Politika arrogante e bën Kosovën skllotë e shkuar skllotës
Punëtorët e arsimit publik në Kosovë hynë në javën e tretë të grevës, duke mbetur kështu mbi 500 mijë nxënës në shtëpi, si pasojë e kësaj greve të mësimdhënësve dhe mosmarrëveshjeve SBASHK-Qeveri.
Zeqa: Qeverisë i ka mbetur i vetmi opsion tërheqja e vendimit për rritjen e pagave vetvetes, ta rishqyrtojë përmbajtjen e Projektligjit për nivelimin e pagave në sektorin publik, ose t’i gjejë paratë për paga të dinjitetshme për të gjithë sektorët
“Me thellimin e grevës, gjendja është tragjike dhe Kosova është duke rrëshqitur në cepin e një gremine. Nxitës i këtij mercenarizmi ka qenë vendimi i qeveritarëve për rritjen qind për qind të pagave të tyre. Ishte një gabim fatal, sepse me këtë veprim qeveritarët e tashëm dëshmuan se objektivi i tyre nuk ka qenë mirëqenia e qytetarëve të Kosovës, fuqizimi i shtetësisë së Kosovës, shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit të tmerrshëm me pasoja fatale, por përfitimet personale dhe meskine. Tani, Kosova po përballet me një çmenduri kolektive në thelb antikombëtare, të zhvatjes, grabitjes, nëpërkëmbjes së interesave nacionale, duke vendosur në plan të parë interesat e ulëta utilitare dhe personale”, thotë eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni për “Kosova Sot”
Punëtorët e arsimit publik në Kosovë hynë në javën e tretë të grevës, duke mbetur kështu mbi 500 mijë nxënës në shtëpi, si pasojë e kësaj greve të mësimdhënësve dhe mosmarrëveshjeve SBASHK-Qeveri.
Analistët politikë, por edhe qytetarët, janë kritikë ndaj të dy taborëve që nuk po gjejnë mënyrën e zgjidhjes, por më shumë kritikohen mësimdhënësit që nuk po gjejnë edhe ndonjë mënyrë tjetër të shtruarjes së kërkesave, por vetëm këtë më të dëmshmen, duke bërë që fëmijët të humbin mësimin. Sidoqoftë, një gjë është e pranueshme nga opinioni publik që u jep të drejtë mësimdhënëseve në kërkesat e tyre me një shpërblim më të dinjitetshëm për punën që bëjnë, sepse greva erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i provokimit nga vendimi i kryeministrit Haradinaj për rritje pagash 100% për vete dhe kabinetin e ngushtë qeveritar.
Analistët, por edhe qytetarët mendojnë se e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është një ristartim i situatës, që nga koha para vendimit për rritje pagash për Qeverinë dhe e gjithë kjo të shihet si një leksion se si nuk duhet të veprohet në raste të këtilla, pra të anulohet vendimi i rritjes së pagave për Qeverinë. Edhe qytetarët po e perceptojnë vendimin e Haradinajt për rritje pagash të Qeverisë si anashkalim dhe si denigrim profesional, si përbuzje njerëzore ndaj sektorëve të tjerë publikë, prandaj tash për tash mendojnë se i vetmi opsion që i ka mbetur Qeverisë është që ta tërheqë vendimin për rritjen e pagave vetvetes, ta rishqyrtojë përmbajtjen e Projektligjit për nivelimin e pagave në sektorin publik, ose t’i gjejë paratë për paga të dinjitetshme për të gjithë profesionistët. Nga thellimi i kësaj krize, analistët besojnë që me tërë këto probleme të grumbulluara, Qeverisë do t’i rrezikohet funksionimi stabil dhe gjasat janë që të kemi zgjedhje të parakohshme më së voni në vjeshtën e këtij viti.
