Mobi Casa

Pushteti kosovar e braktisi veriun

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Analistë politikë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se aleatët tradicional, Rusia dhe Serbia, janë të përfshirë në nxitjen e trazirave në Kosovë.

Rusia dhe Serbia ushtrojnë ndikim në pjesën veriore

“Sikur institucionet tona të ishin më këmbëngulëse për të vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovës, ashtu si ishin unike në formimin e Ushtrisë së Kosovës, ajo pjesë tashmë do të kishte rend dhe ligj, e nuk do të kontrollohej e qeverisej nga Serbia, e ndihmuar edhe nga aleatja e saj, Rusia”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Analistë politikë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se aleatët tradicional, Rusia dhe Serbia, janë të përfshirë në nxitjen e trazirave në Kosovë.

Nga njohësit e situatës politike në vend, po shtrohet në debat çështja se përse institucionet e Kosovës as nuk po tentojnë që të shtrijnë sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Analistët janë të indinjuar se përse institucionet tona e lejuan që prej vitit 1999 e deri më sot që nëntoka kriminale e Kosovës, me politikën e inkriminuar , e në bashkëpunim të ngushtë me nëntokën kriminale serbe, të sundojnë në veri. Me gjithë pyetjet e drejtuara në adresë të zyrave për informim, se çka thotë Policia e Kosovës, AKI-ja, dhe çfarë thonë Ministria e Punëve të Brendshme , për rrezikun për destabilizimin e Kosovës, zyrtarët e këtyre institucioneve të shtetit nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Analisti Ali Hertica, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se një shtet ligjor me një gjyqësor të pavarur, sigurisht që u konfiskon njerëzve pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, e sidomos atyre që vërtetohet që e kanë bërë këtë pasuri të inkriminuar në veprimtari kriminale dhe këto raste në Kosovë janë bërë të zakonshme, kanë lidhje me politikën, e cila e ka të kontrolluar gjyqësorin.

Kosova, në duart e mafisë

Mobi Casa

Hertica është optimist që shumë shpejt do vijë një Qeveri normale në vendin tonë dhe shpata e drejtësisë do t’i godasë të gjithë njerëzit e inkriminuar, pa dallim. “Me këtë përbërje të sistemit të drejtësisë, kurrë nuk do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni i pushtetarëve në të gjitha pushtetet dhe nivelet, por vetëm do të mbyllen dosjet e tyre njëra pas tjetrës, duke bërë kështu edhe avokatinë e mbrojtjen e të inkriminuarve të pushtetit dhe mafio-oligarkisë kriminale. Kosova ngjan shumë në qytetin amerikan të Çikagos, të viteve 1930-1945, para dhe pas luftës së Dytë Botërore, por si Qeveria qendrore, si qeveria lokale, u kacafytën me mafinë dhe duke iu falënderuar edhe FBI-së u mund krimi i organizuar, mafia e cila fshihej pas sindikatave të punëtorëve. Edhe gjatë luftës fshihej kinse edhe pas patriotizmit. Siç ishte rasti i bosit të mafisë, Çarli Luçiano. Por, SHBA-ja kishte fat se kishte burrështetas të pastër dhe patriotë që e donin Amerikën dhe e donin forcimin e ligjit dhe shtetit, kishte fat se kishte edhe FBI-në e pastër si organ hetues federal, derisa fatkeqësisht Kosova nuk ka politikanë të pastër, me peshë, që mund të ndikojnë në sundim të ligjit”, shpjegon më tej Hertica. Sipas tij, strukturat e xhandarmërisë, të policisë, BIA-s e organizatave ekstreme serbe janë kudo në Kosovë. “Mitrovica (pjesa veriore) dhe shumica e enklavave nuk i përgjigjen Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të këtij institucioni, del se borxhi total i serbëve ndaj ATK-së sillet rreth 7.5 milionë euro. E përmendëm këtë fakt jo pse serbët e Kosovës i kanë borxh ATK-së, por për faktin se nuk e njohin si institucion deri më sot nëntoka kriminale e Kosovës, me politikën e inkriminuar, e bashkë me nëntokën kriminale serbe të sundojnë në veri të Kosovës”, potencoi analisti Hertica.

FAJËSOHEN EDHE NDËRKOMBËTARËT

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se fajin më të madh për gjendjen ne veriun e vendit e kanë ndërkombëtarët, që i mbyllën sytë para aktiviteteve kriminale të formacioneve paramilitare dhe ushtarake serbe në veri të Kosovës. “Fundja, ishin ndërkombëtarët ata që do të duhej të përkujdeseshin për sigurinë në tërë Kosovën e jo të lejohej haptazi veprimtaria e shërbimit sekret serb dhe shërbimit sekret rus përmes një shoqate humanitare, që të zhvillonin aktivitete të fshehta me mision policor dhe ushtarak në veri të Kosovës. Një pjesë jo të vogël të fajit e kanë edhe të gjitha qeveritë e pasluftës që heshtën përballë evazionit fiskal dhe kontrabandës serbo-ruse që bëhej në veri të vendit . Mirëpo, edhe këtu duhet qenë realistë, sepse edhe në rast kur forcat e Njësive Speciale të Kosovës synonin që të futeshin në veri të Kosovës, qeveritë e Kosovës pengoheshin nga faktori ndërkombëtar, që janë aleatë të Serbisë e Rusisë dhe në atë pjesë nga viti në vit dobësohej ndikimi i shtetit të Kosovës”, u shpreh Hoti.

TË GJITHA QEVERITË, PËRGJEGJËSE

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se që nga përfundimi i luftës e deri më sot, Rusia dhe Serbia janë të përfshira në nxitjen e trazirave në Kosovë e veçanërisht në veri të Kosovës. “Fajin më të madh se përse e kemi këtë gjendje në veri të Kosovës e kanë të gjitha qeveritë e pasluftës dhe institucionet e tjera relevante shtetërore të Kosovës, të cilat as nuk po tentojnë që të shtrijnë sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Sepse, deri më tash kjo ka ndodhur vetëm një herë para tre vjetësh, kur u vendosën doganierët dhe Policia Kufitare e Kosovës në Pikat kufitare në veri, në Jarinje dhe në Bërnjak. Jam shumë i indinjuar se përse institucionet tona lejuan që prej vitit 1999 e deri më sot që nëntoka kriminale e Kosovës, me politikën e inkriminuar, e në bashkëpunim të ngushtë me nëntokën kriminale serbe të sundojnë në Veri të Kosovës”, u shpreh Guraziu.

(Kosova Sot)