Kushti i ri për Kosovën, liberalizimin në këmbim të ndarjes
Analistët politikë vlerësojnë se derisa viti i kaluar ishte vit i dështimit të Kosovës për ta fituar liberalizimin e vizave, pavarësisht vlerësimit pozitiv për kinse përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara nga BE-ja, tani Kosova po rrezikohet me vendosjen e një kushti të ri për ta fituar këtë të drejtë të lëvizjes së lirë, që ndërlidhet me bisedimet me Serbinë dhe kompromiset e dhimbshme në këtë proces, ngjashëm sikur që ndodhi dhe u bë kusht dhe precedent demarkacioni me Malin e Zi.
Zeqa: Të pabesëve nuk u zihet besë!
“Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, z. Rainer Vieland, e bëri të qartë edhe një herë se ideja e çmendur e Hashim Thaçit për lëvizjen e kufijve Kosovë-Serbi, e planifikuar nga Thaçi-Vuçiq, nën tutelën e Edi Ramës dhe ndërmjetësimin e mercenarëve të paguar mediatikë e biznesorë të botës së mafisë vendore, është me shumë rrezik për Kosovën dhe të gjithë rajonin. Ndërsa njerëzit e Kosovës ende e kanë të freskët rastin e demarkacionit me Malin e Zi, kur papritmas me kërkesën e vetë politikanëve të shantazhuar të vendit u shfaq befas demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave, gjë që sërish mund të përdoret një ide si kjo, e lindur dhe e eksploruar në zyrat mercenare të Prishtinës.
Ndaj, është koha që, para se kjo të ndodhë, qytetarët përfundimisht të përcaktohen se a do të pranojnë të japin përsëri territor për të lëvizin pa viza, pasi ky lidership ka dëshmuar se pa asnjë hezitimin është i gatshëm ta ndajë edhe përgjysmë Kosovën tonë të vogël, vetëm e vetëm që këta të vazhdojnë të mbeten në politikë dhe në pozita shtetërore”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.
Analistët politikë vlerësojnë se derisa viti i kaluar ishte vit i dështimit të Kosovës për ta fituar liberalizimin e vizave, pavarësisht vlerësimit pozitiv për kinse përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara nga BE-ja, tani Kosova po rrezikohet me vendosjen e një kushti të ri për ta fituar këtë të drejtë të lëvizjes së lirë, që ndërlidhet me bisedimet me Serbinë dhe kompromiset e dhimbshme në këtë proces, ngjashëm sikur që ndodhi dhe u bë kusht dhe precedent demarkacioni me Malin e Zi.
Sipas analistëve, ka rrezik që Kosova të detyrohet të pranojë edhe marrëveshje të dëmshme që na humb sërish territor, që të thuhet se do të arrihet më në fund liberalizimi i vizave. Rreziku për një kompromis të tillë vjen e bëhet akoma më serioz duke pasur në krye të shtetit politikanë të pasinqertë, të korruptuar dhe të dëmshëm për qytetarët, ngase atyre nuk ke si t’u zësh besë derisa u shantazhuan në shumë raste të dëmshme për Kosovën deri më tani, theksojnë analistët.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Vieland, që vizitoi të mërkurën Prishtinën, solli dy mesazhe të qarta për dy tema që sigurisht edhe sivjet do ta dominojnë jetën politike, ndërsa la të kuptohej se edhe kushte të reja mund t’i vendosen Kosovës, duke pohuar se janë disa qeveri evropiane që nuk janë bindur ende për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Parlamentari i BE-së, ndonëse nuk u lëshua në supozime rreth kësaj çështjeje, e bëri të qartë se ideja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, bazuar në lëvizjen e kufijve, është me shumë rrezik.
Plani mafioz duhet ndalur
Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj konsideron se politikanët tanë të shantazhuar e të korruptuar mund të bëjnë çfarëdo kompromisi në dëm të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesë të territorit, vetëm e vetëm që vazhdojnë të mbesin akoma edhe për shumë kohë në pushtet. “Pushteti për këtë klasë politike do të thotë ‘aventurë’ pa kufij për ta: sundim oligarkësh, pasurim marramendës, drejtësi nën diktat, ekskursione diplomatike, zhvatje të parasë publike, nepotizëm, darka të shtrenjta…E gjithë kjo parajsë nënkupton pushtetin e të ‘mëdhenjve’ në Kosovë. Andaj, kompromiset e dhimbshme për shtetin, duke përfshirë edhe idetë për humbje territori, janë pjesë e kësaj aventure të papërgjegjshme. Japin gjithçka, por jo pushtetin.