Zeqa: Kryeministri të zmbrapset nga vendimet skandaloze
Analisti politik Florim Zeqa thotë se ishte pikërisht vendimi i kryeministrit Haradinaj për rritje pagash 100% për vete dhe kabinetin e ngushtë qeveritar shkaktari kryesor i grevës së SBASHK-ut, që tanimë ka hyrë në javën e tretë dhe nuk mund të ketë zgjidhje më të mirë se tërheqja e atij vendimi. “Vetëm tërheqja e ligjit, vendimit për rritje të pagave për Qeverinë nga ana e kryeministrit, është e vetmja mundësi dhe zgjidhje që hap rrugë për vazhdimin e procesit arsimor. Njëherësh kjo duhet të shërbejë si leksion për pushtetarët, për mosmarrjen e vendimeve të nxituara, siç ishte ai i Haradinajt, i cili shpërfaqi në veten e parë ambiciet grabitqare, të zhvatjes dhe abuzimit me pozitën zyrtare. Kështu po e perceptojnë qytetarët vendimin e Haradinajt për rritje pagash të Qeverisë si anashkalim, si denigrim profesional, si diskriminim dhe përbuzje njerëzore. Tashmë pas përhapjes së grevës edhe në sektorë të tjerë, Qeverisë i ka mbetur i vetmi opsion tërheqja e vendimit për rritjen e pagave vetvetes, ta rishqyrtojë përmbajtjen e Projektligjit për nivelimin e pagave në sektorin publik, ose t’i gjejë (pjellë) paratë për paga të dinjitetshme për të gjithë sektorët, ndryshe është i pashmangshëm shpërthimi i grevave dhe protestave në të gjithë sektorët anembanë Kosovës”, theksoi Zeqa.
Sipas tij, edhe pse nuk janë duke i bërë përshtypje Qeverisë grevat e deritanishme, është kjo hera e parë në historinë e re të Kosovës kur askush nuk pranon të mashtrohet nga premtimet dhe memorandumet e fushatave mashtruese. Eskalimi i gjendjes mund të çojë fare lehtë vendin në zgjedhje të reja diku në fillim të vjeshtës.“Edhe pse të gjitha këto greva as që po iu bëjnë përshtypje qeveritarëve të vendit, të cilët në vend që të ndërmarrin hapa seriozë që të adresojnë, shqetësimet e arsimtarëve, mjekëve, minatorëve, shërbyesve civilë, e plot kategori të tjera të pakënaqura, ata janë duke u treguar neglizhues dhe indiferentë ndaj tyre. Indiferencës së pushtetarëve do t’i kthehet bumerang revolta popullore, e cila vetëm sa ka filluar të shfaqet si pakënaqësi sociale, e akumuluar për dy dekada, e cila do të vërë Qeverinë me shpatulla për muri. Bazuar në pakënaqësitë qytetare në njërën anë, mosmbajtja e premtimeve elektorale dhe raportet e acaruara mes kryeministrit dhe presidentit janë tregues se do të kemi zgjedhje më së voni në vjeshtën e këtij viti, edhe pse zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje fatlume për vendin shkaku i mungesës së profilizimit të skenës politike dhe mosndryshimit të Ligjit zgjedhor”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Aliu: Revolta sociale, me përmasa alarmante
Sipas analistit politik Bislim Aliu, është e pafalshme si po hyn arsimi publik në javën e tretë të grevës dhe askush nuk po brengoset seriozisht për të gjetur zgjidhjen që nxënësit të mos rrezikojnë ta humbin krejt këtë vit mësimor. “Dhe ne po e shohim tani se si për këtë situatë të krijuar nga greva kanë mbetur më se 500 mijë nxënës në shtëpi, si pasojë e grevës së mësimdhënësve dhe mosmarrëveshjes SBASHK – Qeveri. Kjo gjithsesi është e pafalshme, meqë shkollat nuk guxon askush t’i mbyllë, e më së paku arsimtarët e mësuesit e nderuar së bashku me Sindikatën e arsimit! Andaj, gjithsesi është e udhës që të gjenden mënyra të tjera të kërkesës, e jo zgjidhja më e keqe, duke bërë që nxënësit të humbin mësim! Në këtë drejtim, vendimi i kryeministrit Haradinaj, për ngritjen e pagave 100 për qind, për vete dhe për kabinetin e ngushtë qeveritarë, është shkaktari kryesor i grevës, që tanimë ka hyrë në javën e tretë”, u shpreh ai.“Ndaj, qytetarët janë të revoltuar dhe po e perceptojnë vendimin e Haradinajt për rritje pagash, si anashkalim, si denigrim profesional, si përbuzje njerëzore dhe i vetmi opsion ka mbetur që ta tërheqë vendimin, për rritjen e pagave vetes dhe stafi dhe ta rishqyrtojë përmbajtjen e projektligjit, për nivelimin e pagave, në sektorin publik, ose t’i gjejë paratë për paga të dinjitetshme për të gjithë profesionistët”, tha Aliu për “Kosova Sot”.
