UBT

Kërcënimi më i madh vjen nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe padrejtësia

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Duke parë shtrirjen përtokë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të kapur e të ndikuar nga politika, njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se gati ka arritur edhe kjo drejtësi e tanishme të bëhet afërsisht e ngjashme, ndoshta herë- herë edhe më e keqe se në kohën e komunizmit serbo-jugosllav, kur nga ajo kanë pësuar vetëm kritikët e kundërshtarët e ish-regjimit, ndërsa hajnat e pushtetarët në Kosovë janë amnistuar gjithnjë, duke qenë e duke mbetur të paprekshëm dhe mbi ligjin dhe Kushtetutën.

Kapiti: Krimi, korrupsioni dhe padrejtësia politike, juridike dhe administrative e kanë kapur edhe shtetin, edhe shoqërinë

“Këtyre të tanishmëve, që po na kalërojnë tashmë 20 vjet, mos u zini besë. Këta nuk përmirësohen. Këta tradhtinë dhe hajnin i kanë gjenetike, nuk ndryshojnë pa i çarmatosur nga pushteti, pa i dërguar në burg qoftë në Kosovë, qoftë jashtë saj dhe pa ua marrë pasurinë. Këta më shpejt e harrojnë vdekjen e familjarit sesa humbjen e pasurisë”, thotë ishkreu i AKK-së, Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Duke parë shtrirjen përtokë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të kapur e të ndikuar nga politika, njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se gati ka arritur edhe kjo drejtësi e tanishme të bëhet afërsisht e ngjashme, ndoshta herë- herë edhe më e keqe se në kohën e komunizmit serbo-jugosllav, kur nga ajo kanë pësuar vetëm kritikët e kundërshtarët e ish-regjimit, ndërsa hajnat e pushtetarët në Kosovë janë amnistuar gjithnjë, duke qenë e duke mbetur të paprekshëm dhe mbi ligjin dhe Kushtetutën.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se akoma në sistemin e drejtësisë kosovare në shumicë drejtojnë po këto institucione njerëz me të kaluar të atij regjimi dhe nuk kanë ndryshuar fare. “Së pari, se shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve të tashëm janë mu të ishregjimit, ndaj nga këta nuk priten veprime të tjera, pos të njëjta. Së dyti, kemi të bëjmë me struktura që në ish- regjim kanë treguar një armiqësi të madhe ndaj kundërshtarëve të sistemit të atëhershëm. Kemi me qindra e mijëra vetë që kanë kaluar nëpër sistemin e tillë dhe ata të gjithë janë trajtuar barbarisht. Se treti, janë struktura të shantazhuara nga e kaluara dhe e tashmja, sepse janë të zhytur në veprimtari armiqësore në ish- sistem, ndërsa tash janë në shërbim të klikave politike dhe mafioze ekonomike të sektorit privat dhe se katërti, këta njerëz nuk e kanë vendin në sistem të drejtësisë për të ndarë të drejtën, por këta duhet të jenë objekt i drejtësisë për veprat e tyre”, theksoi ai për “Kosova Sot”.

Preteni: Titullarët e institucioneve janë të shantazhuar!

Sipas njohësit të kësaj fushe Hasan Pretenit, gjatë luftës, por edhe më parë mendonim, ishim të sigurt se vetëm një armik e ka Kombi, edhe atë Serbinë dhe pushtetin e saj. “Me fitimin e lirisë mendonim se do të bëjmë shtetin duke u sakrifikuar tani në paqe, të jetojmë në asistencë sociale vetëm e vetëm të bëjmë shtetin. Kot. Hipokrizi,pas një jave në liri filluan uzurpimet, filloi ndarja e “gjahut” kush ku kontribuoi dhe kunja çka i takon. E gjithë prona shtetërore-publike u asgjësua shpejt, asnjë veprim në krijimin dhe mbrojtjen e interesit publik.

Uri dhe pangopësi e paparë. Fatkeqësisht, që dy dekada dhe as nuk shihet ndryshimi i qasjes. Uri për të grabitur dhe për të përfituar sa më shumë. Apetitet nuk po kanë të ndalur, sa më shumë po kanë aq më shume po ndjejnë uri. Nuk po dallojnë as nga prejardhja sociale, as nga përkatësia partiake, as nga ata që kontribuuan në paqe e as ata që kontribuuan në luftë. Të gjithë iu kanë dhënë epsheve për të grabitur dhe për të zhvatur”, u shpreh ai.

“Titullarët e institucioneve janë të shantazhuar dhe të kapur në njërën anë nga politika, e në anën tjetër nga pasuria e krijuar në mënyrë të paligjshme. Rreth vicioz vështirë i ndryshuar. Në fillim të çdo viti po përsëriten frazat e njëjta, do të bëhet mirë. Pa u bërë ne të mirë, nuk bëhet mirë. Në shënimin e dy dekadave të lirisë uroj të lirohemi edhe njëherë, jo nga armiku i jashtëm, por nga armiku i brendshëm. Qytetari i Kosovës duhet të jetë më aktiv jo vetëm për emisionet “Hajt Pak”, por duke vepruar pak nga pak. Revoltë e përgjithshme kundër pushtuesit të brendshëm.

