Eko Higjiena

Sulmet po i dënojmë, por zjarrvënësit të lirë po i mbushin koktejet e radhës!

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Astrit Gashi – Institucionet e Kosovës, partitë politike, individët dhe shoqëria civile të gjithë sot gjatë ditës kanë dënuar me ashpërsi të plotë sulmin me zjarr ndaj Kuvendit e Presidencës së Kosovës, por kjo thjeshtë është më pak se asgjë. Sulmi nga jashtë ka kaluar pa pasoja kësaj radhe, por mesazhi i tij si edhe çdo herë tjetër është i frikshëm. Është porosi për thellimin e pasigurisë dhe jo stabilitetin.

Teksa zjarrvënia me koktej “molotovi” javët e fundit ka përfshirë vetura private, vetura zyrtare dhe tashmë nga jashtë është sulmuar edhe presidenca, ata më të rëndësishmit në këtë ngjarje, sulmuesit pra, vazhdojnë të jenë të lirë. Sulme me molotov kishte edhe gjatë protestave në Prishtinë- por edhe ata nuk e dijmë nëse janë zënë ndonjëherë.

Në qetësi të plotë dhe të sigurtë deri në këtë moment, ata ndoshta tani janë duke mbushur koktejet e tyre kriminal, për të goditur cakun e radhës.

Institucionet e sigurisë në Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të flejnë ndaj zjarrvënësve. Kryesit e këtyre veprave do duhet të identifikoheshin dhe të sillën para drejtësisë.

Maskat duhet të zbulohen.

Trajtimi i këtij lloji të problemit përmes deklaratave e politikës- nuk e zgjidhë krizën, përkundrazi e komplikon atë. Nuk mjafton as hedhja e fajit te njëri apo te tjetri krah politik. Deklaratat e këtilla në fakt janë bomba “molotovi” prej fjalëve. Qeveria nuk mund të funksionojë si një organizatë jo qeveritare që dënon sulme, por ajo duhet të kërkoj punë e rezultate tek vetevetja. Parasëgjithash nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe tutje. Të kërkoj zbardhjen e këtyre akteve e ti zbardhë ato, asgjë më tepër!

Teoritë e konspiracionit se aktet mund të jenë bërë për këtë apo atë qëllim, ose se në to mund të jetë përzier një dorë e tretë sot ngjajnë me flluskat që hedhen në ajrë.

Mobi Casa

Të gjitha këto dyshime-ndoshta ndonjëra nga to edhe e saktë- do të zbulohen tek pasi të hiqen maskat duke kapur sulmuesit.

Prandaj zjarrvënësit real duhet zënë. Sot- në këtë moment!

Politika këtu nuk ka punë- sistemi i sigurisë po. Përkrahja qeveritare duhet të shkoj aty dhe askund tjetër! Zjarrëvënësit e fjalës në qeveri e parti politike ndërkaq duhet të heshtin.

Partitë në pushtet e opozitë duhet të hedhin hapin që ju takon- të ulin armët dhe të nisin bashkëbisedimin, për t’i hapur rrugë së ardhmes! Ta lirojnë të frymojë atë që tashmë sa kohë e kanë kapur për fyti!

Si qytetarë, ne nuk kemi kohë të presim!

/© GazetaBlic.com/