“Sheikët” e Kosovës, pasanikë me asete publike
Problemi i pagave të fryra qëllimisht nga njerëzit e politikës, nëpër ndërmarrjet e mëdha publike dhe borde, mbetet i pazgjidhur. Sidomos pagat në ndërmarrjet publike (PTK, KEK etj.), si dhe në institucionet siç janë Trusti, AKP-ja etj., vazhdojnë të jenë jonormal të larta, ku kryetarët e bordeve marrin edhe deri në 10 mijë euro paga në muaj dhe shteti nuk ndërmerr asgjë për ta ndërprerë një zhvatje të tillë të buxhetit.
POLITIKANËT KAPËN INSTITUCIONET, ABUZUAN ME PAGAT
Të ardhurat e disa drejtorëve, shumëfish më të larta se standardi kosovar
“Duket se Kosova është një “El do Rado” e paligjshmërisë, e korrupsionit dhe e krimit. Në një formë edhe kjo është një kapje e shtetit nga pushteti i krimit e korrupsionit”, tha analisti Naim Kelmendi.
Problemi i pagave të fryra qëllimisht nga njerëzit e politikës, nëpër ndërmarrjet e mëdha publike dhe borde, mbetet i pazgjidhur. Sidomos pagat në ndërmarrjet publike (PTK, KEK etj.), si dhe në institucionet siç janë Trusti, AKP-ja etj., vazhdojnë të jenë jonormal të larta, ku kryetarët e bordeve marrin edhe deri në 10 mijë euro paga në muaj dhe shteti nuk ndërmerr asgjë për ta ndërprerë një zhvatje të tillë të buxhetit.
Duke parë një gjendje të tillë, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se vetë politika është ajo që në fakt po i përdor ndërmarrjet publike për të mbajtur militantët partiakë me paga të larta, për t’u shërbyer ata më pas politikanëve dhe kështu ruhet funksionimi i lidhjeve kriminale, por gjithmonë në dëm të shtetit. Analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi pohon se pagat enorme, sidomos në krahasim me ato të shërbyesve civilë, arsimtarëve, me pagat në shëndetësi etj., janë një tjetër tregues për kapjen e shtetit nga strukturat gjithnjë e më shumë të formës kriminale.”Pagat marramendëse në ndërmarrjet publike, si PTK-ja, KEK-u, AKP-ja dhe Trusti, janë paga jashtë logjikës së shëndoshë kur dihet për standardin e ulët të jetesës në Kosovë. Kur dihet së çfarë janë pagat për shumicën, kur dihet se me çfarë pagash minimale po jetojnë pensionistët dhe kategoritë e tjera shoqërore. Kur dihet së afër gjysma e popullatës aktive për punë nuk po punojnë. Kur dihet së afër 20 për qind të qytetarëve sot po jetojnë skajshmërisht dobët… Kjo është absurditet dhe turpi ynë më i madh. Kjo tregon së në çfarë derexhe të keqe e ka sjellë shtetin e ri të Kosovës kjo kastë politike e kriminalizuar dhe e korruptuar”, tha Skënder Mulliqi.
Pabarazi skandaloze
Profesori Muhamet Kelmendi thotë se çështja e të ardhurave personale nuk është e rregulluar si duhet dhe mbi bazat e fuqisë ekonomike të vendit as në organet shtetërore, si në Presidencë, ku presidenti i ka të ardhurat personale mbi 3500 euro në muaj dhe përveç shpenzimeve të tjera, siç janë veshmbathja, ushqimi, telefonia etj. Ai po ashtu pohon se situatë e njëjtë është edhe në Qeveri, në Kuvend, por edhe në Gjykatën Kushtetuese, në Prokurorinë e Shtetit dhe gjykata të tjera të Kosovës, ku të ardhurat personale minimale janë 1500 euro për gjykatës apo prokuror dhe shkojnë deri në 3500 euro për kryetarin e Kosovës apo kryetarin e Kuvendit të Kosovës. “Të gjithë udhëheqësit e këtyre institucioneve të përmendura: presidenti, kryetari i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, asaj Supreme etj., i kanë të garantuara të ardhurat personale edhe mbas skadimit të mandatit, pra deri në vdekje. Të ardhurat e këtyre kategorive të të punësuarve kalojnë prej 20 deri 30 herë të ardhurat mesatare të një të punësuari në vendin tonë. Mirëpo, disproporcioni më i lartë, që është një pabarazi totale në Kosovë, është kur të merren për bazë të ardhurat personale të kryetarit të Trustit, të sigurimit pensional, që kalojnë shumën e 6500 eurove në muaj, pastaj të kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim, ku po ashtu të ardhurat janë mbi 6000 euro në muaj, e ku del se kemi një çrregullim total në sistemin e pagesave të Kosovës”, tha Kelmendi. Sipas tij, abuzimi me këtë sektor shkon deri në atë masë sa ka bazë edhe për ndjekje penale.
