Eko Higjiena

Kujtim për mikun e madh të Kosovës!

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Hafiz Gagica – Sa herë që vdesin miqtë e mëdhenjë të Kosovës nuk kam si të mos kujtoj çastet kur ata këtij vendi iu gjindën atëherë kur jo çdokush ishte i gatshëm ta ofronte ndihmën për popullin e shtypur shqiptar në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.

Gjermania dhe gjermanët ishin, janë dhe do të jenë miqtë e mëdhenjë të shqiptarëve. Këtë e dëshmuan për dekada me radhë- edhe kur pranuan disidentët nga Kosova duke filluar nga Jusuf Gërvalla e Sali Çekaj por edhe kur bashkë me Amerikën Presidentit Historik të Kosovës Ibrahim Rugovës i ofruan mbështetje dhe përkrahje në të gjitha fushat.

Të paharrueshme janë kujtimet për miqtë e mëdhenjë të Kosovës. I paharrueshëm është kujtimi edhe për njërin prej bashkëpunëtorëve të ngushtë, nxënësin politik të Hans Dietrich Genscherit dhe Klaus Kinksit, Dr. Guido Westerwelle.

Me dhembje e mora lajmin për vdekjen e hershme nga një sëmundje e rëndë, të ish- liderit të FDP-së dhe ish ministrit për punë të jashtme të Gjermanisë, z. Guido Westerwelle.

FIDANISHTJA

Me këtë rast nuk kam si të mos e shpalosi një kujtim të rëndësishëm për shqiptarët, për Kosovën, për historinë e saj. Dhe dëshmitar të asaj ngjarjeje ishin me dhjetëra mijëra shiqptarë e jo vetëm unë.

Guido Westerwelle, ishte njëri ndër politikanët e parë të Gjermanisë, i cili në vitin 1994, si Sekretar Gjeneral i Partisë Liberale të Gjermanisë (FDP), u deklarua hapur në një protestë të LDK-së në Gjermani, se e përkrah të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës si dhe lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Për këtë shkak dua t’i ndaj me ju dy fotografi nga ai tubim madhështor i vitit 1994 ku Westerwelle iu drejtua masës së bashkatdhetarëve.

Andaj, populli shqiptar i Kosovës, asnjëherë nuk do e harrojë ndihmën dhe përkrahjen e tij për realizimin e të drejtave nacionale. Por nuk do ta harrojë as kontributin e tij të madh për ndihmën që dha në njohjen e pavarësisë së Kosovës në Evropë dhe më gjerë, në kohën kur ishte Ministër për Punë të Jashtme.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Njeriun dhe Personalitetin e shquar të popullit mik gjerman.