Referendumi është akti më i lartë i shprehjes së vullnetit të popullit tonë
Nga Muhamet Kelmendi – Shpeshherë po diskutohet përbërja e delegacionit të Kosovës në raport me shtetin serb. Mendimet janë të ndryshme. Njëra anë, thekson se Presidenti nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare dhe, në anën tjetër, është grupi që tregon se ka të drejtë në udhëheqje të politikës së jashtme të vendit.
Në kuadër të kësaj janë dy çështje:
1. Udhëheqja e politikes së jashtme dhe
2. Nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në rastin e parë, qëndron qartë fakti se Presidenti udhëheq politikën e jashtme dhe nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në pajtim me Kushtetutën. Shih nenin 84, par. 7 dhe 10 i Kushtetutës. Dhe, në rastin e dytë, menjëherë kufizohet kjo me kompetencat e Kuvendit, sepse në nenin 65, parag. 4 përcakton ratifikimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çështja shtrohet kryesisht mbi faktin se a janë marrëveshje ndërkombëtare nëse me një marrëveshje përcaktohet rregullimi i brendshëm i sistemit politik dhe lejohet një organizim i tretë i pushtetit?
A janë apo jo marrëveshje ndërkombëtare! Këtu nuk ka rregulla juridike. Në KP, në nenet 123, 124 dhe 125, theksohet fakti se në këtë rast, kapitullimi, lejimi i shkatërrimit të sistemit, si dhe okupimi i një pjesë, me pajtim a nënshkrim të marrëveshjeve, kryhet vepër penale e dënueshme, e cila në minimum e përcakton dënimin me 15 vjet deri në burg të përjetshëm. Me këtë i jepet përgjigje shumë e qartë forcave që janë për ndryshim a korrigjimin të kufijve apo të organizimit të Asociacionit me pushtet ekzekutiv. Por, si shtet dhe si vend, sikundër është Republika, ka mundësi, vetëm pasi që të vendoset në Kuvend dhe me Referendum, të vendosë populli. Në filozofinë politike mbi lirinë e popullit thuhet: “Referendumi është akti më i lartë demokratik mbi përcaktimin e vullnetit të popullit për të ardhmen e vetë”. Me këtë populli ka të drejtë: 1. Të pavarësohet, 2. Të bashkohet me shtetin amë dhe 3. Të krijojë sistem të ri të organizimit dhe të bashkimit, deri edhe te përcaktimi i formës dhe i mënyrës së jetës. Referendumi është akti më i lartë dhe sublim i lirisë së vendit dhe popullit. Nëse masave i hiqen demonstratat, protestat, takimet me qytetarët dhe e drejta e shprehjes së vullnetit, i hiqet liria themelore e vullnetit se si dëshiron të jetoj. Me atë, vendi shndërrohet në diktature dhe masat dhunohen. Masat duhet të jenë të lira. Me këtë po ritheksoj edhe njëherë faktin: Kosovës i duhet Referendum për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe jo ndonjë referendum mbi marrëveshjet e ndryshme me shtetin serb. Natyrisht se as kjo nuk mohohet. Për çfarëdo çështje mundet populli të vendos. Është legjitime.
(Kosova Sot)


