Të zhgënjyer vijnë, të zhgënjyer kthehen
Gjilan – Hydajet Ramadani një mërgimtar i sinqertë që ka punuar me vite të tëra në Zvicër është ndier i zhgënjyer me qeverisjen komunale dhe me tërë atë bërllog e papastërti që ka hasur kudo në qytet e trotuare.
Mërgimtari Hydajet Ramadani ka 40 vite që frekuenton drejtimin Zvicër – Gjilan. Ndihet mirë kur vije në Gjilan, ndihet mirë kur ndodhet në vendlindje, por nuk ndihet mirë kur sheh gjëra të pakëndshme dhe të pahijshme në qytetin e Gjilanit. “Ndihem shumë i lënduar kur shoh gjëra të këqija në Gjilan. Ndihem keq kur shoh gjithkah bërllok e gjithkah papastërti. Kjo vërtet më lëndon dhe më bren pse shoh këtë maskarallëk dhe e pyes vetën. Pse bash kur diaspora vije në Kosovë ndodhin këto situata të pakëndshme: tha Ramadani.
Hydajet Ramadani ka një kopsht të bukur, ka jetën e mirë në Gjilan dhe dëshiron që edhe qyteti ku jeton e ku frymon të ndihet i pastër. ”A ka shërbime publike Gjilani, a paguhen ata zyrtar për me u kujdes për qytetin, për ambientin dhe për rregullimin e tij. A ka prokuror që duhet të hetoj këta zyrtar që qëllimisht po e shkatërrojnë qytetin. Vërtet jam i befasuar dhe i zhgënjyer. Këtë vit po kthehem shumë i zhgënjyer sepse ka pasur një periudhë kur s`kam besuar se Gjilani mund të duket aq keq” tha Ramadani.
Ramadani i fajëson edhe qytetarët për mos kujdes. “Edhe qytetarët kanë faj sepse secili duhet të kujdeset për ambientin dhe qytetin. Nuk duhet pritur vetëm komunën. Unë rregullisht e pastrojë rrugën time qoftë nga bërllogu apo nga mbeturinat që hedhin qytetarët e pandërgjegjshëm” u shpreh Ramadani.
Mërgimtarët këtë vit janë ndeshur me situata të tmerrshme e gati edhe skandaloze. Kudo ka dominuar bërllogu dhe papastërtia, e zyrtarët komunal as që janë brengosur për këtë fakt./rajonipress/


