Shteti në kolaps, Parlamenti krihet!
Partive u interesojnë vetëm mosmarrëveshjet e tyre, jo hallet e popullit
“E them lirshëm, se me këtë klasë politike që është në pushtet dhe që është tepër të inkriminuar, Kosova po shkon drejt zhbërjes së shtetit”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”
Analistë dhe njohës të rrethanave politike në vend, por edhe qytetarët thonë se ata janë të habitur se si po hesht e tërë klasa politike kosovare përballë grevave të shumta që kanë kapluar vendin. Analistët pyesin se përse asnjë grup deputetësh nuk e ka parë të udhës që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar dalje nga kjo situatë. Sipas tyre, kjo gjendje po dëshmon pafuqinë e Qeverisë në zgjidhjen e problemeve dhe kolapsit që ka përshirë Kosovën, por edhe injorimin e opozitës në këtë situatë të jashtëzakonshme.
Mësimdhënësi i Universitetit Publik të Prishtinës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu( PSD), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ajo që u pa me rastin e këtyre grevave po dëshmon pafuqinë e Qeverisë në zgjidhjen e problemeve dhe kolapsit që ka përfshirë Kosovën,por edhe injorimin e opozitës në këtë situatë të jashtëzakonshme. “Andaj, nga ajo që po e shoh po duket qartë se partnerët e koalicionit qeverisës janë shumë më të interesuar që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në mes tyre sesa problemet dhe grevat që kanë përfshirë vendin”, potencoi ai.
Ndërsa, analisti Shefik Shkodra, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se zhbërjen e shtetit është e mundur ta bëjnë vetë këta “institucionalitët”. “Me gjasë, organizatorët e sindikatave kanë mbështetje nga dikush të koalicionit, së paku nxitjen e kanë. Them kështu, ngase arsimi që nga fillimi nuk është llogaritur si diçka primare, por një lojë. Kur është dashur të punësohet ndonjë militant apo klient, partitë në pushtet e kanë dërguar në arsim. Një drejtor që ruan partinë e vet është zgjedhur në shkolla, pavarësisht çfarë karakteristikash ka pasur si njeri e si personalitet. Për pagat s’kanë menduar politikanët dhe qeveritë tona. Po nuk është menduar as për cilësinë”, vlerësoi ai.
Kosova, ‘El Dorado’ e krimit
Analisti politik dhe njohësi i politikës së vendit Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se është koha që klasa politike të dalë prej apatisë. Sipas tij, shoqëria dhe politika duhet të mbledhin veten për të shpëtuar shtetin e kapluar nga pakënaqësitë, që sot politika dhe oligarkët e kanë sjellë vendin në këtë situatë të një kolapsi gjithëpërfshirës. “Duhet edhe kurajë të kundërshtojnë katandisjen e vendit nën këtë qeverisje të keqe dhe të pafuqishme për të zgjidhur problemet të një situate vërtet serioze, të gjitha dikasteret e shtetit janë duke u rebeluar me greva, të cilat i solli kjo Qeveri e dobët dhe mafisë-oligarke duke menduar se këta janë të paprekshëm. Këtë po e tregon qytetari se shteti është i sovranit dhe jo i klaneve apo bandave”,u shpreh ai. “Toleranca ndaj ‘vendimeve të mëdha’ të Qeverisë ‘Haradinaj’ për rritje masive të rrogave të qeveritarëve, sikur edhe toleranca ndaj sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve me pushtet në fusha të tjera të jetës shoqërore, do t’i kushtojë vendit tonë tepër shumë, nëse nuk merret me urgjencë respektimi i të drejtave të klasës punëtore dhe të qytetarëve. Qeverisja e PAN-it dhe koalicioni i tyre minoritar thuajse nuk po reflekton drejt interesimit, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet dhe problemet e tyre”, vlerësoi Hertica. “Qytetari nuk duhet të heshtë ndaj këtyre dukurive, që po e shkatërrojnë shtetin nga kjo kastë e mjeranëve politikë. Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit dhe zhbërjes dhe shtetin do të vazhdojnë ta degradojnë përderisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit ta çojë aty ku e ka vendin, për t’u përballur me drejtësinë. Kapja e shtetit të Kosovës u bë nga politikanët tërësisht të inkriminuar për gjithë këto vite të pasluftës, të cilët e shndërruan Kosovën në një ‘oazë’ të krimit të organizuar në të gjithë sektorët e shtetit dhe një lloj ‘El Dorado’ të krimit të organizuar në çdo sektor”, potencoi më tej ai.