Dhënia e pushtetit nga krerët e pushtetit, do të thotë heqje dorë nga paratë (keqpërdorimi i parasë publike), por edhe nga kontrolli klandestin i nëntokës. Kapja me drogë e shoferëve të zyrtarëve të lartë të shtetit është vetëm një ‘rrjedhje’ e monopolit të trafikimit të drogës, armëve etj., mbi të cilat është ndërtuar pushteti mafioz”, u shpreh ai. “Duke qenë në këtë situatë, të shantazhuar e me akuza të rënda në qafë, standard i vetëm për të shpërthyer nga getoja e krijuar vetë, mbetet kompromisi i dhimbshëm me territorin. Japin territor për ‘fqinjësi të mirë’, për ‘liberalizim vizash’ për BE, OKB, ‘pajtueshmëri historike’…….por nuk japin pushtetin. Vlen të kujtojmë demarkimin me Maqedoninë, delimitimin me Malin e Zi, e tash, edhe paralajmërimi për delimitim me kufirin me Serbinë (ideja e heqjes qafe të mineraleve dhe pasurive vitale të shtetit), me të cilat Kosova po humb gjymtyrët e shtetit. Janë të njëjtët liderë që humbin territor, por jo pushtet”, potencoi Bojaj. “Në këtë kontekst mund të rrjedhin edhe kushtet e reja nga BE-ja për proceset integruese e për liberalizim vizash për Kosovën”, tha Bojaj për “Kosova Sot”.
Ai rikujton se edhe Rainer Vieland bëri të qartë se ideja e lëvizjes së kufijve, e proklamuar si marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është shumë rrezikshme. “Ky plan është taktikë për ikje nga llogaridhënia për dështimet dhe akuzat e drejtësisë, duke hapur një kapitull të ri, i cili garanton jetëgjatësi të klasës politike me dosje kriminale. Kjo aventurë përjashton të gjitha segmentet e tjera integruese, shtetndërtuese, zhvillimin ekonomik, forcimin e sistemit të drejtësisë, integrimeve e që rrit pasigurinë qytetare”, vlerësoi ai.
Zeqa: Liderët e shantazhuar pranojnë çdo ofertë
Sipas analistit politik Florim Zeqa, vetë dhënia e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi nën premtimin në mashtrim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ua ka lënë “shtegun hapur” ndërkombëtarëve (BE-së) për kushtin e radhës për liberalizim. “Me këtë klasë politike të korruptuar, me këta liderë të shantazhuar, Kosova rrezikohet që të pranojë përsëri kushte të reja për liberalizimin e vizave nga BE-ja! Në fillim të këtij viti pritet të ndodhë diçka ngjashëm si me demarkacionin me Malin e Zi, por me përmasa më të mëdha territoriale, me premtimin e njëjtë se në fund do të arrihet liberalizimi i vizave!
Duke pasur në krye të shtetit të njëjtët politikanë të pasinqertë, të korruptuar, të tejinkriminuar dhe të dëmshëm për qytetarët, lehtësisht mund të ndodhë mashtrimi i radhës si ‘kompromisi i dhimbshëm’ në emër të liberalizimit të vizave dhe kinse ‘normalizimit të marrëdhënieve’ me Serbinë, shtetin që nuk e njeh dhe as pranon ekzistencën e shtetit tonë-Republikës së Kosovës”, vijoi më tej ai. “Të pabesëve nuk u zihet besë! Si t’u zihet besë atyre që i vunë flakën Parlamentit në emër të mbrojtjes së territorit, e që më pas me dorën e tyre i falën Malit të Zi mijëra hektarë tokë, i falën përjetësisht Çakorrin, Kullën e Bjelluhën pa e marrë liberalizimin e vizave dhe pa e marrë asnjë milimetër tokë nga Mali i Zi!
Kushti i radhës mund të jetë akoma më i dhimbshëm, që Kosova ta bëjë marrëveshjen e imponuar dhe planifikuar nga Thaçi-Vuçiqi, nën tutelën e Edi Ramës e me ndërmjetësimin e mercenarëve të paguar mediatikë e biznesorë dhe të mafisë kriminale, nga e cila Kosova do të dalë e dëmtuar për mijëra kilometra katrorë, me humbjen e resurseve natyrore, pasurive kryesore nëntokësore (‘Trepça’, Ujmani, etj.), si dhe ndarjen e sovranitetit të shtetit të mbetur në disa pjesë; në Kosovën shqiptare (me Prishtinën e zgjeruar me komunat shqiptare), atë serbe (AKS-në e zgjeruar me enklavat, kishat dhe manastiret serbe), si dhe pjesën turke (pjesën e Prizrenit të erdoganizuar me mbetjet turkofile gjithandej Kosovës)! Ky nuk është defetizëm, por rrezik real nga i cili kanoset sovraniteti i Republikës së Kosovës nga armiqtë shekullorë (Serbia dhe Turqia)”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.
