Pacolli kërkon nga OKB-ja hetim të thellë për shtetasin rus që u arrestua në Kosovë
Ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka kërkuar hetim të thellë dhe profesional për punonjësin rus të UNMIK-ut në Kosovë.
Ai është shprehur se OKB-ja është institucion i paqes, sigurisë dhe drejtësisë globale, andaj kushdo që e keqpërdor petkun e imunitetit, nuk e ka vendin në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Pacolli gjithashtu ka treguar se do t’i kërkojë misionit diplomatik në SHBA që kurdo që të ketë diskutim për zhvillimet në rajon, të adresojë rastin e këtij zyrtari për diskutim.
“Institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë do të ishin të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të një hetimi të tillë nga ana e OKB-së, si dhe të ofrojnë informacionin që posedojnë, ku përpos thyerjes flagrante të rregullave të brendshme të OKB-së, nuk përjashtohet edhe shkelje e rëndë penale ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli.
Ky është postimi i tij i plotë:
Ftojmë përfaqësuesit e lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të inciojnë një hetim të thellë dhe profesional në lidhje me përfshirjen e punonjësit të tyre, në atë çfarë institucionet e Republikës së Kosovës – si një vend i cili aspiron anëtarësimin në këtë organizatë universale – vlerëson se e dëmton para së gjithash, imazhin e kësaj organizate në Kosovë dhe me gjerë.
OKB-ja është instituticion i paqes, sigurisë dhe drejtësisë globale, përpjekjet e së cilës çmohen lartë nga kombet e lira dhe demokratike, andaj kushdo që duke keqpërdorur petkun e imunitetit funksional, përfshihet në agjenda dhe veprime të dyshimta e kriminale, jo vetëm që nuk e ka vendin në Kosovë, por nuk do të duhej t’i afrohej prezencës së OKB-së apo misioneve të saj kudo në botë.
Do t’i kërkojë misionit tonë diplomatik në SHBA, që kurdo që do të ketë një diskutim për zhvillimet në rajon, pranë kësaj organizte, ta adresojë rastin e këtij zyrtari, si një rast i cili shkon ndesh me të gjitha përpjekjet për rend dhe ligj në shtetin tonë. Institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë do të ishin të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të një hetimi të tillë nga ana e OKB-së, si dhe të ofrojnë informacionin që posedojnë, ku përpos thyerjes flagrante të rregullave të brendshme të OKB-së, nuk përjashtohet edhe shkelje e rëndë penale ndërkombëtare.


