UBT

Drejtësi skandaloze, mijëra lëndë parashkruhen

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e fushës së drejtësisë konsiderojnë se nga mospuna e prokurorive dhe gjykatave, në nivel vendi, gati sa nuk është shpallur edhe zyrtarisht paraliza e tërë sistemit gjyqësor nga lëndët e vjetra e të bartura vit pas viti, por të cilat “mrizojnë” në sirtarë dhe nuk e kanë një epilog përfundimtar.

Kapiti: Padrejtësia e drejtësisë dhe e mafio-oligarkisë mposht dhe kërcënon të gjithë ata të cilët guxojnë që t’i kundërvihen asaj

“Lëndët e vjetra tash, shumica, mbi 90%, duhet të parashkruhen, pasi u ka kaluar edhe afati kohor për vendosje. Problemi i lëndëve të vjetra më nuk është tek çështja e bllokimit të sistemit, deri buzë kolapsit, por është problem i efikasitetit të dobët të gjyqësorit. Ky mosefikasitet ka bërë që lëndët të mblidhen me vite, e disa nuk janë trajtuar edhe qëllimisht, derisa shumica kanë mbetur për shkak se gjyqtarët janë të ngathtë, edhe pse lëndët e reja po vijnë pandërprerë”, potencoi Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së drejtësisë konsiderojnë se nga mospuna e prokurorive dhe gjykatave, në nivel vendi, gati sa nuk është shpallur edhe zyrtarisht paraliza e tërë sistemit gjyqësor nga lëndët e vjetra e të bartura vit pas viti, por të cilat “mrizojnë” në sirtarë dhe nuk e kanë një epilog përfundimtar.

Dhe, derisa është kështu, edhe qytetarët nuk e marrin drejtësinë e merituar. Fitues në këto raste dihet se kush del, nga kaosi në sistemin e drejtësisë. Kryesisht politikanët e inkriminuar si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafio-oligarkët, që janë përfituesit më të mëdhenj të kësaj gjendje, pasi që vetëm kështu kurrë nuk do t’i ndjekë kjo drejtësi e kalbur. Po ashtu kjo gjendje tregon se sa është kapur një sistem i tërë juridik prej mafio-oligarkëve të kriminalizuar politikë, nëntokës mafioze dhe mafio-oligarkëve të biznesit, që është vështirë tani të shkëputet. Sipas profesorit të së drejtës, Blerim Burjani, grumbullimi i lëndëve të vjetra ka ardhur deri në atë situatë saqë shumica e tyre tani edhe mund apo duhet të parashkruhen, pavarësisht se shkelen të drejtat e njeriut, apo ndodh amnistimi i ndonjë rasti specifik kriminal, sepse ndryshe nuk zhbllokohet sistemi.

Burjani: Krimet, në përmasa alarmante

“Një element tjetër për t’u shqetësuar është akoma më i çuditshëm dhe alarmant. Është e çuditshme se si vjen raporti i rritjes së krimit me numrin e gjyqtarëve, aq ka pasur vepra penale që kryhen në një shtet të vogël saqë nuk ka kapacitet për trajtim apo edhe nevoja për të pasur burgje të reja të ndërtuara. Kjo është jonormale me një shtet të vogël, ku ka përplot raste të kryerjes së veprave penale, sidomos kur t’i shtohen edhe rastet e bosëve politikë që kurrë as nuk kanë filluar të trajtohen. Atëherë kjo është mjaft e çuditshme dhe për këtë arsye po del se Kosova më shumë ka nevojë për gjyqtarë sesa për mësues të shkollave. Po e them këtë me pak sarkazëm, sepse realisht numri i nxënëseve po bie gradualisht përderisa numri i gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve po rritet dhe kjo është mjaft brengosëse. Gjyqtarët dhe prokurorët mbajnë edhe punë tjera, kontrata të shumëfishta, dhe kuptohet që kjo është absurd të pritet që të zgjidhen lëndë të shumta me qindra-mijëra lëndë në pritje”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Të dhënat tregojnë dështim

Mobi Casa

Sipas njohësit të kësaj fushë, Hasani Preteni, për ta tejkaluar këtë gjendje, duhet të mbahen takime me përmbajtje në mes të dy këshillave, KPK-së dhe KGJK-së.“Ishte kryetari i Gjykatës Supreme për mua njeri me integritet, ai që dje i publikoi disa të dhëna që duhet të analizohen me urgjencë. Nga të gjitha lëndët që janë trajtuar, kanë qenë vetëm tri lëndë për korrupsion. E tani këto të dhëna duhet analizuar në takimin e përbashkët dhe të shikohet se ku po çalon. Nga kjo del se problem është organi i akuzës, janë hetuesit dhe janë prokurorët ata që nuk po punojnë. Nuk po i hapin rastet sipas detyrës zyrtare, edhe pse raportimet e medieve janë përplot informacione edhe atë në baza ditore, nuk po i trajtojnë kallëzimet e qytetarëve, nuk po i trajtojnë informatat që dalin nga Raporti i Zyrës së Auditorit Kombëtar, nuk po i trajtojnë kallëzimet që u vijnë nga Dogana, Policia dhe mekanizmat e tjerë ligjorë dhe kushtetues.

