Populli të protestojë kundër mashtruesve
Politikanët që janë sot në pushtet kanë premtuar punësimet e 200-300 mijë personave, punësim të çdo anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar dhe paga të larta për të gjithë punësuarit. Por, e keqja është se deri më tash kemi pasur zvogëlim të punësimeve, punësime në institucioneve publike, jo të familjeve të papuna, por të familjarëve të politikanëve dhe paga të larta për qeveritarë e jo të tjerët.
Shkodra: Në ‘poterat’ parazgjedhore janë premtuar 100 mijë vende pune, tjetri 150 mijë
“Me gjithë premtimet e partive politike për punësimet e 200-300 mijë personave, punësim të çdo anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar dhe paga të larta për të gjithë punësuarit, deri më tani kemi pasur zvogëlim të punësimeve, punësime në institucionet publike, jo të anëtarëve të familjeve të papuna, por të bashkëfamiljarëve të politikanëve dhe paga të larta vetëm për qeveritarë e jo edhe për të tjerët”, theksoi analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”
Politikanët që janë sot në pushtet kanë premtuar punësimet e 200-300 mijë personave, punësim të çdo anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar dhe paga të larta për të gjithë punësuarit. Por, e keqja është se deri më tash kemi pasur zvogëlim të punësimeve, punësime në institucioneve publike, jo të familjeve të papuna, por të familjarëve të politikanëve dhe paga të larta për qeveritarë e jo të tjerët.
Analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot” thotë se papunësia në Kosovë për vite me radhë mbetet një nga problemet më të mëdha që për dy dekada përcjellë shoqërinë kosovare, e cila sipas të dhënave zyrtare arrin nga 30 deri në 40 për qind.
Sipas shënimeve statistikore për punësim, në Kosovë çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj në tregun e punës, shumica prej të cilëve megjithëse të diplomuar, nëse nuk kanë lidhje nepotike apo partiake, mbeten të papunë. Ndaj habit fakti se si nga askush nuk protestohet as nuk kërkohet llogaridhënie për premtimet e politikanëve, sidomos rreth punësimeve, në të gjitha fushatat elektorale. Sipas Qarrit, me ligjin e sapomiratuar për rritjen e pagave më 2 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, jo vetëm se rrezikohet hapja e vendeve të reja të punës, por sipas udhëheqësve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ligji në fjalë pritet të ngushtojë hapësirën për punësime të reja për më se 70 për qind në sektorin publik.
Qarri: Shteti i kapur klientelist
“Sipas vlerësimit të ekspertëve, pas miratimit të Ligjit të ri për rritjen e pagave, jo vetëm se në sektorin publik, nuk mund të ketë punësime të reja, por vetëm në 2019-2020 shuma e parave që duhet të sigurohet për pagat e rritura do të arrijë në rreth 30 milionë euro më tepër sesa limiti i lejuar ligjor, gjë që do të pengojë rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e papunësisë tejet të lartë gjithandej në Kosovë.
Megjithëse në shtetin tonë të kapur nga mafio-oligarkia politike, e cila në sektorin publik rrit përditë e më tepër nepotizmin dhe klientelizmin, kurse në sektorin privat shuan mijëra vende të punës, qytetarët jo vetëm se nuk protestojnë për punësim në vendin e vet, por ata as nuk u kërkojnë politikanëve në mënyrë të organizuar dhe formën e duhur, përmbushjen e premtimeve të parealizuara si punësimi, gjë që për pasojë në vijimësi kemi ikje të të rinjve, inteligjencës dhe kuadrove të kualifikuara nga vendi ynë”, u shpreh Gani Qarri për “Kosova Sot”.
