Nehat Rexhepi nga AKR-ja kandidat i koalicionit të përbashkët për kryetar në Kllokot
Gjilan – VV-ja, LDK-ja, AAK ja dhe AKR-ja në Kllokot garojnë me një listë të përbashkët për Asamble komunale dhe me një kandidat për Kryetar komune.
Duke parë gjendjen reale të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin komunal të Kllokotit shkaku i humbjes së votës së partive shqiptare, VV-ja, LDK-ja, AAK ja dhe AKR-ja kanë arritur një konsensus për themelimin e një Iniciativë të përbashkët për të garuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Është themeluar një Iniciativë e përbashkët qytetare, e cila është certifikuar nga KQZ-ja me një listë me 15 kandidatë potencial për Asamble komunale dhe me një kandidatë për Kryetar komune.
Lista e kandidatëve potencial për Asamble komunale udhëhiqet nga Vetëvendosja me kandidatin z.Hidajet Ahmeti, kurse garës për Kryetar komune i prinë z.Nehat Rexhepi cili përfaqëson AKR-në.
Nehat Rexhepi do të jetë kandidatë për Kryetar komune prej Iniciativës qytetare e cila përfaqësohet prej katër partive politike shqiptare, VV-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së.
Përndryshe, z.Nehat Rexhepi është Kryetar i degës së AKR-së në Kllokot, i diplomuar në shkencat juridike dhe master në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë./rajonipress/


