UBT

Rastet i kurdis politika, i ekzekuton drejtësia e kapur

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, ekspertë të sundimit të ligjit dhe analistë të pavarur të politikës, janë duke e përcjell me shqetësim degradimin e thellë të drejtësisë kosovare, ku sipas tyre ndodh që në shumë situata të interesit të grupeve kriminale të lidhura me politikën të porositen rastet penale është në zyrat e politikanëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale.

Kelmendi: E vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike, ekonomike dhe grupeve të caktuara të interesave kriminale

“Vonesat, fshehja dhe manipulimi me dosjet, indiferenca dhe neglizhenca kriminale që bëjnë gjyqtarët e prokurorët e drejtësisë, janë marifete të paligjshmërisë dhe të korrupsionit politik dhe të drejtësisë politike e të kriminalizuar, për ta lodhur, rraskapitur dhe demoralizuar qytetarin në mënyrë që e drejta e tij t’i nënshtrohet ryshfetit të majmë, ose ndonjë pazari të imponuar për t’u bërë bashkëpronarë në të drejtën e tij, ose të tjerët e fuqishëm që kanë pushtetin dhe paranë, ose shitblerjen, duke e fituar atë ai që paguan më shumë”, thotw analisti Skwnder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, ekspertë të sundimit të ligjit dhe analistë të pavarur të politikës, janë duke e përcjell me shqetësim degradimin e thellë të drejtësisë kosovare, ku sipas tyre ndodh që në shumë situata të interesit të grupeve kriminale të lidhura me politikën të porositen rastet penale është në zyrat e politikanëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale.

Shqetësues mbetet fakti pse në vend se policia dhe prokuroria të hetojnë dhe të hapin rastet ex-officio, si dhe në bazë të kallëzimeve penale që bëhen nga qytetarët dhe bizneset, ndodh e kundërta, që do të thotë se shumica e rasteve hapen me porosi nga politika e inkriminuar për të eliminuar kundërshtarët, si dhe personat që haptas kundërshtojnë pushtetarët. Kjo lë të kuptohet, sipas analistëve se për pasojë të kësaj lidhje kriminale edhe qytetarët po heqin dorë që të denoncojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në organet e drejtësisë, duke e parë se edhe po ta denoncosh një korrupsion, institucionet e drejtësisë mbyllin rastet dhe rastet hapen vetëm kur politika urdhëron këtë veprim.

Prandaj, qytetarët e shohin se përderisa drejtësia nuk merret seriozisht me këto raste, ata nuk kanë pse të denoncojnë rastet e korrupsionit, vetëm sa për t`u tallur institucionet me atë.

Burjani: Pak shpresë për këndellje

Sipas ligjëruesit të së drejtës, Blerim Burjani, derisa kemi kapjen e drejtësisë nga politika, kjo praktikë e mbrapshtë do të vazhdojë edhe për shumë kohë të jetë e tillë. “Ka shumë dështime që e kanë katandisur këtë sistem dhe është vështirë të ruhet besimi, nuk mund të ketë besim tek kjo drejtësi e koordinuar që bashkëjeton me politikën dhe jeton nga politika duke iu rritur pagat dhe duke e lënë të kapur deri në kokë. Me këtë drejtësi nuk ka shpresë të këndelljes, prandaj po themi vazhdimisht që kërkohet reformë urgjente në sistemin e drejtësisë, por edhe ndryshime politike në shtet.

Në të kundërtën mbetet kjo gjendje dhe vetëm sa mund të ketë akoma më shumë agresivitet politik për ta mbajtur sistemin e kapur. Kjo është një gjendje e dëmshme për sistemin e drejtësisë dhe për vetë demokracinë. Ndryshime politike duhet të ndodhë me idenë që qytetarët të ndryshojnë mentalitetin e perceptimit politik, duhet të këndellen për të votuar plotësisht një klasë të re politike dhe të distancohen përjetësisht nga këto parti politike aktuale që s’kanë të ndalur nga korrupsioni e zhvatja e parasë së qytetarëve. Deri më tash po duket pak sa e çuditshme edhe toleranca qytetare me këtë zhvatje masive që i bëhet parasë së popullit, që në demokracitë e zhvilluara nuk do ta kishte lejuar askush, në asnjë sistem nuk do të ishte toleruar të veprohet kështu.

Prandaj, kjo klasë ose duhet të reformohet, të pastrohet dhe demokratizohet ose nuk duhet votuar më”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Llogaridhënia zero

Sipas njohësit tjetër të fushës, publicistit Naim Kelmendi, me këtë përbërje të tanishme në sistem, e këtë kontroll të fuqishëm nga politika nuk mundë të ecë gjyqësori para. “Nuk ka ecje përpara kur absolutisht mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij, derisa e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike, ekonomike dhe grupeve të caktuara të interesave kriminale.