Lirimi i institucioneve dhe fuqizimi i votës, mos të shitet vota për 20 euro, mos të shitet vota për një drekë ose për një darkë, mos të shitemi lirë. Të angazhohemi që në pushtet të vijnë vetëm ata që janë dëshmuar me vepra e jo me fjalë,vetëm ata që nuk u koriten duke vjedhur e duke grabitur,vetëm ata që nuk blenë diploma pa pasur dije. Duhet të jetë një vit i kthesës, kemi nevojë për rifreskim të shpresës”, theksoi më tej Preteni për “Kosova Sot”.

Kapiti: Kërcënimi më i madh vjen nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe padrejtësia

Uji Dea

Sipas ekspertit të kësaj fushe Skënder Kapiti, nga Durrësi, në mënyrën dhe faktin se si dhe me atë se çfarë ndodhi, si në Shqipëri dhe në Kosovë pas sistemeve komuniste, në faktin se demokracia dhe sistemi i saj u kapën nga korrupsioni , kjo do të thotë se regjimi komunist u zëvendësua nga një regjim tjetër, nga ai i korrupsionit, pavarësisht reklamimit dhe dukjes sipërfaqësore si sistem demokratik e pluralist.

“Sistemi demokratik armikun më të madh dhe kërcënimi më i madh atij i vjen nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe padrejtësia. Dhe, a nuk janë pikërisht këto të tria: krimi, korrupsioni dhe padrejtësia politike, juridike dhe administrative, ato të cilat kanë kapur edhe demokracinë, edhe shtetin, edhe shoqërinë në të dy shtetet shqiptare.

Prej këtij realiteti është mundësuar lirisht korrupsioni dhe hajdutëria institucionale dhe e personave të veshur me pushtet politik dhe juridik e të cilët kanë imunitet të sigurt pandëshkueshmëri për zullumet, dëmet, papërgjegjshmërinë dhe për hajdutërinë e vjedhjen që ata i bëjnë shtetit, shoqërisë, parasë dhe pasurive kombëtare dhe të qytetarëve. Kjo ishte gjendja e rëndë të cilën e kaloi Kosova edhe gjatë vitit 2018, e që tashmë shpresohet se viti 2019 do të fillojë të ndryshoje diçka për nga më e mira , po qe se do të lëvizë shoqëria civile, rinia studentore dhe ndihma e përkushtimi i SHBA-së për VETTING-un në politikë dhe në drejtësi”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Haziri: Presioni ndërkombëtar sjell rezultate

Edhe analisti Arsim Haziri nuk pret ndryshime në këtë sistem pa u ndryshuar paraprakisht politika dhe mentaliteti i veprimit politik karshi sistemit të drejtësisë. “Ndryshimet në mënyrën e funksionimit nuk mund të jenë rezultat i përpjekjes e angazhimit të liderëve tanë, ato konsideroj se mund të marrin formë konkrete pas një presioni ndërkombëtar, siç ndodhi në rastin e Shqipërisë.

Është përpjekja ndërkombëtare, ajo e cila mund të ndikojë që vendi të marrë disa reforma radikale në sistemin multidimensional, kjo përpos që do ta sabotonte sistemin e kriminalizuar politik, njëherësh do ta rikuperonte gjendjen socio-ekonomike në vend. Kosova me sistemin implementues të vetting-ut mund t’i zhbëjë anomalitë qe janë instaluar rrënjësisht brenda autoriteteve bazike”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Reforma duhet bërë në disa drejtime

“Republika varet nga këta prokurorë dhe gjyqtarë, prandaj edhe ua rritën të ardhurat në maksimum, si formë tjetër e korrupsionit. Kam thënë dhe po e përsëris: Edhe 10 mijë euro le t’u bëhen rrogat këtyre elementëve, Kosova nga këta kurrë nuk do të ketë shtet ligjor. Janë subjekte që duhet të japin llogari. Ata nuk e meritojnë vendin që e kanë në sistem të drejtësisë”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Edhe prof. Blerim Burjani shpreson që kjo situatë mund të tejkalohet vetëm me reformimin e sistemit të drejtësisë, reformim në përmbajtje dhe jo në formë. “Drejtësia duhet të reformohet në disa drejtime: kadrovike, administrata gjyqësore, prokuroria, por pa vetting s’ka asgjë, pra s’mund të ketë as reformë e as asgjë. Kërkesa me elementare është që Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë ligjin për vetting, duhet të ndalen kontratat e dyfishta që merren me mësimdhënie nëpër kolegje private, madje publike, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të kenë kontrata të dyfishta, kontratat e tyre janë deri në 65 vjet, pra shteti garanton pagën dhe i garanton të gjitha çështjet me ligj, e në Kosovë kërkohet edhe ligji në rastet e rrezikimit”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)