Nëntoka kriminale nënshtroi drejtësinë
Duke iu referuar shifrave zyrtare të raportuara për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme gjatë vitit që mbeti pas, bazuar me legjislacionin në fuqi, e që nuk flasin për ndonjë rezultat as si minimal të zbatimit të ligjit, njohësit e kësaj fushe ligjore konsiderojnë se dështimi në këtë temë tregon më së miri se si po dorëzohet përfundimisht drejtësia kosovare përballë mafio-oligarkëve të pasuruar me zhvatje qindra milionëshe të buxhetit të shtetit të krijuar me taksat dhe kontributet tjera të qytetarëve.
Kapiti: Krimi gjithfarësh që ka kapur shtetin, ligjin, drejtësinë, politikën, e ka burimin te krimi ekonomik dhe korrupsioni
“Mosndëshkimi i nëntokës së fuqishme kriminale dhe klaneve mafioze të korruptuara e të instaluara, gjithandej në institucione të shtetit dhe në parti politike të inkriminuara, i ka bërë qytetarët të pashpresë dhe fare pa perspektivë. Nuk ka një drejtësi efikase dhe drejtësia ose pjesë të saj, duke mos reaguar e vepruar sipas ligjit ndaj klaneve të nëntokës kriminale, fatkeqësisht është bërë edhe vetë pjesë e klaneve kriminale”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”
Duke iu referuar shifrave zyrtare të raportuara për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme gjatë vitit që mbeti pas, bazuar me legjislacionin në fuqi, e që nuk flasin për ndonjë rezultat as si minimal të zbatimit të ligjit, njohësit e kësaj fushe ligjore konsiderojnë se dështimi në këtë temë tregon më së miri se si po dorëzohet përfundimisht drejtësia kosovare përballë mafio-oligarkëve të pasuruar me zhvatje qindra milionëshe të buxhetit të shtetit të krijuar me taksat dhe kontributet tjera të qytetarëve.
Vetëm një ditë më parë koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, duke folur për raportin e vitit të kaluar, ka raportuar se deri më tani është shënuar vetëm një rast i raportuar i konfiskimit të pasurisë, e që bëhet fjalë për një vlerë prej 23 mijë euro, që sipas njohësve të kësaj fushe konsiderohet një shumë qesharake që as nuk vlen të përmendet. Analistët dhe ekspertët e fushës së drejtësisë vlerësojnë se kjo është edhe një dëshmi shtesë që flet se si sistemi i drejtësisë kosovare është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar, të cilët edhe i mbrojnë mafio-oligarkët e inkriminuar, e cilët e shkatërruan edhe shtetin ligjor përmes zhvatjeve kriminale qindra milionëshe.
Preteni:23.000 euro të konfiskuara për një vit!!!
Sipas Hasan Pretenit, njohës i mirë i kësaj fushe, për dy mandate në krye të AKK-së, pikërisht kjo gjendje tregon më së miri që edhe institucionet e drejtësisë nuk janë gjë tjetër veçse kopje besnike e institucioneve të ndërtuara, por edhe të kapura kriminalisht nga politika. “Po, fatkeqësisht kjo logjika e krijimit të mekanizmave dhe punësimit të “klientelës” pa asnjë kriter që nga politika e deri tek gjyqësori po e kanë logjikën e njëjtë. Qeveria është mbushur me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, 80 zëvendësministra, 35 këshilltarë kryeministri, 55 këshilltarë zëvendëskryeministrat,147 këshilltarë ministrash dhe 80 këshilltarë zëvendësministrash. Pastaj edhe në Presidencë dhe Kuvend këshilltarë, koordinatorë dhe personel tjetër që as vetë nuk dinë se çka punojnë dhe për çka paguhen”, theksoi ai për “Kosova Sot”.
“Në ndërtesat qeveritare më shumë ka personel se ulëse. Tek gjyqësori e njëjta logjikë, plot ish-kryeprokurore- e ish- kryegjyqtarë, këshilltar- e vozitës edhe për eksport. Tek prokuroritë ka koordinatorë sa t’i hajë dreqi. Koordinator për luftën kundër korrupsionit, koordinator nëpër të gjitha prokuroritë, koordinator për krimin e organizuar, koordinator për luftimin e krimit ekonomik, tani duhet të kemi edhe një koordinator të koordinatorëve. E rezultatet… 23.000 euro të konfiskuara për një vit!!! Siguroj se ato janë vlerat e druve, automjeteve dhe bagëtive. E gjithë vlera është më e vogël se paga vjetore e një koordinatori. Nuk ka të burgosur e nuk ka as konfiskime. Duhet me urgjencë edhe këta gjyqtarë të kalojnë e të bëhen koordinatorë ose të kalojnë në prokurori e të bëhen zëvendësprokurorë. Edhe kështu nuk po kanë punë. Punë është dashur të kenë hetuesit dhe prokurorët, por edhe ata disi po “hezitojnë” të punojnë. Po u vjen keq t’i hapin rastet e kërdisë financiare që po i bëhen këtij vendi. Prokurorët u janë bashkangjitur heshtazi grevistëve tjerë, si në arsim, në shëndetësi, minatorët, doganierët, shërbyesit civilë dhe të tjerët. Derisa greva e këtyre të parëve po numërohet me ditë, greva në heshtje e “pushtetit të tretë po zgjat që 20 vjet”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
Burjani: Kapja e drejtësisë pengon konfiskimin
