunali Special duhet të formohet. Por e njëjta, nuk do të jetë aspak speciale.

Si frikacak që jeni, si njerëz që jeni mësuar ta hidhni gurin a ta mshefni trupin, qoftë edhe jashtë Kosovës, iu garantoj që edhe nëse shkojnë në Tribunal të gjithë ‘kumanirat’ ju do të frikësoheni edhe prej asistentëve të ‘kumanirave’.