Qarri: Pushtetarët e inkriminuar, pengesë për integrimin
Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se fatkeqësisht vetë thirrja e zëvendëspresidentit të Parlamentit Evropian, Rainer Vieland, që nga politikanët vendorë të mos bëhen premtime lidhur me afatet për liberalizim të vizave dhe se ai dhe Gjermania, në vazhdimësi po mundohen që Kosovës të mos i vihen kushte të reja, flet qartë se Kosova po rrezikohet që të pranojë përsëri kushte shtesë për liberalizimin e vizave nga BE-ja.
“Madje, duke pasur parasysh faktin se vitin që sapo lamë pas, Kosova pësoi dështimet më të mëdha në arenën ndërkombëtare, shkaku i deklarimeve të dëmshme e kontroverse të kuislingut Hashim Thaçi për ndryshim të kufijve dhe ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, të cilët jo vetëm se ndaluan njohjet, por rrezikuan edhe ekzistencën e shtetit tonë të brishtë, përderisa Kosova të përfaqësohet nga politikan të tillë, mund të pritet shumë lehtë, që njëjtë si me demarkacionin, të kushtëzohemi sërish si vend me marrëveshje të dëmshme që na humb përsëri territor, me arsyetimin se në fund, do të ndodhë liberalizimi i vizave”, theksoi ai. “Për aq më keq, pikërisht për shkak se në krye të shtetit Kosova ende mban politikanë të tillë të inkriminuar, të pasinqertë, të korruptuar dhe të dëmshëm për vendin dhe qytetarët, të cilëve nuk u beson më askush, brenda as jashtë vendit, vetë zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, z. Rainer Vieland, që vizitoi të mërkurën vendin tonë, dha dy mesazhe të qarta për dy temat kryesore aktuale; të mos jepen afate për liberalizim dhe të mos flitet për ndryshim të kufijve, tema që sigurisht edhe sivjet do ta dominojnë jetën politike.
Madje, shkaku i vazhdimit të përzierjes së politikës në drejtësinë e vendit, kapjen e Prokurorisë dhe mosefikasitetit të Gjyqësorit, z. Vieland jo vetëm se pohoi që janë disa qeveri evropiane, të cilat ende nuk janë bindur për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por la të kuptohej se Parlamenti i BE-së, ndonëse nuk është lëshuar në supozime rreth kësaj çështjeje, mund t’i vërë edhe kushte të reja Kosovës”, vijoi më tej Qarri për “Kosova Sot”.
Badallaj: Ku mbetën Kulla e Çakorri?!
Analisti Reshat Badallaj tha për “Kosova Sot” se një mashtrim i tillë i radhës edhe mundë të dalë në sipërfaqe shpejt nga ana e BE-së, derisa në pushtet kemi qeveritarë të korruptuar e të shantazhuar. “Mashtrimeve të Evropës tashmë u ka dalë boja,por kam frikë se për interesa të kësaj bande banditësh të prirë nga Shpend Jahti do ta hanë karremin dhe pastaj do t’u ngelet në fyt, sepse këta janë duke u tallur me fatin e popullit…
Kosova e ka hëngër njëherë me Hashimin e Brojës e Isa Mustafën me demarkacionin dhe kishte vite e vite vetëm fjalë dhe asgjë nuk u bë. Prandaj, po e them këtë se nuk duhet besuar aspak kësaj bande turistësh që sorollaten poshtë e lart me djersën e taksapaguesve. Ne jemi dëshmitarë të kohës kur thoshin këta banditë shkuar banditëve do t’u kthejmë Kullën, Zhlebin, Çakorrin dhe ku janë dhe a duhet besuar kësaj bande hajnash. Pra, dua të them se këtyre hajnave me afera e skandale korruptive deri në fyt dhe me procedura penale nuk duhet zënë besë farë, sepse këta janë besëprerë, këta janë bandë që interesat e tyre personale i kanë vënë mbi interesat shtetërore”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.
Salihaj: Kushtet e reja vetëkërkohen nga presidenti
Sipas Adem Salihajt, ish- zëvendëskryeministër, edhe një kusht i ri i rëndë për liberalizimin e vizave pa dyshim që mund t’i vihet Kosovës me këtë qasje që ka tani kjo klasë e tanishme politike në pushtet, sepse një gjë e tillë edhe mund të jetë kërkuar paraprakisht nga presidenti Thaçi në takimet me Frederika Mogerinin.
“Ky kusht do të ishte marrëveshja me Serbinë, respektivisht korrigjimi i kufirit, i cili domosdo do të nënkuptojë humbje të një pjese të territorit të Kosovës. Unë besoj se Thaçi dhe Vuçiqi kanë kërkuar nga Mogherini, Hahn dhe BE-ja që ky kusht, si gur i rëndë , t’i vihet në qafë sërish Kosovës. Mos harroni asnjëherë se, kushti i demarkacionit me Malin e Zi, i ishte kërkuar BE-së nga vetë Thaçi.