Nivelimi i zvarritur
Hidajet Ahmeti pohon se në diskursin politik e publik shumë herë është diskutuar për reformën në administratën publike, por praktikisht ky proces është zvarritur për nevoja të interesave të tyre personale e politike, gjë që nuk e ka zgjidhur as problemin e pagave. “Që më shumë se dy vjet ka filluar reforma në shërbimin civil për standardizimin e pozitave dhe nivelimin e pagave në institucionet publike, por praktikisht jemi shumë larg kësaj reforme, pasi që ka munguar një vullnet politik për t’i çuar proceset deri në fund. Mbi të gjitha, këtyre ndryshimeve radikale në kuptimin demokratik duhet t’u prijë një qeveri kredibile, e cila punon e vepron jashtë interesave personale, nepotike e politike”, theksoi ai. “Reforma është domosdoshme, pasi që në trendin e tillë institucionet publike po abuzojnë më taksapaguesit qytetarë, duke tjetërsuar asetet publike për interesa militanteske, nepotike e klienteliste. Ligji për pagat në shërbimin civil është i domosdoshëm të miratohet, duke iu përfillur paanshmërisë, profesionalizmit, e mbi gjitha interesit publik. Me jetësimin e Ligjit për paga do të harmonizohen dhe nivelohen pagat në institucionet publike, por mbi të gjitha do të rriten transparenca, llogaridhënia, efektiviteti dhe efikasiteti në shërbime publike e administrative. Kjo është rruga e ndryshimeve pozitive, e cila potencialisht do të përkthehet në interesa të trupit publik dhe në favor të progresivitetit dhe emancipimit qytetar’, tha Hidajet Ahmeti.
Diskriminim i madh
Sipas analistit Ymret Reshiti, në sektorin publik kemi shumë diskriminim në paga në mes të nëpunësve publikë. “Edhe pse bëhet fjalë për një kategori të punëtorëve të cilët kanë themeluar marrëdhënie pune në sektorin publik – me shtetin si punëdhënës, dallimi në paga është mjaftë i madh në mes tyre. Nëpunësit publikë që punojnë në ndërmarrjet publike ose institucione (agjenci) të pavarura marrin paga shumëfish më të mëdha në krahasim me nëpunësit publikë që punojnë në administratë shtetërore, polici, shëndetësi, arsim. Këtë dallim drastik në paga e kanë krijuar politikanët, të cilët me lehtësi dhe pa asnjë kriter i kanë e punësuar familjarët dhe militantët e partisë së tyre në këto ndërmarrje dhe institucione të pavarura”, tha Reshiti për ‘Kosova Sot’. Politologu Arsim Haziri pohon se politikat aktuale s’mund të jenë edhe të paqëllimshme, duke i pasur në konsideratë dëmet që po ua shkaktojnë vendit, në çdo aspekt. “Pagat e larta në çdo institucion vazhdojnë akoma të paraqesin problem për buxhetin e vogël të Kosovës, kjo është realizuar falë politikanëve të pandërgjegjshëm dhe joracionalë për të mirën e përgjithshme. Në një vend me ekonominë më të dobët të jenë pagat aq marramendëse është fatkeqësi dhe ngarkesë për buxhetin tonë. Kjo natyrisht reflektohet edhe në mungesën e zhvillimit ekonomik, për çka vendi po vuan tejet shumë. Sikur të zvogëloheshin ato paga, natyrisht do të ndikonte në fuqizimin e ekonomisë sonë”, theksoi Haziri./kosova sot/