Është Prokuroria ajo tek e cila është tani topi dhe e cila duhet të tregojë ku është problemi? Gjykatat po raportojnë se ato nuk kanë raste për korrupsion, e ku po treten ato?”, u shpreh ai.“Duhet të ketë presion të fuqishëm publik se çka po ndodh dhe kush është fajtori për situatën që e kemi. Një dëshmi se prokuroritë nuk janë askund janë edhe informatat që dolën mu nga ata. Dje u publikua një raport se ato 48 rastet e shenjëzuara për “liberalizim” nuk qenkan përfunduar. Prapë faji i prokurorisë. I vetmi kusht, nëse është kërkuar nga Brukseli, është i plotësuar, ky rasti i Burdushit…,i gjori iu shërbei të gjithëve dhe në fund e futën në burg dhe ia sekuestruan pasurinë, e kjo mund t’i ketë dy arsye, një nuk u kanë bërë hair hajmalitë dhe nën dy po duan me ia marrë lekët që ia kanë dhënë. I gjori nuk e ka mbështetjen e politikës dhe do kthehet në asistencë sociale”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Kapiti: Mafia dirigjon sistemin

Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, nga Durrësi, me këtë gjendje më së miri vlerësohet guximi patriotik, guximi intelektual, guximi mediatik dhe guximi moral, e që kur shihet ky lloj kolapsi del se që të gjitha këto janë mposhtur nga guximi mafioz.“Mafia do të thotë guximi i më të fortëve të politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë, për të bërë gjithçka korruptive, vjedhje, papërgjegjësi e tradhti, pasi ata kanë mbështetje dhe mbrojtje pandëshkueshmërie nga drejtësia. Padrejtësia e drejtësisë dhe e mafio-oligarkisë mposht dhe kërcënon të gjithë ata të cilët guxojnë që t’i kundërvihen asaj. Dhe në këtë gjendje: patriotizmi dhe intelektualizmi pozitiv kalojnë në indiferentizëm dhe në mosveprim; antivlerat mposhtin vlerat; korrupsioni dhe krimi mposhtin ligjin, drejtësinë dhe moralitetin; injoranca bën dhe luan rolin e kompetencën, të diturisë dhe të meritokracisë; tradhtia sfidon dhe kërcënon kombëtarizimin; anarkia zbon demokracinë. Dhe, fajtori e faktori kryesor i kësaj zallamahie gjithëpërfshirëse janë padrejtësia e drejtësisë prej së cilës vjen krimi, korrupsioni dhe sundimi i antiligjit dhe antishtetit, pra ligji i xhunglës, ligji i më të fortëve të hajnisë e korrupsionit, që janë pushteti politik, juridik dhe ekonomik e financiar i mafio-oligarkisë. Prandaj, edhe kjo mafio-oligarki politike e pushtetit, e drejtësisë dhe ajo mediatike e pengojnë dhe nuk e duan VETTING-un”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Shpërfillja e ligjeve dhe Kushtetutës

Prof. i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjendjet e tilla krijohen zakonisht kur shpërfillen ligjet e Kushtetuta dhe mungon llogaridhënia.“Në vendin tonë është fakt evident se nuk përfillet ligji i aplikuar. Së andejmi, paligjësitë, parregullsitë dhe zhgënjimet e qytetarëve për cenimin e të drejtave të garantuara me rendin juridik të vendit tonë. Format e shkeljeve të të drejtave të qytetarit dhe të njeriut në vendin tonë kanë konstanten nga viti 2000 e tutje. Shkelje të të drejtave të njeriut e të qytetarit bëhen në të gjitha sferat socio-ekonomike. Punësimet bëhen në vend të kritereve meritokratike, sipas statuseve partizane në subjektet politike. Të tillët e të tillat zakonisht janë të paaftë për të ushtruar funksione e punë profesionale sa dhe si kërkohet”, u shpreh ai.

“Në sistemin edukativ nis nga niveli fillor, duke e përfshirë atë universitar, dhe manifestohen dështime më se të ndryshme. Në vend të arsimit profesional, veçanërisht të nivelit të mesëm, prodhohen profile të përgjithshme të paafta për punë konkrete në cilëndo lëmi. Në nivelin universitar nuk ekziston arsimi profesional nga viti i parë i ndërlidhur ngushtë me trajnime praktike. Shumë akte ligjore në aplikim janë të mangëta dhe kundërthënëse, të cilat si të tilla edhe kur do të ekzistonte vullneti politik për zbatimin e tyre, si të tilla janë problematike dhe krijojnë dilema, zvarritje të zgjidhjeve të çështjeve juridike të caktuara. As në administratën publike, as në sistemin e drejtësisë, nuk ekziston praktika administrative e gjyqësore e mirëfilltë, e cila do të ndihmonte në aplikimin e balancuar të dispozitave legale”, vijoi më tutje Smaka. “Në raste jo të rralla nuk ekziston as vullneti politik i mirëfilltë dhe i përkushtuar për zbatimin e ligjit, për çka shkaktohen pa përfillje të akteve juridike të përgjithshme në raste dhe pjesë të caktuara të tyre”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)