Shantazhi degradon drejtësinë
Analistë dhe njohës të fushës së drejtësi kanë pohuar për “Kosova Sot”, se Prokuroria Speciale duhet të veprojë ‘ex officio’ për rastet konkrete të krimit të organizuar, pasi shumë prej dosjeve janë në tavolinat e prokurorëve si padi penale nga qytetarët, e të cilat presin me vite të tëra pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes së aktakuzave.
Ahmeti: Falë kërcënimit, shantazhit e presionit, ka funksionuar dhe kanë mbetur gjallë një pjesë e politikanëve të korruptuar e të kriminalizuar në Kosovë!
“Shantazhi është bërë mjet i punës në drejtësi, siç është bërë edhe në politikë gjithandej, në institucionet e kapura kriminalisht nga krimi i organizuar. Dhe, si bëhet, vallë, që asnjëherë tashmë 18 vjet, që ndonjë gjyqtar të mos penalizohet për shkak të dhënies së ndonjë vendimi abuzues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin”, thotë analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot”
Analistë dhe njohës të fushës së drejtësi kanë pohuar për “Kosova Sot”, se Prokuroria Speciale duhet të veprojë ‘ex officio’ për rastet konkrete të krimit të organizuar, pasi shumë prej dosjeve janë në tavolinat e prokurorëve si padi penale nga qytetarët, e të cilat presin me vite të tëra pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes së aktakuzave.
Mosveprimi i tillë, për analistët po krijon mundësi që këto të përdoren nga nëntoka dhe politikanët e inkriminuar, për rivalët, për shantazhe pushteti, e jo për ta zbardhur drejtësinë. Andaj, një situatë e tillë, sipas tyre, po shndërron shantazhin në mjet të punës në drejtësi, siç është edhe në politikë dhe gjithandej në institucionet e kapura në fakt kriminalisht nga krimi i organizuar. Por, pavarësisht gjithë kësaj mospune dhe degradimi që nga pas luftë e deri më sot nuk ka ndodhur që të penalizohet ndonjë prokuror, apo gjyqtar, për shkak të dhënies së ndonjë vendimi e në kundërshtim të plotë me ligjin, mosdhënie të llogaridhënies. Analisti Hidajet Ahmeti ka pohuar për “Kosova Sot”, se dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard dhe mjet i punës në çdo institucion publik, por posaçërisht në sistemin e drejtësisë. Ai ka theksuar se falë kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe kanë mbetur gjallë një pjesë e politikanëve të korruptuar e të kriminalizuar në Kosovë. “Dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është një ‘strategji’ politike që e përdorin duke keqpërdorur institucionet publike”, u shpreh Ahmeti.
Njollosja nga partitë Sipas Ahmetit, kjo “strategji” politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale, kurse në anën tjetër për amnistimin e përkohshëm të klientelës së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar, e me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare. Kjo, siç ka thënë ai, “strategji” politike përmes rrugës së shantazhit mban pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit, dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë. Ai ka thënë se përmes kësaj metode amorale e të pasinqertë njollosin personalitete politike të pastra moralisht, por njëkohësisht i fusin në një lojë iluzionare edhe opinionin publik duke ia shpërlarë trurin. “Gjykoj se kjo loje e shumëfishtë e partive politike, e posaçërisht e politikanëve të inkriminuar, është manipulim i paskrupullt ndaj opinionit publik, me qëllimin e vetëm për marrjen, mbajtjen e ruajtjen e pushtetit me metoda, të cilat nuk përkojnë me frymën demokratike. Logjika qeverisëse ballkanase vepron dhe funksionon nën presionin ndërkombëtar, pasi klasa politike udhëheqëse është e shantazhuar nga ndërkombëtarët. Çdo shtet pretendent për BE-në dhe organizata ndërkombëtare e ka të domosdoshme të bëjë ndryshime radikale brenda sistemit politik e juridik, e ato shtete të cilat vonohen në këtë drejtim, pasojat i vuajnë qytetarët e tyre”, ka pohuar Ahmeti.