ARKATANA

Kështu që për të dalë nga gjendja deri ku ka degraduar, duhet bërë që pa tjetër të ketë vërtet llogaridhënie në përputhje dhe në respekt të plotë të ligjit nga vetë gjyqësori, në mënyrë që të ndëshkohen dhe penalizohen, madje përjashtohen të gjithë ata gjyqtarë që i japin llogari politikës dhe mafio-oligarkëve dhe jo ligjit e Kushtetutës së vendit”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Por, sipas Kelmendit, paraprakisht duhet që edhe mekanizmat përkatës që i marrin në përgjegjësi gjykatësit për veprimet e tyre të spastrohen nga ndikimet politike dhe të mafio- oligarkëve.

“Pra, sigurisht për ta shëruar gjendjen e katandisur duhet të ndërmerren masa reformuese për pastrimin e policisë, prokurorisë dhe të gjyqësorit, pasi edhe nëse vetëm njëri institucion çalon-dështon do të kemi çalim dhe dështim të tërë sistemit të drejtësisë”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

Kapiti: Drejtësia në Kosovë, përderisa është e kapur nga politika, vazhdimisht “prodhon” padrejtësi

Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, drejtësia në Kosovë, përderisa është e kapur nga politika, vazhdimisht “prodhon” padrejtësi dhe shteti i së padrejtës është i montuar falë kësaj padrejtësie që për dëmet që u sjell as nuk i kompenson qytetarët e vet, për dëmet dhe zullumet që iu shkaktohen qytetarëve prej këtij sistemi kriminalo-juridik.

“Pushteti, si ai qendror dhe ai lokal, në akordancë të plotë me drejtësinë, me sistemin e gjyqtarëve e prokurorëve, ata vetëm sa vjedhin e grabisin paranë publike dhe pasuritë e shtetit dhe të qytetarëve të vet, pra kjo mafio-oligarki ua vjedh dhe ua grabit të drejtën qytetarëve dhe është jonormale që të paramendohet se hajduti, kusari e zullumqari të ketë moral e ndjesi për të kompensuar ata, të cilët janë vjedhur e grabitur prej kësaj kasto-hajdutokracie politike, pushteti e drejtësie”, u shpreh ai. “As mos të presin qytetarët shqiptarë që kjo klasë politike t’i kompensojë ata për padrejtësitë dhe hajnitë që vetë i kanë bërë dhe që janë autorë politika, pushteti dhe drejtësia”, vijoi më tutje Kapiti.

“Vonesat, fshehja dhe manipulimi me dosjet, indiferenca dhe neglizhenca kriminale që bëjnë gjyqtarët e prokurorët e drejtësisë, janë marifete të paligjshmërisë dhe të korrupsionit politik dhe të drejtësisë politike e të kriminalizuar për ta lodhur, rraskapitur dhe demoralizuar qytetarin në mënyrë që e drejta e tij t’i nënshtrohet ryshfetit të majmë, ose ndonjë pazari të imponuar për t’u bërë bashkëpronarë në të drejtën e tij, ose të tjerët fuqishëm, që kanë pushtetin dhe paranë, ose shitblerjen, duke e fituar atë ai që paguan më shumë”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Sundojnë të pamoralshmit

Sipas analistit Arsim Haziri, kjo gjendje në drejtësi po sjell edhe pasoja të pariparueshme.“Dëmet sociale gjithsesi do të jenë ta pariparueshme nga kjo mendësi dhe drejtësi kriminale, sepse shoqërisë dëmet vetëm sa iu kanë thelluar aq shumë sa edhe një qeverisje tjetër, me një botëkuptim tjetër do t’i nevojitej kohë e gjatë, e mjaftueshme kronologjikisht për ta riparuar. Problem bazik i shoqërisë sonë vazhdon të mbetej mënyra e qeverisjes, tendenca për t’i përvetësuar gjithçka çka është publike dhe funksionimi i kësaj logjike të pandershme dhe të papranueshme nga pikëpamja sociale ka bërë që shteti ynë të përbëhet nga dy kategori; një kategori që ndjek gjithnjë dëshirën dhe realizojnë jetë luksozë, si dhe shtresa tjetër që ndjekin nevojën, pra një lloj mbijetese të pa dinjitetshme”, theksoi ai.

“Brenda këtij koncepti ekzistencial mjerisht gjendet pjesa dërrmuese e shoqërisë, pra është shumicë që përbën pak, e kemi pakicën që përbën shumë. Kjo mënyrë e të menaxhuarit të shtetit nuk është edhe krejt e rastësishme, por mirë e menduar, mbase duke mbizotëruar një gjendje e tillë në shoqëri, mundësia për të manipuluar e detyruar është edhe më e lehtë”, ka vlerësuar Haziri.

“Kosova është vend që sundohet nga të pamoralshmit, nga ata që shkelin gjithnjë çka është përtej individualitetit, prandaj edhe ngecjet dhe çalimet janë tejet të mëdha. Konsideroj se i gjithë aparati shtetëror, struktura e lartë institucionale, është në shërbim të politikës dhe ambicieve të tyre, prandaj edhe ky vend s’po ecën. Ndryshimet mund të jenë të prekshme kur stafi ose klientela e kësaj mendësie, bie poshtë, pra përmes një rivlerësimi elektoral dhe zëvendësohet nga një tjetër, dhe ardhja e një qeverisja tjetër do duhej të pasohej me një reformim të thellë institucional”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)