Ai shtoi se si pasojë e provokimit të Qeverisë me vendimin e rritjes së pagave për stafin e vet, po vazhdon edhe shpërthimi i grevave edhe në sektorët e tjerë anembanë Kosovës dhe ky eskalim mund të jetë me fund tragjik për Qeverinë e Kosovës.“Të gjitha këto greva interesant sikur nuk po u bëjnë fare përshtypje qeveritarëve të vendit dhe në vend që të marrin hapa seriozë, për shqetësimet e protestave si në arsim, shëndetësi, minatorët, shërbyesit civilë, e plot kategori të tjera të pakënaqura, ata po tregojnë neglizhencë dhe indiferencë të madhe! Megjithatë, ka filluar të shfaqet edhe revolta sociale gjithëpopullore, e mbledhur tanimë që dy dekada, e që tani e ka vënë Qeverinë me shpatulla për muri. Dhe, kjo është hera e parë në historinë e Kosovës kur askush nuk pranon të mashtrohet nga premtimet dhe memorandumet e fushatave mashtruese?! Për këto probleme të grumbulluara pritet realisht të kemi zgjedhje, më së voni në vjeshtën e këtij viti, por megjithatë pyetja është a thua kush do ta pasojë atë, në skenën politike pikë e pesë, të zhytur në korrupsion dhe pa alternativë serioze”, vlerësoi Aliu.
Badallaj: Shteti është futur në kolaps të plotë, në rrugë të pakrye
Edhe analisti politik Reshat Badallaj konsideron se rritja e pagave 100%, që e bëri Qeveria për kabinetin e vet, po shërben tani si pretekst që edhe shërbyesit civilë, mjekët dhe arsimtarët, të kërkojnë ngrirje të pagave, qoftë edhe me greva që po kalojnë kufijtë e pranueshëm të normales.“Kjo bandë qeveritare, për veti Ramush Haradinaj dhe për të gjithë bandën e tij që e ka pas dhe bile nuk e ka asnjë shtet në botë si kjo jona, është shkaktari më i madh që e ‘polli’ këtë sherr. Merreni me mend akoma pa ia nisur mirë kjo bandë që të punojë për shtetin, për interesat e qytetarëve të vendit, tamam si lypës kërkojnë me ngulm rritjen e pagave që do ta gjunjëzojnë buxhetin e shtetit dhe duke i lënë anash dhe përbuzur sektorët e tjerë. Tanimë shteti shihet se është futur në kolaps të plotë, në rrugë të pakrye, që nuk i dihet fundi se si do të mbarojë, që unë personalisht e shoh që kjo qeveri, i thënçin, sa më parë do të dorëhiqet dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të reja”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.
Hyseni: Pasojat e grevës mund të jenë fatale
Eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni, tha për “Kosova Sot” se tani, me thellimin e grevës, gjendja është tragjike dhe Kosova është duke rrëshqitur në cepin e një gremine. “Nxitës të këtij mercenarizmi ka qenë vendimi i qeveritarëve për rritjen qind për qind të pagave të tyre. Ishte një gabim fatal, sepse me këtë veprim qeveritarët e tashëm dëshmuan se objektivi i tyre nuk ka qenë mirëqenia e qytetarëve të Kosovës, fuqizimi i shtetësisë së Kosovës, shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit të tmerrshëm me pasoja fatale, por përfitimet personale dhe meskine. Tani Kosova po përballet me një çmenduri kolektive në thelb antikombëtare, të zhvatjes, grabitjes, nëpërkëmbjes së interesave nacionale, duke vendosur në plan të parë interesat e ulëta utilitare dhe personale. Ka humbur arsyeja e shëndoshë, sepse me kërkesat e të gjithëve që t’i rrisin pagat dhe që të gjithë ata që kanë dhënë çfarëdo kontributi kundër veprimeve gjenocidale të Serbisë po kërkojnë që të kompensohen. Tani kompensim po kërkojnë edhe ata që janë lënduar në protesta, do të kërkojnë edhe viktimat e helmimeve të viteve 1987 -1990, kështu që nuk do të mbetet asnjë shqiptar që ka mbi moshën 20-vjeçare që nuk do të kërkojë ndonjë shpërblim… Kjo grevë e mësimdhënësve pa afat jo vetëm që është e turpshme, antikombëtare, por është vepër penale. Nëse personeli mësimor edukativ nuk tërhiqet nga greva, atëherë ata e kanë shekullor kodin etik të edukatorit dhe duhet të kërkojnë një profesion tjetër, sepse edukatori për të edukuar vetë duhet të jetë i edukuar dhe humanist”, tha Halim Hyseni për “Kosova Sot”.