Dhe kjo ishte bërë me qëllimin e vetëm që Kosova ta humbte një copë të territorit. Pra,loja djallëzore e Thaçit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe humbjen e territorit të saj është e vjetër. Loja me kufirin me Malin e Zi është paraloja dhe precedenti për lojën e re të humbjes së një pjese të territorit me Serbinë. Thaçi, pra, shumë moti është bërë njeri i Serbisë dhe me kohë, bashkë me Serbinë, ka përgatitur planin për copëtimin pjesë-pjesë të Kosovës. Kosova nuk ka pasur dhe nuk do ta ketë një njeri kaq tradhtar e të rrezikshëm sikur Hashim Thaçi. E vetmja mënyrë për ta ndalur Thaçin është shkarkimi i tij”, potencoi Salihaj për “Kosova Sot”.
Aliu: Territori, në rrezik
“Pa dyshim që Kosova tani rrezikohet që të pranojë përsëri kushte të reja, për liberalizimin e vizave nga BE-ja dhe, sigurisht pritet të ndodhë ngjashëm, si me demarkacionin, pra që të pranojë tani marrëveshjen me Serbinë dhe të humbë sërish territor, dhe të thuhet, se do të arrihet më në fund liberalizimi i vizave! Dhe, për këtë, ekziston pesimizmi, meqë në krye të shtetit, kemi politikanë të pasinqertë, të korruptuar dhe tejet të dëmshëm për qytetarët dhe se atyre nuk duhet fare t’u zëmë besë…
Për këtë, njerëzit e kanë ende të freskët rastin me demarkacionin me Malin e Zi, kur u shfaq befas kushti për liberalizimin e vizave. Edhe tani, mund të përdoret, sërish një ide e tillë, ide kjo, e lindur në zyrat e mercenarëve në Prishtinë. Dhe,për këtë, duhet qytetarët të përcaktohen; se a do të pranojnë që të lëvizin pa viza, apo t’ia japin Serbisë një pjesë të madhe të Kosovës së vogël”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.
Qytetarët, në alarm
Edhe qytetarët e anketuar rreth kësaj teme nuk e kanë përjashtuar rrezikun që pala kosovare të nënshtrohet karshi një kushti të tillë, që kjo politikë e shantazhuar të pranojë përsëri kushte të reja për liberalizimin e vizave nga BE-ja, ngjashëm si me demarkacionin, pra që të pranojnë marrëveshje të dëmshme që na humb sërish territor, që të arrihet liberalizimi i vizave, mirëpo qytetarët theksojnë se po të pyeteshin ata një kusht i tillë do të duhej refuzuar dhe as të mos diskutohet për një gjë të tillë.
Një opinion të tillë e ka qytetari Selatin Fazliu. “Përderisa është përmendur viti 2020 si vit optimal për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, atëherë edhe mund të dalin skenar të rinj të vendosjes së kushteve të reja për Kosovën për ta fituar këtë të drejtë universale të lëvizjes së lirë, por që po mbete peng i klasë politike të korruptuar e të shantazhuar. Sidoqoftë, unë mendoj që Kosova ka humbur tepër duke bërë koncesione të njëpasnjëshme territoriale ndaj vendeve fqinjë, fillimisht me Maqedoninë, për çka nuk na pyetën as Serbia dhe as UNMIK-u në atë kohën kur ne kishim vetëm institucione të përkohshme para shpalljes së pavarësisë. Mirëpo, kjo nuk mbaroi me kaq. Tradhtia e madhe ndodhi duke i dhuruar mbi 8000 hektarë tokë Malit të Zi pikërisht në emër të liberalizimit të vizave dhe kjo nuk u arrit, na mashtruan. Prandaj është koha që t’u themi mjaft dhe të mos pranohen fare kushtëzime të reja”, theksoi ai.
Një mendim të tillë ndan edhe qytetari Agim Lleshi.”Është koha që ne si qytetarë, por edhe politika duhet të kthjellemi. Serbia ka kërkuar që Kosovës t’i vendoset fusnota dhe Evropa këtë e ka pranuar dhe na e ka imponuar, prandaj nëse na e vendos edhe një kusht tjetër tani për bisedime dhe për marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm te territorit, është koha që t’u themi se me këso kushtesh më nuk na intereson as liberalizimi i vizave dhe as Evropa, sepse jemi shtet i pavarur dhe kemi territorin tonë”, vlerësoi ai. Sipas Lleshit, Kosova duhet të sillet si shtet.
(Kosova Sot)

