Në fazën e tretë të dialogut të përfshihet edhe opozita
Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, ka vlerësuar se në fazën përmbyllëse të dialogut, e cila po zhvillohet në Bruksel, delegacioni i Kosovës duhet t’i ngjajë “Grupit të unitetit” i cili i ka udhëhequr negociatat e Vjenës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se në këtë fazë duhet të përfshihet edhe opozita.
Tahiri ka deklaruar se në këtë fazë, e cila nuk duhet të zgjasë shumë, do të flitet për njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, ku secili e ka për obligim ta japë kontributin e vet.
Në këtë intervistë për gazetën, Tahiri ka folur edhe për raportin e fundit që ia ka dërguar BE-së rreth ecurisë së dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo ka thënë se duhet angazhim më i madh i BE-së në mënyrë që marrëveshjet që janë arritur në këtë proces të dialogut të zbatohen.

