Dhjetëra miliona zhvaten nga tenderët njëburimorë, drejtësia bën sehir
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e shohin me sy kritik dhe vlerësojnë me notë negative sistemin e drejtësisë kosovare, të instaluar tash e dy dekada, ngase sipas tyre Prokuroria në Kosovë, pavarësisht se është shkëputur nga administrimi ndërkombëtar me shpalljen e pavarësisë, edhe pas afro 11 viteve pas pavarësisë, nuk arriti dhe nuk guxoi të përballet me krimin e korrupsionin.
Kapiti: Korrupsioni është bërë i pasfidueshëm nga drejtësia
“Tërë sistemit të drejtësisë në Kosovë iu rritën të ardhurat personale, policisë iu paguan edhe mbiorët, prokurorëve dhe gjyqtarëve iu dyfishuan të ardhurat, por prapë nuk po i zgjidhin lëndët gjykatat dhe prokuroritë. Nuk ka prokurori dhe gjykatë në nivel të Kosovës që nuk është e mbushur me lëndë të pazgjidhura, të të gjitha fushave. Sidomos fushat civile, sikundër është pronësia, posedimi, e drejta e servitutit, dëmi material dhe moral, janë kryesisht të pazgjidhura. Ka lëndë që presin 10-15 vjet në sirtarët e gjykatave të tilla”, theksoi profesor Muhamet Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e shohin me sy kritik dhe vlerësojnë me notë negative sistemin e drejtësisë kosovare, të instaluar tash e dy dekada, ngase sipas tyre Prokuroria në Kosovë, pavarësisht se është shkëputur nga administrimi ndërkombëtar me shpalljen e pavarësisë, edhe pas afro 11 viteve pas pavarësisë, nuk arriti dhe nuk guxoi të përballet me krimin e korrupsionin.
Prokuroria as gjykatat nuk arritën të zbardhin dallaveret se si trafikohen e fitohen kundërligjshëm tenderët prej dhjetëra e qindra milionësh njëburimor në Kosovë, pastaj si jepen ryshfetet dhe si shpërlahen paratë përmes kompanive që fitojnë këto tenderë qindra milionësh përmes krimit të organizuar dhe të lidhura me politikën dhe nëntokën kriminale të instaluar në vend. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, shqetësimi shtohet duke parë se si njerëzit e drejtësisë, në vend se të zbulojnë e luftojnë me detyrë zyrtare ex officio krimin e organizuar e korrupsionin, dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit për mbi 19 vjet, ata pra, prokurorët dhe gjyqtarët, janë bërë një me qeveritarët dhe kryetarët sundimtarë të komunave, duke rënë ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, që parasheh tri pushtete të ndara e të pavarura nga njëra-tjetra.
Nevojitet reformim i thellë në sistem
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, theksoi për “Kosova Sot” se sistemi gjyqësor dhe prokurorial, sikundër edhe vetë strukturat e ndjekjes së krimit dhe korrupsionit, janë shndërruar në mekanizma të grupeve të veçanta politike dhe, në veçanti, të sistemit oligarko-mafioz, të sistemit ekonomik privat në vend, prandaj edhe nuk po funksionon sipas ligjeve e Kushtetutës. Sipas Kelmendit, Qeveria ‘Haradinaj’ po mundohet të lëvizë gurët për ndryshime pozitive, por ka vështirësi serioze. “Kanë arritur që oligarkët ta kapin shtetin në të gjitha drejtimet, në mënyrë qe vendin ta privatizojnë dhe të cilët menjëherë pas shpalljes së pavarësisë e futën sistemin e drejtësisë në kontroll. Tash qeveria e ka shumë vështirë të lirohet nga këta njerëz”, është shprehur ai.