Skenari i kurdisur
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Adem Salihaj (LDK), për gazetën”Kosova Sot’, thotë se kjo klasë politike e solli Kosovën para kolapsit total, si pasojë e interesave klanore. “Vala e grevave është shkaktuar sipas një skenari të kurdisur për ta rrëzuar Qeverinë dhe nuk ka të bëjë vetëm me kërkesa sociale. Në situatën kur partnerët e koalicionit qeverisës janë mbërthyer ne rrënimin e njëri-tjetrit, opozita nuk po involvohet në këto situata, duke pritur rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen ne zgjedhje. Problemi i madh është se askush në koalicionin qeverisës nuk mendon për interesat e Kosovës, të gjithë grinden për interesa klanore e partiake, ndërsa pëson Kosova, të cilën këta e sollën para shkatërrimit total. Në Kosovë është instaluar logjika e zhvatjes, të gjithë mendojnë se si ta zhvatin buxhetin dhe askush nuk mendon se si ta mbrojë atë”, u shpreh Salihaj.
Injorimi i krizës sociale
Analisti Ragip Gurzaiu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se kësaj klase politike tepër të inkriminuar i ka humbur rruga në oborr. “Për çudi, asnjë grup deputetësh nuk e ka parë të udhës që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar dalje nga kjo situatë. Kjo gjendje momentale po dëshmon pafuqinë e Qeverisë, si edhe herëve të tjera në zgjidhjen e problemeve dhe kolapsit që ka përfshirë Kosovën,por edhe injorimin e opozitës në këtë situatë të jashtëzakonshme,ku arsimi është në javën e tretë të grevës, greva në shëndetësi, dhe grevat po zgjerohen në sektorin publik. Janë më të interesuar partnerët e koalicionit qeverisës që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre sesa problemet dhe grevat që kanë përfshirë vendin. Prandaj, e them se si po duket kështu me këtë klasë politike tepër të inkriminuar, Kosova po shkon drejt zhbërjes së shtetit, pasi asaj i ka humbur rruga në oborr”, theksoi ai.
Qytetarët, të zhgënjyer edhe me opozitën
Krahas analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar po thonë se janë tej mase të indinjuar me heshtjet e spektrit politik gjatë grevës trijavëshe. Qytetari nga Prishtina Ramadan Ferizi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk e ka asnjë dyshim se ishte shumë e drejtë ndërhyrja e kryeparlamentarit Kadri Veseli që e arriti marrëveshjen me SBASHK-un dhe në njëfarë forme e shpëtoi koalicionin nga shkapërderdhja dhe zgjedhjet e reja.
Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Hakif Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ajo që më së tepërmi e ka befasuar, ka qenë heshtja e tërë klasës politike kosovare përballë këtyre grevave të shumta që kanë kapluar vendin. “Hiq ndonjë deklaratë të partive opozitar, se gjoja ata na qenkan pro këtyre grevave, për mua habia më e madhe ka qenë fakti se përse asnjë grup deputetësh, qofshin të opozitës apo të pozitës, nuk e kanë parë të udhës që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar dalje nga kjo situatë”, u shpreh ai. Sipas Hamitit, Qeveria “Haradinaj” po dëshmon pafuqinë e saj që të dalë nga kjo gjendje, por edhe ne zgjidhjen e problemeve dhe kolapsit që e ka përfshirë Kosovën.
(Kosova Sot)