“Peshqit e mëdhenj” amnistohen Më tej, analisti Ahmeti ka pohuar se Republika e Kosovës, përveç një presioni nga jashtë ndërkombëtar, duhet të këtë njerëz vullnetmirë, të guximshëm, që në këtë drejtim t’i ndihmojnë proceset reformuese në sistemin e drejtësisë, e jo, siç ka pohuar ai, ëndrra evropiane të mbetet brenda frazave boshe të politikanëve, që i përdorin për konsum të brendshëm politik, kurse praktikisht veprimet e tyre janë baras me zero. “Është për keqardhje nga klasa politike udhëheqëse, e cila e ka gojën plotë BE, e veprimet në këtë drejtim janë minimale,gjë që rrjedhimisht kjo tregon seriozitetin dhe sinqeritetin e institucioneve shtetërore për këtë rrugë”, ka pohuar ai. Ndërsa, Blerim Burjani, analistë dhe njohës i fushës së drejtësisë, ka potencuar për “Kosova Sot”, se ku nuk funksionon shteti juridik dhe gjyqësia e pavarur çdo gjë bëhet e mundshme. “Kur prokurori nuk e bën ndjekjen penale për disa persona me ndikim në politikë dhe në vendimmarrje në institucione të tjera publike, ndërpret ndjekjen penale, hesht në ndjekje penale, nuk merret me lëndët e grumbulluara të asaj natyre, ku njerëzit merren me korrupsion, hajni,personat mbi rendin dhe ligjin janë të paprekshëm dhe rrjetet kriminale që ata udhëheqin, kjo është parë kaherë dhe është e pandalshme”, ka pohuar ai, duke shtuar se persona të shumtë gjoja që merren me politikë janë përfshirë në shumë vepra korruptive. Sipas Burjanit, korrupsioni dhe kriminaliteti janë fenomen që zhvillohet pa u ndalur dhe pa stopim, nuk ka mjet ndikimi dhe ndalje dhe shumë lëndë parashkruhen. Segmenti i dytë, siç ka thënë ai, prokurorët shantazhohen dhe kërcënohen, andaj askush nga prokurorët nuk dëshirojnë të marrin lëndë të njerëzve që thonë se merren me politikë, por që kanë bërë para në forma të paligjshme.
GURAZIU: DREJTËSIA ËSHTË NË DUART E TË NDIKUARVE TË NËNTOKËS DHE MAFIO-OLIGARKISË SË TEJINKRIMINUAR!
Kurse, Ragip Guraziu, analist, ka thënë për “Kosova Sot”, se drejtësia ende është në duart e të ndikuarve të nëntokës dhe mafio-oligarkisë së tejinkriminuar. Sipas tij, derisa Prokuroria Speciale nuk vepron “ex officio” për raste konkrete të krimit të organizuar, ku shumë prej tyre i kanë edhe në tavolinat e tyre si padi penale nga qytetarët tashmë 18 vjet ende flenë këto padi dhe derisa kemi gjyqësor e gjykata të tilla të kapura për shtetin e pushtetin. “Derisa kemi një Qeveri që përzihet në punët e këtyre institucioneve, në Kosovë do t’i kemi punët katastrofë. Sipas meje, ne të gjitha institucionet e shtetit të kapura nga Qeveri nuk do të priten rezultate dhe nuk do zgjidhen asnjë lëndë, përkundrazi punët sa vijnë e pështjellohen edhe keq e më keq”, ka pohuar ai.
ALIU:POLITIKANËT E INKRIMINUAR DHE NËNTOKA PO I PËRDORIN PËR SHANTAZH DOSJET, TË CILAT PO FLENË NË PROKURORITË E KOSOVËS
Edhe Bislim Aliu, analist, shton se Prokuroria Speciale nuk vepron sipas ligjit apo “ex officio” për shumë raste konkrete të krimit të organizuar, ku shumë prej tyre i kanë edhe në tavolinat e tyre si padi penale nga qytetarët, të cilët presin me vite të tëra, pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes së aktakuzave. Sipas tij, politikanët e inkriminuar dhe nëntoka po i përdorin dosjet të cilat po flenë në prokuroritë e Kosovës, për rivalët, për shantazhe pushteti, e jo për ta zbardhur drejtësinë. “Për këtë, shantazhi është bërë mjet i punës në drejtësi, siç është bërë edhe në politikë gjithandej, në institucionet e kapura kriminalisht nga krimi i organizuar. Dhe, si bëhet, vallë, që asnjëherë tashmë 18 vjet, që ndonjë gjyqtar të mos penalizohet për shkak të dhënies së ndonjë vendimi abuzues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin”, ka potencuar më tej ai. “E, vallë, deri kur drejtësia do të jetë e ndikuar dhe në duart e nëntokës dhe të mafio-oligarkisë së tejinkriminuar”, ka pohuar Bislim Aliu për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