“Tërë sistemit të drejtësisë në Kosovë iu rritën të ardhurat personale, policisë iu paguan edhe mbiorët, prokurorëve dhe gjyqtarëve iu dyfishuan të ardhurat, por prapë nuk po i zgjidhin lëndët gjykatat dhe prokuroritë. Nuk ka prokurori dhe gjykatë në nivel të Kosovës që nuk është e mbushur me lëndë të pazgjidhura të të gjitha fushave. Sidomos fushat civile, sikundër është pronësia, posedimi, e drejta e servitutit, dëmi material dhe moral, janë kryesisht të pazgjidhura. Ka lëndë që presin 10-15 vjet në sirtarët e gjykatave të tilla”, theksoi Muhamet Kelmendi. Për ta ndryshuar këtë gjendje ai thotë se nevojitet reformim dhe ristrukturim i thellë në sistem.“Sistemit të drejtësisë në Kosovë i nevojiten dy veprime të domosdoshme që ai të bëhet sistem ligjor dhe lëndët të zgjidhen. Këtu mendoj së pari, në rekrutimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe njerëzve të rinj në sistemin e ri të drejtësisë në Kosovë. Pa njerëz të rinj në polici dhe atë në strukturën komanduese, në prokurori dhe në gjykata, ky sistem nuk shërohet dhe së dyti, në të tri këto institucione dhe me AKI-në, madje edhe në strukturat tjera të shtetit, kërkohet të bëhet një spastrim i kuadrit nga ata njerëz, të cilët si në të kaluarën edhe tash kanë rënë në kundërshtim me ligjin apo kanë kryer vepra të dyshimta”, theksoi profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Naim Kelmendi: Vetëm vetting-u i përgjithshëm do ta shpëtonte drejtësinë
Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi vazhdon të insistojë në bërjen e VETTING-ut si terapi e vetme, e cila do ta shëronte sistemin e drejtësisë kosovare në të gjitha levat e funksionimit.“Në fakt sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë imanente për një vetting të fuqishëm e përmbajtjesor, e jo për reforma sipërfaqësore, sa për sy e faqe, sikur që po propagandohen e po prezantohen. Vetting-u dhe Ligji i Dekriminalizimit do të duhej të veprojnë fuqishëm për të bërë vetë pastrimin ligjor në të gjithë sektorët e drejtësisë, në gjyqësor, në prokurori, në hetuesinë policore, në avokati etj., ngase reformë mund të ketë vetëm atëherë kur të bëhet pastrimi i plotë i prokurorisë dhe gjyqësorit nga të korruptuarit e të inkriminuarit bashkë me ata të policisë e avokatisë, ngase vetëm një vetting i përgjithshëm e substancial do e shpëtonte drejtësinë, duke e sjellë kështu një drejtësi të besueshme e ligjore, një drejtësi llogaridhënëse për qytetarin dhe substancialisht të domosdoshme për vetë sistemin ligjor. Kjo duhet të ndodhë. Pra nuk ka asnjë dyshim, sepse është fakt që “armiku” kryesor shkatërrimtar, veprues në degradim të drejtësisë e veçanërisht të gjyqësorit, ka qenë dhe mbetet politika që ka ndikimin e vet të fuqishëm, përmes interferimit, por edhe përmes ndikimit direkt, kështu që kjo tregon edhe anën e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë, në të cilin s’do mend se janë instaluar njerëz të paaftë, pa integritet profesional e moral, kështu që ata do të duhej të zëvendësohen nga njerëz profesionistë dhe njerëz me integritet njerëzor e profesional”, është shprehur analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.