Taksa mund të ndikojë në punësim
Njohësi i kësaj fushe, Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është e drejtë e qytetarëve të kërkojnë punësim sipas aftësive dhe konkursit zyrtar. “Jo politikanët me telefona të vendosin klientët dhe militantët e vet. Kështu themi se vetëm mund të inkuadrohen dhe familjet e tyre, siç ka ndodhur deri më tash. Në ‘poterat’ parazgjedhore janë premtuar 100 mijë vende pune, tjetri 150 mijë”, u shpreh ai. “Pas zgjedhjeve, kemi të ngulfatur ndonjë ndërmarrje publike si PTK-ja, ‘Vala’, krejt me ‘akraba’ e klientët e këtyre partive. Kjo nuk çon drejt ngritjes dhe zhvillimit të vendit. Prandaj, vjen koha kur nuk do të mund të sanojë askush gjendjen sociale. Edhe pagat e mëdha të personelit në institucione publike e politike janë distancë e madhe me personelin e vendeve të punës nëpër sektorët tjerë.
Po të flitet për privatizimin, shihet që nuk kanë të rregulluar asgjë në atë punën e tyre. Padroni luan me ta si të dojë”, vlerësoi Shkodra. Ndërsa analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Qeveria për momentin ka marrë vendim me rëndësi, që ndikon në shtim të punësimit në Republikën e Kosovës: taksen ndaj prodhimeve serbe.“Kundër këtij vendimi janë angazhuar, të orkestruar, serbofilët, kuislingët, marionetat, mercenarët e Serbisë neofashiste, të brendshëm e të jashtëm, sepse duan të mos rrezikohen punësimet në Serbi, që prodhojnë për tregun e Kosovës, në kurriz të Kosovës”, u shpreh ai.
Elektorati në pritje
Njohësi i problemeve të kësaj fushe, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se premtimet zgjedhore dhe vlerësimi janë paraqitur në një platformë që përcjell progresin e premtimeve zgjedhore të subjekteve tani në qeveri.“Në këtë moment kritik në tranzicionin demokratik në Kosovë publiku pret që drejtuesit e tyre të zgjedhur t’i përfshijnë ata në adresimin e shqetësimeve të vjetra të reflektuara në hulumtim, si papunësia, shëndetësia, arsimi dhe korrupsioni, për të dhënë një shtysë drejt këtij lloj dialogu dhe ofruar informacion objektiv mbi opinionin e publikut për hartimin dhe miratimin e politikave”, tha ai.
Qytetarët të zhgënjyer nga politika
Qytetari nga Prishtina, Xhevat Prebreza, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se që nga paslufta e deri më sot në të gjitha fushat elektorale është krijuar një traditë e brishtë që politikanët tanë nëpër media të shkruara dhe televizione, por edhe në tubimet para elektoratit, po premtojnë me qindra e mijëra vende të reja punë. “Por në praktikë ka ndodhur gjithçka ndryshe, ngase premtimet e tyre gjithmonë po mbesin vetëm mashtrime elektorale të radhës. Së këndejmi kjo traditë na tregon se është shumë keq kur në pushtet vijnë njerëzit joprofesionistë. Sepse edhe premtimet e tyre elektorale për punësime marramendëse janë vetëm gënjeshtra dhe nuk mund të mbajnë premtimet, sepse janë diletantë dhe joprofesionistë”, u shpreh ai.
Ndërsa qytetari nga Prishtina, Adil Sopi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se këtë popull që 18 vjet politikanët tanë po e mbajnë me gënjeshtra. “200 mijë vende pune nuk mund t’i krijojë Gjermania e lëre më Kosova. Populli nga skamja po u beson edhe rrenave elektorale. Sepse shumica e premtimeve janë boshe, si ato për rritje pagash, standard më të mirë e në fund përfitojnë vetëm për vete. Shihni sa e bëri për vete rrogën kryeministri. Kush premton vende pune duhet t’i realizojë premtimet”, potencoi ai. Sipas Sopit, shtrohet pyetja se përse qytetarët me anë të protestave nuk ua kërkojnë politikanëve premtimet e parealizuara, ku në vend të tyre kemi ikje të vazhdueshme nga vendi?!
(Kosova Sot)