Qarri: Prapa protestës qëndron politika e PDK-së, si kreatore e këtij skenari
Analisti politik Gani Qarri vlerëson seporosia e Hashim Thaçit se ai edhe borën në Kosovë do t`ia kthejë në “skllotë” Ramush Haradinajt, ishte edhe një paralajmërim për atë dhe të gjithë shqiptarët se greva politike e SBASHK-ut, jo vetëm se nuk do të ndalej, por ajo do të zgjerohej edhe në sektorë të tjerë në gjithë vendin. Ai mendon se tani prapa protestës qëndron politika e PDK-së, si kreatore e këtij skenari, me qëllim të rrëzimit të qeverisë ‘Haradinaj’. “Fakti se jo vetëm në javën e parë e të dytë, por edhe në javën e tretë, nuk u gjetën as vunë në tavolinë mënyra të tjera të shtruarjes së kërkesave, por po vazhdohet edhe më tej me grevë nga SBASHK-u, duke bërë që më se një gjysmë milioni fëmijë të Kosovës ta humbin mësimin, flet hapur për një komplot të orkestruar politik ndërmjet PDK-së së Kadri Veselit dhe VV-së së Albin Kurtit, për rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe parapërgatitjen e konstalacionit të ri qeverisës, në një të ardhme të afërt. Kadri Veseli, duke pasur parasysh faktin se nuk mund të llogarisë në PSD-në, si subjekt i ri dhe pa mbështetje të mjaftueshme tek votuesit, ka zgjedhur VV-në për realizimin e makinacioneve më të reja politike, për rrëzimin e Qeverisë aktuale, në emër të grevave dhe pakënaqësive sociale”, u shpreh Qarri për “Kosova Sot”.
Qytetarët, të irrituar me Qeverinë abuzive
Qytetarët e anketuar rreth thellimit të kësaj krize në fushën e arsimit publik kritikojnë edhe Sindikatën e Arsimit pse nuk po gjenden mënyra të tjera të shtruarjes së kërkesave, por kritikojnë edhe Qeverinë, pasi që ishte pikërisht vendimi i kryeministrit Haradinaj për rritje pagash 100% për vete dhe kabinetin e ngushtë qeveritar shkaktari kryesor i grevës që tanimë nuk po dihet se si dhe kur do ta ketë fundin. Qytetari Fahredin Halimi mendon se grevistët e arsimit i kanë tejkaluar të gjithë kufijtë logjikë dhe ligjorë.“Unë mendoj që më së pari Qeveria nuk është dashur që t’i rrisë pagat e veta, pagat e tyre… Kjo është shumë e dëmshme për nxënësit kosovarë, është shumë dëm i madh, sepse duke pritur fillimin e mësimit 500 mijë nxënës nuk është pak, po presin studentët…, po presim krejt, sepse gjithçka po shkon në dëmin e tyre, kurse profesorëve nuk u shkon asgjë në dëm, pasi që ata përsëri i kanë dhe do t’i marrin rrogat e tyre. Ata i kanë rrogat ashtu si duhet t’i kenë, madje i kanë ndër më të lartat në rajon dhe askund si në Kosovë nuk i kanë nëpunësit e arsimit rrogat krahasuar me vendet tjera këtu për rreth nesh, në rajon. Mirëpo, pikë së pari fajin e ka Qeveria që ia rriti vetes rrogat, kryeministri Haradinaj, e mbasandaj edhe këta tjerët po kërkojnë t’u rriten rrogat, edhe mjekësia edhe shërbyesit civilë, prandaj faji dhe provokimi erdhën nga ana e Qeverisë”, theksoi Halimi.
Kritik ndaj të dyja palëve që nuk po gjejnë marrëveshje është edhe qytetari Ejup Saraçi.“Greva nuk është e mirë, sepse më së pari po pësojnë fëmija, prandaj tani duhet të reflektojë edhe Qeveria, që të analizojë pak çështjen e këtyre kërkesave, sepse ata në qeveri patën mundësi që t’i rrisin pagat për vete 100%, kurse për arsim, për shëndetësi dhe për këta të tjerët, nuk po munden. Prandaj, unë mendoj që derisa po kanë mundësi dhe para për veten e tyre, duhet të gjejnë mundësi të ngritjes së pranueshme të pagave edhe për këta të tjerët. Edhe këta normalisht që po kërkojnë tepër në nivelin 30%, por duhet të gjendet një mes më i pranueshëm”, vlerësoi Saraçi.
(Kosova Sot)