Ligjëruesi Blerim Burjani mendon se pikërisht kjo gjendje tregon se si korrupsioni, zhvatja dhe kriminaliteti i lartë i shkaktuar nga njerëz që thonë se merren me politikë është alarmante dhe me këto probleme nuk merret askush si duhet dhe nuk zbatohet ligji.“Nuk ka të ndalur dhe i mbrojtur si rezultat i kapjes së drejtësisë, kjo është evidente, nuk ka raste kur politikanëve u është bërë konfiskimi i pasurisë, edhe pse kjo çështje nuk është e komplikuar. Mjafton të verifikohet deklarata e dhënë e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion dhe më pastaj e tërë pjesa e mosarsyetimit me dokumente valide duhet të konfiskohet. Mirëpo e keqja është këtu se fare as që ka filluar ky proces të ndodhë, andaj vazhdon pa ndalë korrupsioni dhe format tjera negative, vazhdon varfërimi ekonomik dhe keqpërdorimi i buxhetit”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Kapiti: “Peshqit e mëdhenj” amnistohen
Eksperti tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, ka thënë për “Kosova Sot” se dihet mirëfilli që krimi gjithfarësh që ka kapur shtetin, ligjin, drejtësinë, politikën, e ka burimin te krimi ekonomik dhe ai i korrupsionit.“Pushteti kriminal politik dhe ai gjyqësor nuk do të ishin kaq të fuqishëm dhe sfidues kundër ligjit, kundër shtetit dhe kundër ligjit pa mbështetjen e fuqishme ekonomike e financiare. Kush i ka në Shqipëri dhe në Kosovë në dorë politikën, pushtetin dhe drejtësinë, ka edhe mbështetjen financiare dhe atë ekonomike. Fakti i deklarimit të koordinatorit për luftimin e krimit ekonomik, ku vetëm në një rast është bërë konfiskimi i pasurisë me një vlerë 23 mijë euro, është treguesi më i mirë i gjendjes tejet skandaloze, në të cilën gjendet sot realiteti politik , qeverisës dhe sidomos ai i drejtësisë në Kosovë. Kjo tregon më të vërtetë konstatimin dhe perceptimin real të gjendjes katastrofike, ku gjendet drejtësia në Kosovë me sundimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe në dështimin e ngritjes së tij”, u shpreh ai.“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy kushtet kryesore që e mbajnë si Shqipërinë dhe Kosovën larg integrimit në BE, dhe deri më sot asnjë personazh VIP, apo ‘peshk’ i madh politik dhe juridik i krimit dhe i korrupsionit në Kosovë nuk është hetuar dhe as ndëshkuar. Politika dhe drejtësia e kriminalizuar dhe e korruptuar janë aktorët dhe autorët kryesorë, të cilët e kanë falimentuar shtetin dhe e kanë prishur demokracinë, shoqërinë dhe drejtësinë. Ata janë aktorët të cilët e mbajnë peng shtetin dhe integrimin e brendshëm demokratik-ligjor, si dhe integrimin evropian; ata janë autorët e papunësisë, varfërisë dhe të korrupsionit e të pasigurisë ligjore dhe ekonomike, prej të cilëve rinia kosovare vetëm sa kërkon të largohet nga atdheu”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.
Kapitullimi përballë krimit
Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, duke analizuar këto raportime, thotë se vetëm sa po dëshmohet që drejtësia e shtetit tonë jo që është dorëzuar para krimit të organizuar, por është edhe vetë pjesë e krimit të organizuar, pra është lodër e politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar.“Çka presim nga prokurorët që i ka zgjedhur dhe i zgjedh prapë Adem Grabovci dhe tipa politikë të tillë të korruptuar, që faktikisht përbëjnë shtyllat kryesore të krimit të organizuar. Çka presim nga prokurorët specialë e kryeprokurorët lodra të Hashim Thaçit, që pak para Gjykatës Speciale ia heqin si avokat të presidentit, ia blejnë të gjithë dëshmitarët me rend, dëshmitarët e mundshëm që do të mund të dëshmonin kundër presidentit Thaçi, çka presim nga kjo drejtësi shtet ku një prokuror special ngrit dyshime mbi krimin e organizuar institucional në çështjen e veteranëve të rrejshëm mbi 30.000 veteranë të rrejshëm dhe menjëherë ky prokuror etiketohet nga njerëzit kryesor të shtetit si hajn,pishpirik, si pro serb, si frikacak…..dhe kërcënohet edhe hapur me vdekje, me vrasje, i kërcënohen familja dhe detyrohet ta braktisë shtetin duke dhënë dorëheqje”, tha Miftari për “Kosova Sot”.
Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, tani një situatë e tillë e bën edhe më të domosdoshme nevojën e nxjerrjes së ligjit VETTING, sepse po dëshmohet dita -ditës sa e fortë është lidhja e treshes kriminale politikë-drejtësi-krim i organizuar. “Siç po shihet, tashmë edhe me këtë qeveri aktuale dhe me këtë Kuvend të stërkequr si asnjëherë më parë, nuk ka gjasa të ketë VETTING për këtë sistem të drejtësisë dhe vetë pastrim të pushteteve nga krimi e korrupsioni, sepse edhe qeveritarët dhe deputetët e shumtë aktualë po shohin se si të pasurohen e të mos preken nga drejtësia, as ata personalisht si individë, por as njerëzit e tyre në të tri pushtetet, e jo të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar , kur ata mund t’i nxjerrë si humbës”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, për qytetarët e Kosovës dhe për këtë shtet akoma të pakonsoliduar sa duhet është një fatkeqësi e madhe që edhe më tutje po injorohet mungesa e sundimit të ligjit nga klasa politike në Kosovë, qoftë pozitë, qoftë opozitë.
(Kosova Sot)