Miftari: Ligjet kanë vdekur, mafia sundon në Kosovë
Sipas Naim Miftarit, njohës i fushës së të drejtës dhe sigurisë, tanimë nuk ka asgjë sekrete, por të gjithë e dinë se sa fuqishëm janë të lidhura strukturat e institucioneve politike dhe të drejtësisë me krimin e organizuar, prandaj edhe nuk funksionon drejtësia. “Edhe zogjtë në mal e dinë se për ta marrë një tender qeveritar duhet së paku 20% të vlerës së tenderit ta paguani ryshfet. Kjo vlen për tenderët e zakonshëm, por kur vjen puna te tenderët milionësh, aty shfaqen njerëzit tjerë, oligarkët e politikanëve dhe partive që janë të korruptuar dhe ku bosët e nëntokës dhe të partive politike zhvatin shtetin dhe popullin me qindra miliona. Prokuroria as që guxon të shfaqet e të hetojë raste të tilla. Kjo madje është sprovuar në disa raste serioze sikur ka qenë afera e pasaportave, KEK-u, PTK-ja, Policia, ‘Trepça’, ‘Bechtel&Enka’ dhe shumë e shumë… qindra afera tjera që prokurorët ‘tanë’ nuk kanë guxuar t’i hetojnë. Kjo na ka treguar se asgjë nuk bëhet pa dijen e bosëve shtetërorë, që në fakt janë edhe bosët e mafisë që me korruptimin edhe të disa zyrtarëve ndërkombëtarë e kanë gllabëruar Kosovën duke përvetësuar, keqpërdorur financat dhe pasuritë e panumërta të Kosovës. Dhe, tani është e pamundur që në kësi lloj ambienti politik sot të sundojnë drejtësia, ligji dhe shteti ligjor. Thuhet që shpresa nuk vdes kurrë, por pa pastrimin e drejtësisë dhe të gjitha organeve të ligjit nga dora e mafisë politike, si të asaj vendore edhe ndërkombëtare, ligji është i vdekur në Kosovë, është vetëm një shkrim pa vlerë, si në një fletore apo libër, pasi nuk ka kush t’i implementojë ligjet”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Kapiti: Qeveris mafio-oligarkia
Analisti Skënder Kapiti thekson për “Kosova Sot” se edhe pse Kosova po i mbush 11 vjet që nga shpallja e Pavarësisë, prej 11 vjetësh Kosova akoma nuk ka ngritur dhe as formësuar, e as nuk e ka vënë në funksionim shtetin demokratik dhe ligjor, nuk e ka fituar akoma Kosova betejën kundër krimit të organizuar dhe as luftën kundër korrupsionit.“Por, përkundrazi, korrupsioni është instaluar në sistem dhe është bërë i pasfidueshëm nga ligji dhe drejtësia. Kjo sepse vetë ligji dhe drejtësia janë kapur dhe dirigjohen,drejtohen dhe imponohen nga politika dhe drejtësia e korruptuar dhe e kriminalizuar. Kur korruptohen strukturat shtetërore, ato të politikëbërjes parlamentare, ato qeverisëse qendrore dhe ato vendore komunale, si ato gjyqësore e administrative, aty shteti ka falimentuar dhe lëviz sa për inerci. Në këto kushte drejton e qeveris mafio-oligarkia, si një grup i ngushtë interesi, e cila ligjin, drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë i konsideron dhe i përdor si mjete për të kapur dhe arrirë qëllimet, si dhe për të realizuar interesat e ngushta personale. Për mafio-oligarkët gjithçka është treg, pazar dhe ankand, edhe ligji, edhe e drejta, edhe pasuria kombëtare, edhe të drejtat e qytetarëve. Ligji i mafio-oligarkisë politike dhe juridike është përfitimi dhe abuzimi, shfrytëzimi i posteve, detyrave, pushtetit dhe i autoritetit, i pasurive dhe i parasë publike për përfitime personale, familjare, klanore dhe partiake, mbi ato publike e kombëtare. Pushtetet në demokraci janë të ndara, por në sistemin korruptiv dhe hajduto-kleptokrat, si në Shqipëri dhe në Kosovë, të tri pushtetet janë bashkë dhe i bashkon antiligji, antishteti, korrupsioni dhe vjedhja. Këtë e vërteton fakti se asnjë prej politikanëve e pushtetarëve të lartë të krimit dhe korrupsionit nuk është vënë para drejtësisë”, theksoi analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


